Platformat dixhitale si një legalizim i paligjshëm

23 Janar , 2012 • Media dhe Politika • by

Legalizimi i të paligjshmes është një sëmundje që vjen e rëndohet pa u ndalur dhe po ia mbërrin të shndërrohet në kulturë sunduese për shqiptarët. Akoma më e frikshme ajo bëhet kur justifikohet dhe tentohet që të integrohet në mënyrë skandaloze në ligjet që rreken të përqasen me Bashkimin Europian. Nuk po flasim më për të privatizuar në mënyrë të padrejtë tokën e tjetrit, por për resurset jashtëzakonisht të kufizuara të një prone publike siç janë frekuencat dixhitale.

Ç’po ndodh në të vërtetë me këtë pronë të rëndësishme publike? Jam i bindur se pakkush nga publiku i gjerë është në gjendje të kuptojë këtë proces, i cili në themel të tij ka zhvillimin e teknologjive të reja, aksesin ndaj saj dhe sigurisht kosto sa më të ulët për to. Por ajo që me siguri dihet janë çmimet e kripura që një shqiptar sot paguan rëndom për të pasur këto shërbime në shtëpinë e tij. Le të bëjmë më të kuptueshme për publikun e gjerë një nga proceset më jo transparente që pritet të zhvillohet së shpejti. Në vitin 2007 është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë me ligjin 9851, datë 26.12.2007, marrëveshja e cila e bën Shqipërinë pjesë të procesit global në kalimin e transmetimeve analoge në ato numerike. Detyrim edhe për proceset integruese, pasi vendet anëtare të BE-së e mbyllin këtë proces deri në vitin 2012.

Me ratifikimin e kësaj marrëveshjeve, Shqipëria duhet të kishte kaluar nga transmetimet analoge në ato numerike, në përfundim të vitit 2012, afat ky i shtyrë deri në qershor të vitit 2015. Gjatë kësaj periudhe u duhej dhënë mundësia të gjithë operatorëve televizivë që ato të investonin në këtë teknologji të re për të qenë gati për një proces të hapur, konkurrues dhe jodiskriminues në ofrimin e këtij shërbimi publikut.

Por çfarë ndodhi në të vërtetë? Operatorë të caktuar me presione, si dhe duke përfituar nga lidhjet politike, filluan dhe zhvilluan një biznes tërësisht të jashtëligjshëm duke monopolizuar frekuencat e miratuara për transmetime dixhitale. Ky veprim iu shit publikut si zhvillim teknologjik, por që, ndërkohë, nën “mustaqet” e institucioneve përgjegjëse rrisnin përditë fitimet e tyre kolosale, madje për një periudhë të gjatë kohe dhe pa paguar detyrimet ndaj shtetit. Puna arriti deri aty sa këto kompani me ndihmën e politikës arritën të “zbythnin” dhe shtetin kur më në fund vendosi të ushtronte kompetencat që i ka ngarkuar ligji. Këto biznese u rritën ditë pas dite, në një treg që ishte i tyri, në një treg që u grabit nga ato, në një treg ku rregullat bëheshin nga ato vetë. Por qershia mbi tortë, (mbi një tortë të prishur) vjen sot me “strategjinë e kalimit të transmetimeve numerike”, e cila thuhet se është përgatitur në mënyrë “transparente” në bashkëpunim me OSBE, e cila është në shkelje të hapur dhe skandaloze jo vetëm të ligjit nr 9742, datë 28.05.2007 “Për transmetimet numerike në Republikën e Shqipërisë” por edhe të Komunikatës së Komisionit Europian të vitit 2005. Në ligjin nr. 9742 thuhet shprehimisht se “aplikuesit për licencë rrjeti, të pajisur ose jo me licencë për transmetimin analog tokësor apo satelitor, që dëshirojnë të ndërtojnë në rrjet numerik, duhet të marrin pjesë në procesin e konkurrimit, të shpallur nga KKRT-ja, detajet e të cilit përcaktohen nga KKRT-ja, në përputhje me një rregullore, që miratohet paraprakisht për këtë qëllim”

Në strategjinë e re pranohet ky ligj, por kërkohet që të hiqet fjala “konkurrim” dhe e drejta e çdo subjekti tjetër, i cili deri më tani nuk ka shkelur ligjin, por ka pritur të hyjë ndershmërisht në këtë garë të garantuar prej tij, të mos ta ketë më këtë të drejtë, pasi kjo tashmë quhet “tokë e xanun” dhe u duhet dhënë në mënyrë të drejtpërdrejtë shkelësve të ligjit. Në rast se Shqipëria do të ketë dobësinë t’i nënshtrohet mendësisë se e zaptuara është pronë që legjitimohet, se plaçkitja është një mënyrë legale sesi bëhet biznes, se media nuk është për qytetarët dhe se frekuencat nuk janë të tyre atëherë këto 20 vite përpjekje për të ndërtuar një vend demokratik, me institucione dhe me të drejta të garantuara dhe të barabarta për të gjithë janë veçse një histori trishtuese dhe rikthim në barbari. Ky do të ishte ripërjetim i një forme tjetër totalitarizmi që e nxit njeriun të zaptojë, të bëjë vetë rregulla dhe më pas të përdorë përfaqësuesit e popullit, parlamentin, t’i legalizojë zaptimet dhe rregullat duke e bërë atë shërbëtor të vetin. Besojmë se kjo strategji e neveritshme do të mbesë thjesht një strategji në tentativë dhe nuk do t’ia mbërrijë të kthehet në fakt ligjor ose më mirë në fakt antiligjor.

Botuar në gazetën “ Shekulli” 12.01.2012. Titulli në origjinal “Platformat dixhitale, OSBE dhe një legalizim i paligjshëm”

*Autori është zv.drejtor i televizionit AS

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend