Një përkthim i keq të merr në qafë

5 Shtator , 2013 • Media dhe Politika • by

Medias prej shumë dekadash i thërrasin edhe “pushteti i katërt”. Kështu e kanë mësuar breza gazetarësh, opinioni publik, në shkollë të mesme dhe kudo.

Me një fjalë sikur dikush, një klasik, paska thënë kështu, dhe kaq u desh për t’i numuruar pushtetet : Pushteti i parë legjislativ, pushteti i dytë ekzekutiv, pushteti i tretë gjyqësor, na tani edhe një të katërt sikur mos të mjaftonin tre të parët, pushtet i mishëruar në trupin e mediave.

Media si ”pushtet i katërt”.

Media që duhej të ishte kritiku i pushteteve, na qenka vetë pushtet. Po pushtet mbi kë? Mbi qytetarin se mbi peshqit nuk mund të jetë. Po a është media shërbyes i qytetarit apo ka pushtet mbi qytetarin? Nuk merret vesh ky lloj pushtetari – shërbyes dhe shërbyesi – pushtetar! Dhe më tej, nëse media është pushtet, duhet të kemi një medie tjetër që të na mbrojë nga pushteti i medias!

Ngatërresë e paparë!

Duke ndjekur origjinën e këtij ngatërrimi që ka zënë shtresa shkëmbore si vullkan i shuar mbi flakë, shoh se ku “fle lepuri”.

Edmund Burke, irlandezi që studioi në mënyrë kritike revolucionin e shekullit të 18, qysh atëhere paska thënë se “Gazetat (printi) ishin pushtet i katërt.”

Në frëngjisht “quatrième état”.

Me kalimin e kohës edhe në anglisht “fourth estate” dhe në frëngjisht “troisième état”, fjala “état” u morr sikur përkthehej si “shtet”, por në fakt shtet është me “e” të madhe : “Etat”.

Por, nuk është thjeshtë këtu puna. Les “états” në kohën e Monarkisë franceze para Revolucionit ishin pjesëmarrësit në asambletë rajonale që përfaqësonin tre shtresa (aktorët) kryesorë të shoqërisë së kohës, pra janë tre “shtresa”, tre “gjendje sociale”, në këtë kuptim të fjalës “état”. Këtë e konkretizon edhe më mirë fjala e përdorur në anglisht në formën “estate”, që nuk ka të bëjë fare me shtetin.

Shtresa e parë : Kleri

Shtresa e dytë : Fisnikët

Shtresa e tretë : Borgjezët e qyteteve.

Këto asamble në atë kohë ngrinin taksat.

Pra, sipas Burkes dhe në përdorimin autentik të fjalës gazetat (printi) ishin “quatrième état”, pra një shtresë (aktor social) i katërt, pra shumë i rëndësishëm.

Por, përkthimi i keq të merr në qafë. Dikush në Lindje e përktheu “shtet”, pastaj e përmirësoi në “pushtet” dhe ja na del media pushtet i katërt, pra na bëhet me pushtet.

Ndërkohë që është një aktor i katërt përballë atyre që kanë fuqi e pushtet.

Botuar në gazetën Standard, date  27 gusht,2013

Print Friendly

Send this to friend