Radio Televizioni Shqiptar: as i mirë, as i bukur, as i vërtetë!

2 Dhjetor , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Pse qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë çdo muaj një institucion, virtyti i të cilit nuk ka qenë asnjëherë shërbimi i interesit publik, porse i pushtetit të radhës?

Duket se Radio Televizioni Shqiptar vazhdon t’i ketë punët mirë. Me shtetin shqiptar të paktën. Ose, më saktë: me pushtetin e radhës. Sepse në familjet e këtij vendi zor se gjen ndonjë pensionist militant ose nostalgjik që kërkon të informohet apo zbavitet prej tij. E vetmja gjë që e lidh aktualisht familjen shqiptare me këtë institucion, dikur shtetëror e sot eufemikisht shqiptar, është taksa prej 12 mijë lekësh, që ajo detyrohet me ligj t’ia paguajë për një shërbim të cilin ajo e shpërfill. Fakti që askush nga 700 mijë familjet shqiptare nuk ankohen e nuk protestojnë të bën ta mendosh këtë taksë gati-gati si një lloj pagese që i jepet dikujt për t’ia mbyllur gojën, një taksë në këmbim të heshtjes. Por RTSH nuk hesht. Vazhdon ta ndotë eterin me propagandën e tij vulgare.

E çliruar nga konkurrenca e tregut ku dhjetëra stacione private luftojnë agresivisht për të kapur audiencat, RTSH vazhdon të majmet e të ushqejë parazitizmin e tij në kurriz të shtetit. Gjë që përbën edhe thelbin e krizës së legjitimitetit të këtij institucioni mamuth: pse duhet ta paguajmë për t’i mundësuar atij një liri, të cilën më pas ai nuk e përdor? Pse qytetarët shqiptarë duhet të paguajnë çdo muaj një institucion, virtyti i të cilit nuk ka qenë asnjëherë shërbimi i interesit publik, porse i pushtetit të radhës? Një taksë mund të legjitimohet kur ajo mundëson pavarësi shërbimi dhe, specifikisht, në rastin e televizionit, orienton drejt normave morale, konjitive dhe estetike. Me fjalë të tjera, kur ofron një shërbim të mirë, të bukur dhe të vërtetë.

Si paraqitet morali i RTSH-së. Duke futur tek morali disa raste tek tuk korruptive në historinë e këtij institucioni, manipulimin dhe propagandën e trashë e aspak fine, përftohet një imazh aspak moral. Publiciteti, i cili qëndron në kundërshti të plotë logjike me idenë e financimit publik nxjerr në pah një moral të diskredituar i cili udhëhiqet nga makutëria për fitime nga të gjitha krahët, publike e private.

Po e bukura? Niveli kulturor dhe estetik i emisioneve të RTSH-së? Nëse zhvlerësimi i gjithçkaje dhe i gjithkujt është vulgarizim dhe nëse vulgariteti lind, kur gjërave u hiqet vlera e tyre zanafillore, atëherë RTSH-ja na ofron vendin ideal ku vulgariteti lind dhe ushqehet nga vetë shteti. Natyrisht edhe nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Vulgar është një emision lajmesh, ku problemet zhvishen nga thelbi i tyre dhe personalizohen. Kur një problem ekonomik, financiar, kulturor zhvishet nga specifikja e tij dhe personalizohet. Çdo fitore ka një emër: Sali Berisha. Çdo dështim ka një emër: Edi Rama. Kjo është vulgare. Vetë fakti se emisionet kulturore shmangen në periferi të programacionit tregon për rëndësinë që ky institucion i atribuon kulturës dhe pasqyron imazhin e tij për shoqërinë si një sistem, në qendër të të cilit qëndron politika. E personalizuar në dy a tre emra. Vulgare është edhe krijimi dhe përkujdesja e një armate të tërë figurash të njohura, figurash pra, merita e vetme e të cilave është prezenca e tyre televizive.

Po e vërteta? Me këtë armatë prominentësh lidhet edhe problemi i raportit të institucionit me të vërtetën, për aq kohë sa kjo armatë popullohet kryesisht nga figura politike. Për aq kohë sa të gjitha problemet e shoqërisë kondensohen në lëvdata apo mallkime personash të caktuara, raporti i televizionit publik shqiptar me të vërtetën mbetet tejet i dyshimtë.

 

Natyrisht nuk mund të mos shtrojmë pyetjen nëse një institucion si RTSH, mund të jetë një aktor i pavarur në publik apo thjesht një medium, në të cilin pasqyrohen tendencat e shoqërisë sonë. A mund të jetë një program televiziv më i mirë se ambienti social përreth? Nëse përgjigja është negative, atëherë po pyes përsëri, pse duhet ta financojmë televizionin publik? Për një pasqyrim të shtrembëruar e karikaturues të vetvetes dhe shoqërisë a nuk na mjaftojnë ofertat e shumta nga industria e zbavitjes që vijnë përmes tregut mediatik privat?

Megjithatë mendoj se RTSH nuk është kurrsesi një pasqyrë e shoqërisë shqiptare. Nuk besoj se ndonjëri prej nesh, me përjashtim të atij pensionistit militant apo nostalgjik t’i besojë dokrrat vulgare që lëshon në eter çdo ditë ky institucion. RTSH-ja është pasqyrim i faktit se si një media servile e pushtetit të radhës e ndërton aktin komunikativ me publikun mbi prezumimin e budallallëkut, mbi atë premisën (e vetëdijshme apo të pavetëdijshme) se i adresuari është budalla, mbi premisën (para)gjykuese, pra, se audienca vegjeton në një nivel budallallëku më të madh se adresuesi. Prezumimi i budallallëkut ngjason me prezumimin e pafajësisë, e cila vlen deri në paraqitjen e provës së kundërt. Por ndërkohë që prezumimi i pafajësisë përmbush një funksion shoqëror, sepse mbron të dyshuarin nga klima e mosbesimit, prezumimi i budallallëkut i jep hov këtij mosbesimi të përgjithshëm ndaj nivelit të publikut, duke funksionuar si kontroll i ndërsjellë social, i cili bën që gjithkush të mbetet brenda potencialit të vet individual, pra të mos e kapërcejë mediokritetin e masës.

Për këtë arsye Radio Televizioni Shtetëror duhet të mbyllet urgjentisht, pasi me shërbimin e tij as të mirë, as të bukur e as të vërtetë, përveçse zhvat financiarisht familjet shqiptare, ai fyen edhe inteligjencën  e tyre. Duke i shërbyer një pushteti amoral, të shëmtuar e rrenacak.

Botuar në gazetën Mapo, datë 01.12.2012

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:

Send this to a friend