TVSH? Të rikonceptohet, jo të mbyllet

5 Dhjetor , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Gjithmonë një media ka pas një interes në rrafshe të ndryshme, por në rastin e TVSH ky interes duhet gjithnjë e më shumë të përkojë me interesin e përbashkët, me interesin publik.

Rinovimi i TVSH nuk është kryesisht çështje teknologjie. Më së pari është një çështje identiteti. Televizion publik do të thotë që i përket publikut të gjerë, pra të gjithëve. Në të vërtetë ky televizion edhe mbahet nga të gjithë, pasi nuk ka nga pas një biznes apo ndonjë organizim tjetër që investon për të. Pra është i taksapaguesve shqiptarë. Kjo do të thotë se çdoherë që ky televizion bëhet i njëanshëm e në rrafshin politik në këto 20 vjet ka qenë i tillë, në varësi të forcës politike që qeveris, ai humb identitetin e tij të vërtetë. Pra në krye të procesit rinovues duhet një politikë konceptuese e televizionit publik që duhet t’u ofrojë të gjithë teleshikuesve mundësinë të komunikojnë e të marrin komunikimin real.

Mjafton të shikosh një edicion lajmesh dhe secili bindet për problemet e thella që kalon TVSH. Për hir të së vërtetës ky problem dhe pse shumë ndryshe vihet re edhe në vende të tjera që kanë televizion shtetëror. Në Itali p.sh. RAI jo gjithmonë ka qenë apo vazhdon të jetë politikisht i paanshëm. Gjithmonë një media ka pas një interes në rrafshe të ndryshme, por në rastin e TVSH ky interes duhet gjithnjë e më shumë të përkojë me interesin e përbashkët, me interesin publik. Sigurisht kjo do të ndodhë vetëm atëherë kur lajmet të mos dalin nga selitë e partive, apo nga institucionet, apo të porositen me një telefonatë, por kur të jetë gazetari ai që merr lajmin dhe e pasqyron me sa më shumë objektivitet. Ky është një parim i përgjithshëm që në Shqipëri ende vazhdon të jetë problematik në aplikimin e tij. Në një situatë mjaft të brishtë demokracie sikurse e jona ky problem do kohë të marrë rrugën e tij të zgjidhjes.

Një herë që TVSH merr një strukturë apartiake, pra publike, atëherë sigurisht që do të lindë nevoja e një modernizimi të televizionit. Buxheti i shtetit do të ishte i mjaftueshëm për këtë nëse këto para do të shpenzoheshin mirë dhe me kursim, pra të mos ishte pre e abuzimeve. Nuk e di se çfarë ndodh në TVSH me organikën e punëtorëve, me aftësitë e tyre që justifikojnë rrogat, me dietat apo honoraret, por një gjë është e sigurt që, nëse edhe TVSH nuk i nënshtrohet rregullave të marketingut, ai është i destinuar të mbetet një mamuth e me kalimin e kohës të zhduket. Ky marketing i lidhur me një konceptim të ri dhe publik të këtij institucioni do të sillte patjetër në një rinovim thelbësor të tij.

Unë nuk e shoh të arsyeshme mbylljen e kësaj “makine”, edhe pse e ngadaltë dhe deri diku e dalë mode. TVSH ka një histori, ka një arkiv, ka në vetvete memorien e gjallë të shumë viteve të kaluara, sidomos të komunizmit. Ky televizion ka nxjerrë artistë e gazetarë të mrekullueshëm. Në këtë aspekt ai duhet të vazhdojë të ekzistojë, por sigurisht ekzistenca e tij nuk mund të jetë ajo e një televizioni mbijetues. Është e mundur të mbahet një TV publik vetëm nëse do të jetë televizioni i gjithë shqiptarëve. Ekzistojnë falë Zotit edhe media alternative, por ky televizion duhet të vazhdojë misionin e tij.

 Botuar në gazetën Mapo, datë 02.12.2012

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend