Trendi i fundit – nga mitingu në shesh, tek tubimi virtual

13 Mars , 2013 • Media dhe Politika • by

Politika shqiptare në vitin 2013 po njeh një “trend” të ri, komunikimin virtual. Konferenca në Twitter e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe më pas ajo e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuar të Amerikës, Aleksandër Arvizu në Facebook theu “tabunë” në këtë hapësirë komunikimi ende të pa hulumtuar. Investimi drejt rrjeteve sociale dhe rëndësia që po i kushtohet sidomos me afrimin e fushatës elektorale duke mos lënë gjë pa u “shpëtuar” komunikuesve tanë politikë ngre disa pikëpyetje? Si po e ndryshon internet politikën shqiptare? A po e humbet media tradicionale rolin e saj?

Analisti i njohur, Lutfi Dervishi sqaron për gazetën “Reporteri” se ky lloj komunikimi virtual është një risi në vetvete. Sipas tij rrjetet sociale s’janë asgjë tjetër veçse peshore transparente ku kushdo nga zyrtarët apo politikanët mund të provojë sa “i vlen lëkura”. “Viti 2013, do të jetë viti i mediave sociale edhe për shkakun se do të shohim një rritje të përdorimit të tyre gjatë fushatës së ardhshme elektorale. Zhvillimi teknologjisë ka ndryshuar në mënyrë rrenjësore mënyrën se si ne e shpenzojmë kohën. Gjithnjë e më shumë po qëndrojmë on line dhe brezi i ri gjithnjë e më tepër po braktis median tradicionale” – theksoi Dervishi.

E në fakt koha e mitingjeve nëpër sheshe, ekzaltimet nga zëri dhe gjestet e politikanëve duket se po shkon drejt një rigjenerimi. Sot kemi të bëjmë me mitingje virtuale. Turma jo vetëm bërtet e valvit flamuj dhe mbush sheshet, por e pyet politikanin vetë, ngre një shqetësim dhe merr një përgjigje. Komunikimi nuk është më i njëtrajtshëm, por dinamik dhe interaktiv. Kjo metodë sipas gazetarit, Muhamed Veliu të jep një mundësi për ta zgjeruar komunikimin sa më shumë që të jetë e mundur. Për ti dhënë mundësi qyetarëve të përfshihen në bashkëbisedim. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ai shton gjithashtu se komunikimi politik sa vjen dhe po vështirësohet pasi politikanët gjithnjë e më pak preferojnë të marrin pyetje nga gazetarët. Mjaftohen me leximin e një deklarate për çështje që atyre u intereson. Megjithatë konstaton Veliu, konferencat

për shtyp ku gazetarët bëjnë pyetje ekzistojnë nuk janë shuar plotësisht. “Deri diku kjo metodë është një shmangie e medias tradicionale. Megjithatë televizionet dhe gazetat të tilla bashkëbisedime i kthejnë në lajme duke përdorur pyetjet dhe përgjigjet

për çështje të caktuara në lajme. Vihet re një komunikim gjithnjë e më i shpejtë nëpërmjet rrjeteve sociale. Mbase politikanët e shikojnë këtë si një komoditet” – pohon Veliu Në këndvështrimin e tij kjo është një lloj zbehje e rolit të gazetarit. Nga ana tjetër shton Veliu kjo nuk lejon që gazetarët të shkojnë më tutje në hulumtimet e tyre për çështje që politikanët komentojnë nëpërmjet rrjeteve sociale. Po ashtu dhe analisti Dervishi më shumë sesa zbehje median tradicionale e sheh si neglizhente. A ka një bast në këtë mes? Po, dhe ai është i humbur. Media e re do të triumfoje shumë, po shumë shpejt pohon analisti. Komunikimi në mediat sociale është një lloj ndërtimi ose rindërtimi i një imazhi në përmirësimin e strategjive politike. Është një lloj marketingu që politikanët e përdorin si një metodë për të realizuar objektivat, programet dhe afruar publikun. Një komunikim që i përfshin qytetarët në politikbërje dhe me anë të propozimeve ose pyetjeve të tyre ndihet nevoja e një reflektimi nga ana e politikanëve. Kjo ndoshta do të sillte një imazh më objektiv, pozitiv dhe të besueshëm.

E në fakt konferenca online në Twitter e Kryetarit të Partisë Socialiste synonte në vetvete hapjen ndaj publikut dhe sidomos atyre më të rinjëve. Të paktën kështu pohojnë për gazetën “Reporteri” burimet nga zyra e shtypit të kësaj partie. Sipas tyre kjo metodë nuk synon aspak shmangien e mediave tradicionale, përkundrazi ato janë dhe mbeten të rëndësishme. Në një mënyrë më të thjeshtëzuar e gjithë kjo risi sipas zyrës së shtypit të Parisë Socialiste do të thotë ndjekjen e një arti bashkëkohorë komunikimi dhe patjetër përmbushjen e qëllimit që përveç se të ketë sa më shumë popullaritet të këtë dhe sa me shumë votues në zgjedhjet e ardhshme. Nga të dhënat në faqen online të, studimepolitike.com shifrat për vitin 2012 për përdoruesit e internetit në Shqipëri shënojnë numrin 1.441.928 ose 48 për qind e popullsisë. Duke iu referuar gjithashtu studimit të “Global Information Technology Report” po të vitit 2012 indeksi i tendencës së përdorimit të teknologjisë së informacionit ka renditur Shqipërinë të 68-tën nga 142 vende në studim. Kjo rritje e përdoruesve të internetit gjithmonë e më shumë ka sjellë dhe ndryshimin e kursit politik. Me sa duket beteja e re politike do të zhvillohet në ekranet e kompjuterit apo celularit. Edhe pse kryeministri, Sali Berisha i cili ka postime pothuajse të përnatshme në rrjetin social facebook shprehet se “ fb e kam për komunikim, televizionin për politik” kjo deklaratë nuk duket se i lë mediat tradicionale në qetësi. Një farë shqetësimi ndihet! Kur e ardhmja po shkon drejt “mobile” si thotë dhe Lutfi Dervishi. Kur politikanët më shumë sesa për të humbur kanë për të fituar sloganit “Koha për ndryshim” në kontekstin e përdorimit të rrjeteve sociale kthehet në “Koha ka ndryshuar”! Në betejën për sa më shumë ndjekës dhe pëlqyes ai që po merr një status të veçantë është “brezi i ri”. Lutfi Dervishi e analizon prirjen drejt brezit të ri si një fuqi e madhe votuese. “Të rinjtë nuk ka ngenë më të marrë informacionin, lajmet, pikëpamjet në orarin që u dikton media tradicionale, pra nuk ka më pse të zgjohet në mëngjes për të marrë gazetën, apo të presë orën 19:30 apo 20:00 për të parë lajmet në TV. Lajmi është on line. Përmes facebook apo you tube, secili mund të shohë atë që dëshiron kur të dojë ai/ajo dhe kur vendos redaktori apo kryeredaktori. Liderët politikë, partitë politike do të ndeshen gjithnjë e më ashpër në platformat e reja- dhe do të fitojë ai që do të mbledhë më shumë “kallaballëk”- sqaron Dervishi.

Komunikimi politik në rrjetet sociale përveç se është më i gjerë dhe përdorimi i tyre ka komoditet janë disa komplekse që ky komunikim politik duhet të kapërcej. Vihet re se në faqet politike në internet, në ndjekjen në tëitter apo facebook kemi krijimi e një imazhi të favorshëm duke përcjell vetëm mesazhet mbështetëse, duke matur pa pushim numrin e pëlqyerve apo ndjekësve. Administratorët e këtyre faqeve punojnë për të zhdukur kritikat. Duke fshirë atë që nuk u duket e volitshme informacioni bëhet i deformuar. Komunikimi virtual vërtet të ofron lehtësinë pë te dominuar më lehtë dhe u shpëton disa shtrëngimeve imponuese të gazetarisë tradicionale. Shtyrja drejt botës virtual duket se ka bërë një kthesë në komunikimin politik. Për të bërë ndryshime thuhet se është shumë e rëndësishme mjedisi ku shkon më shumë për shtat. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në zgjedhjet e fundit mediat në internet dhe rrjetet sociale luajtën një rol thelbësor. Pse mos e aplikojnë dhe politikanët tanë kur fushata zgjedhore po afron? A nuk e kanë ata mjedisin për të ushtruar këtë formë të re komunikimi? Kjo risi komunikimi mund të shihet si diçka shtesë dhe pozitive, por pa i zëvendësuar mediat tradicionale.

Marre nga http://www.gazetareporteri.com

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend