Pse “të mëdhenjtë” kanë në dorë suksesin e një debati televiziv

5 Tetor , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Të merresh me çështje konkrete në TV nuk është e lehtë, pasi do duhet të dërgosh gazetarët e kamerat në terren, do duhet t’u thuash atyre të investigojnë, e të përgatitin raporte filmike mbi këto investigime, do duhet të lidhesh me ta live nga terreni etj.

Në numrin e fundit të së përjavshmes “Java”, Ilva Tare ngrinte zërin kundër “televizionit me listë” në rubrikën e vet “Media Ring” të kësaj të përjavshmeje. Çfarë kupton Tare me “televizionin me listë”? Kupton dukurinë e bojkotimit të një ekrani a të një programi nga ana e disa politikanëve të rëndësishëm, të cilët – këtë lë të kuptohet moderatorja e programit të njohur në “Ora News” – marrin urdhër për të mos shkuar në programe të caktuara, apo për të mos shkelur në televizione të caktuara. E anasjelltas, për të shkuar në televizione e programe të tjera, ku “bëjnë qokën e radhës”.

Kush e ndjek programin e Ilva Tares, nuk heq shumë për të marrë vesh se me kë e me cilët e ka konkretisht. Në studion e programit “Ilva Tare Tonight” nuk para duken ministra, funksionarë të lartë apo eksponentë të rëndësishëm të kësaj mazhorance. Atje shkon herë pas here Mark Marku, Enkelejd Alibeaj, dhe …. asnjë tjetër. Berisha nuk ka shkuar asnjëherë, dhe më të informuarit thonë se refuzimi i tij ka lidhje me një emision të “Al Jazeera”-s lidhur me Gërdecin, ku Tare ka qenë bashkautore. E gjasat janë që nuk ia fusin kot. Berisha nuk do t’ia falte askujt një reportazh a dossier mbi çështjen e Gërdecit, ku është i përfshirë kokë e këmbë i biri, për një televizion kaq të famshëm. Po të tjerët ç’dreqin kanë që refuzojnë ftesat e Tares? Nuk besohet që Berisha t’i ketë urdhëruar të mos shkojnë, por janë vetë ata që përpiqen të fitojnë simpatinë e boss-it të tyre duke dëshmuar se dinë të lexojnë simpatitë e antipatitë e tij. Ata do mund ta fitonin këtë simpati edhe duke bërë gjeste të tjera më domethënëse, ata do mund ta fitonin këtë simpati edhe duke bërë fajkoin në studion e Ilva Tares (Berisha s’do ish kundër), por ata janë të sigurt se shtrirja e luajalitetit ndaj Leader-it Maximo deri në nivelin e njëjtësimit të shijeve e të preferencave televizive ka efekt më të mirë.

Të njëjtën ‘vuajtje’ ka dhe Sokol Balla. Madje, Balla është i bojkotuari i madh i viteve të fundit. Nuk mbahet mend sa kohë është bërë që Berisha nuk është vënë përballë Ballës. E me sa duket, inatin e ka aq të fortë sa si zor të mendohet se do të vijë një ditë që të ndodhë një vizitë e tillë televizive. Dikush mund të thotë “punë e madhe!”, por problemi është se janë dhe demokratët e tjerë që bëjnë të njëjtën gjë. E kështu, Balla është detyruar që ta balancojë bisedën e vet politike me praninë e shpeshtë të publicistëve që anojnë djathtas, si Artan Hoxha, Fahri Balliu, e ndonjë tjetër, apo me praninë e ca skifterëve të mazhorancës që praninë “pa leje” aty e përligjin me militantizmin e me sherret që provokojnë.

Balla është penalizuar në këtë histori për shkak të qëndrimeve të veta publike (Balla bën pjesë te gazetarët që mban qëndrime të qarta sa herë që shkruan), por mbi të gjitha për shkak të televizionit, me të cilin Berisha ka një armiqësi të përjetshme. Në “Top Channel” është bukur të punosh, e të drejtosh programe, por me kusht që këto programe të mos jenë politike e të mos jenë të tipit “talk show”.

Kjo histori ndodh vetëm me Berishën? Jo. Rama bëri të njëjtën gjë me “TV Klanin”, dhe me “Opinionin”, nja dy a tre vjet dhe Fevziu ankohej ato kohë. Por e vërteta është se numëroheshin me gishta ata që i mbajtën iso këtij bojkoti të kryetarit. Madje, në kohët e bojkotit të madh të Ramës, te Fevziu shfaqej herë pas here e pa asnjë problem Erion Veliaj, që shihej, e shihet, si njeriu më i afërt i Ramës. Në këtë kuptim, duhet thënë se nuk ka një simetri mes mazhorancës e opozitës në këtë mes. Po, simetria është mes Ramës e Berishës në vendimin që ata kanë marrë për të bojkotuar një emision, apo një televizion të caktuar, por jo mes forcës që ata bartin për ta imponuar këtë ‘shije’ të tyre te partitë që ata përfaqësojnë. Rama nuk e ka këtë fuqi.

Po ç’duhet të bëjnë moderatorët për ta shmangur këtë handicap? Ca e ca e kanë gjetur zgjidhjen. Peza, Babaramo e Peka kanë bërë çmos të evitojnë fërkimet me “të mëdhenjtë”, e kanë ditur të jenë të balancuar në atë masë, sa të mos e vuajnë këtë histori. Rudina Xhunga, ca nga halli e ca nga qejfi, ka gjetur një fokus tjetër në programin e vet; ajo i ka dhënë një përmasë pankombëtare e kulturore ‘Shqipit’ të saj. Arjan Çani ka qenë i favorizuar nga natyra neutrale e programit të tij “të shthurur”.

Siç shihet, neutraliteti është një zgjidhje, por puna është se neutraliteti ta bën programin steril. Në rastin tonë, të jesh neutral don të thotë të mos flasësh për korrupsionin në mënyrë konkrete, të mos përmendësh Gërdecin, të mos përmendësh 21 janarin, të mos përmendësh video-përgjimin Meta-Prifti, të mos përmendësh dështimet e Ramës si udhëheqës i opozitës etj., etj. Mirëpo, ky lloj neutraliteti nuk ka lidhje me gazetarinë e vërtetë, e për pasojë priret ta banalizojë e ta mbajë të fokusuar në çështje krejt periferike debatin politik, e për pasojë akoma, pritet të lërë pas dore trajtimin gazetaresk të shqetësimeve reale të vendit e të shoqërisë.

Zgjidhja është gjetkë, sipas meje. Duhen ndërtuar programe talk show, suksesi i të cilëve të mos varet nga statura institucionale e të ftuarve. Duhen ndërtuar programe që fokusohen te çështjet konkrete e të rëndësishme. E di që nuk është e lehtë, pasi programe të tilla nuk mund të bëhen më shumë se një herë në javë, e aq më pak – siç ndodh te ne – ditë për ditë. Të merresh me çështje konkrete në TV nuk është e lehtë, pasi do duhet të dërgosh gazetarët e kamerat në terren, do duhet t’u thuash atyre të investigojnë, e të përgatitin raporte filmike mbi këto investigime, do duhet të lidhesh me ta live nga terreni etj. Një vështirësi ekstra ka të bëjë me faktin, që padronët e televizioneve duan debate të përnatshme në stilin e njohur. Pse? Sepse debate të tilla nuk kanë kosto, dhe sepse me debate të tilla nuk krijojnë armiq në politikë.

Po e mbyll me një ilustrim, dhe kështu ideja del e qartë. Në RAI ka punuar për shumë kohë një gazetar me emrin Michele Santoro, i cili, në programet e veta të tipit talk show, ka bërë prore një gazetari tepër kritike, shpesh dhe partizane. Si ia bënte me të ftuarit? Nuk e kish problem. Së pari, ngaqë suksesin e programit nuk e bazonte te pesha politike e institucionale e të ftuarve, por te cilësia e debatit, dhe te çështjet që trajtonte; së dyti, programi ish aq i ndjekur, sa Berlusconi, i kritikuari dhe i denoncuari i përhershëm në këtë program, ish i interesuar të dërgonte atje më të mirët e vet. Vetë Berlusconi nuk shkonte në programin e Santoro-s, por këtë e bënte ngaqë kish frikë, e jo ngaqë nuk donte. Madje, ai ka ndërhyrë disa herë nëpërmjet telefonit në këtë program.

Leksioni? Leksioni është se duhet të jenë politikanët të interesuar të shkojnë në një studio, dhe jo e kundërta. Po nëse nuk duan të shkojnë? Kurrë mos daçin! Askush nuk humbet nga mungesa e tyre në një studio televizive; por të kuptohemi: me kusht që në këtë studio të flitet për shqetësimet reale të vendit. Në të kundërt, nëse në studiot televizive flitet mbi “e lagu, s’e lagu”, s’do mend që do të jenë gazetarët-moderatorë ata që do dalin të humbur nëse ata i thonë ‘jo’ ftesës së bërë.

Botuar në Respublica.al, 2 tetor

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend