Mision i pamundur apo standard zhvillimi?

17 Korrik , 2013 • Media dhe Politika • by

Diskutimi publik për median publike në Shqipëri ka karakter manipulativ. Lufta politike dhe interesat klanore kanë prodhuar një sërë arsyetimesh problematike dhe opsione absurde, si ato që shkojnë deri te mbyllja apo privatizimi i medias publike.

Fillesat e ekzistencës së tregut televiziv shqiptar datohen plot 74 vjet më parë, në ndërtesën e vjetër të bashkisë së Tiranës, në një ceremoni, ku lindjen e fëmijës RTSH – sot 74-vjeçar, kishin ardhur ta kremtonin Mbreti  Zog, qeverisjes së të cilit i takon merita e nismës dhe Mbretëresha Geraldinë, njëkohësisht “folësja”e parë e Radio Tiranës , biografisë së të cilës i takon edhe respekti maksimal për institucionin që po lindte, i konkretizuar në jo pak mundim, ushtrim e përpjekje për të mësuar e artikuluar qartë dhe bukur gjuhën shqipe, që shqiptarët do të dëgjonin përmes mikrofonit. 

Ekzistenca e nisur fillimisht me zërat dhe kontributet e shquara muzikore të Jorgji Trujës dhe Marie Krajës dhe “Mirëdita, kjo është Radio Tirana” të Kaliopi Nushit do të konsolidohej dikur në një prani radifonike 24-orëshe prej tri kanalesh dhe mbi 20 gjuhësh. Prej vitit 1959 oferta e shtuar edhe në figurë – fillimisht si Qendër Eksperimentale Televizive dhe nga viti 1960 në formën e një kanali televiziv të mirëfilltë, e shndërroi RTSH në një pjesëtar të rëndësishëm të shoqërisë shqiptare, i cili për 52 vjet rresht kaloi nëpër të njëjtat sfida dhe provokime, provoi të njëjtat privime dhe aspirata, tronditje dhe liri sa dhe mendja, personaliteti dhe shpirti i mbarë një populli – me vetëm një dallim: fatin e dëshmitarit, të destinuar të dokumentojë tragjedinë e shoqërisë dhe paradoksin e vetvetes.

Po si u soll shoqëria me këtë dëshmitar bashkëvuajtës?

Fillimisht s’e kuptoi, pastaj e adhuroi, shumë shpejt u mësua ta përdorë , po si të mos mjaftonte kjo, dikur zuri ta zhvasë, më tej ta shesë e ta copëtojë derisa i erdhi radha, që dikur gjithsesi pa harruar ta përdorë, ta denigrojë, ta mohojë dhe jo së fundi të dojë ta asgjësojë. Kjo është klima, në të cilën lindi, me këtë frymë u mëkua dhe zhvillua tregu televiziv shqiptar, ndërgjegja jonë audio-vizuale si edhe personalitetet e gazetarëve e krijuesve tanë të tjerë të ekranit në vitet e pseuodo-konkurrencës televizive.

Po sot?

Diskutimi publik për median publike në Shqipëri ka karakter manipulativ. Lufta politike dhe interesat klanore kanë prodhuar një sërë arsyetimesh problematike dhe opcione absurde, si ato që shkojnë deri te mbyllja apo privatizimi i medias publike. Niveli i debatit dëshmon mungesë ndërgjegjësimi për rëndësinë e medias publike për demokracinë e zhvillimin si edhe papërgjegjshmëri ndaj perspektivës së saj, ndërkohë që standardet evropiane e konsiderojnë atë si pasaportë zhvillimi.

Serioziteti sporadik degradon shpesh në utilitarizëm, mungesë njohurish, mllef, meskinitet, pasaktësi shkencore. Në fakt jo për faj të politikës – për faj të profesionistëve dhe sipërmarrësve të medias.

Se diskutimit i mungon analiza e thellë e tregut dhe sistemit mediatik shqiptar, ku media publike dhe problemet e saj përbëjnë vetëm një pjesë të tij, ndonëse tepër karakteristike. Adresimi jo thjesht i drejtë, por shkencor i problemeve do të kishte dashur, që fenomeni të vrojtohej në rang areali, nisur nga fakti që media – dhe sidomos ajo publike – është tregues i standardeve të të gjithë shoqërisë dhe reflekton pashmangshëm problemet e thella të tregut të parregulluar mediatik shqiptar.

Si studjuese dhe praktikuese e medias, nuk kam të drejtë të jem as naive dhe as konformiste. Si administratore e kam për detyrë të adresoj disa probleme të tregut dhe shoqërisë sonë mediatike:

  1. Ne ende nuk jemi ndërgjegjësuar për rëndësinë e verifikimit të burimeve të pasurimit dhe bilanceve të bizneseve, që kërkojnë licensa mediatike. Diskutimi, që duket sikur s‘ka të bëjë me median, por me marrëdhëniet ekonomike, fiksale apo ato të biznesit, është në fakt bazik: se nëse një biznes që i vë paratë duke fshehur të ardhurat, duke mashtruar me çmimet, duke futur mallra kontrabandë ose duke larë para, sigurisht është i rrezikshëm kur kryen aktivitetin e tij, por është dhjetë herë më i rrezikshëm, kur licensën mediatike e përdor si armë për të mbrojtur biznesin, si kërcënim për kapur politikën, shtetin ligjor dhe individët, që tentojnë të shmangin standardet e tij. Licensa mediatike e parave të pahetuara e shndërron krimin në model, opinionin në biznes, simpatinë në mall, bilancet në farsë dhe prish tregun me superpaga dhe superinvestime në teknologji apo në imazh me paranë që e derdhet lumë pa vrarë mendjen as për rentabilitet as për ekuilibrim të shpenzimit me fitimin, as për parime dhe aq më pak për interes shoqëror.
  2. Ne heshtim për mënyrën arbirare të ndarjes së reklamës dhe mungesën e matjes elektronike të audiencës, e cila ka kohë që thuhet se do të fillojë, po ende vazhdon të eksperimentohet shqiptarisht.  Ende vazhdohet me matje empirike, rastësore, gjeografikisht të pashpërndara apo manipulative të audiencës, ndërkohë që edhe fëmijët e dinë se tregu nuk mund të rregullohet ndryshe. Ne nuk e dimë, se sa shihet X apo Y televizion kur sondazhet i shtrijmë deri sa nuk na prishet rehati dhe audiencën e masim ashtu siç nuk na rëndohet qesja.
  3. Pak ose aspak adresohet nga specialistët e medias mizerja e kontratave të punës, punësimi ilegal, shkelja e të drejtave të njeriut, diksriminimi gjinor në tregun mediatik, mungesa e librave të rregulluar të pagave, mungesa e piramidës profesionale mediatike dhe për pasojë arbitrariteti i tejskajshëm në përshkrimin profesioneve të medias.
  4. Specialistët e medias as që e tematizojnë mënyrën e llogaritjes së kostos së sekondës së publicitetit dhe as marrin përsipër ta verifikojnë atë në mediat që vënë në dispozicion tarifat përkatëse. Asnjë prej mediave shqiptare – të paktën jo në mënyrë të hetueshme – s‘ka ngritur komision të posaçëm për llogaritjen e kësaj kostoje, duke përfshirë brenda të gjitha shpenzimet, që do të duhej të bënte filluar nga burimet njerëzore, shpenzimet e produksionit, të drejtat e transmetimit, të drejtat e autorit, amortizimin teknologjik e kështu me radhë.
  5. Pak ose aspak aktorët dhe rregullatorët e tregut janë ulur të diskutojnë, se cilat janë burimet e hyrjes së teknologjisë në vend, sa përqind e saj është e vjedhur, sa është e autorizuar dhe e licensuar, ku ajo është “kapur” a monopolizuar dhe si duhet organizuar puna, që tregu të rregullohet dhe ligjet e konkurrencës të mos shkelen. Pak vëmendje dhe seriozitet tërheqin dhe të drejtat e transmetimit, vjedhja, piratimi i produktesh dhe ideve apo fallsifikimi i kontributeve.
  6. Krejtësisht jashtë vëmendjes është nëpërkëmbja mediatike e të drejtave të autorit dhe puna e tejzgjatur e punonjësve të skllavëruar të medias shqiptare, që nuk kanë orar dhe vuajnë nga një mori sëmundjesh profesionale. Nëse  inspektoriati i punës, fisku, mbrojtja kundër zjarrit apo shoqatat e gazetarëve do të guxonin të kontrollonin ndonjë media, s’do të shpëtonin pa u konsideruar si shkelës së të drejtës për liri informimi.
  7. Edhe përdorimi i vendeve dhe aseteve publike për shpërndarjen e sinjalit merr po kaq pak vëmendje dhe angazhim publik, të përkthyer në mungesë tarifash të miratuara dhe mungesë interesi për ndryshimin e situatës. Ndërkohë që etika e munguar e komunikimit në media, prania e dhunës, seksit, banaliteteve dhe modelet antiedukative, që ajo ofron shqetësojnë pakkënd.

Të gjitha problemet e mësipërme, ndonëse është pjesë krejtësisht karakteristike e tregut mediatik, media publike nuk i ka. Sigurisht ka 100 të tjera, të cilat natyrisht varen nga vullnetet politike, qytetaria, standardet profesionale dhe manaxheriale, por e kanë burimin ndër të tjera edhe :

– te pamundësia e standardit dhe startit të njësuar për të gjithë,

– te mungesa e hierarkisë së vlerave morale, shoqërore e profesionale, që vlejnë për të gjithë,

– te mungesa e parametrave financiarë dhe ligjorë, që të vlejnë për të gjithë,

– te mekanizmat e kontrollimit dhe monitorimit, që të vlejnë njësoj për të gjithë

– te vleresimi i perspektivës njësoj për të gjithë.

Në një treg dhe komunitet mediatik të rregulluar në mënyrë të tillë, edhe problemet e medias publike do të ishin shumë më të lehta për t’u adresuar dhe akoma më të lehta për t’u zgjidhur. Në një komunitet mediatik të rregulluar kështu, do të ishin transparente dhe motivet e adresimit. Në një treg mediatik të tillë konkurrentët jo vetëm që s’do të kishin kohë të merreshin me njëri-tjetrin, se do t’u duhej shumë punë për të qenë rentabël dhe shumë aftësi për të mbijetuar, por do ta kishin edhe të ndaluar, se do t’i pengonte ligji i konkurrencës.

Kështu si deri tani, mund dhe do të vazhdojmë të flasim gjatë, mund të vazhdojmë ta përdorim TV publik si „AS“ në mëngë për t’iu kundërvënë njëri-tjetrit sa herë ta dojë nevoja, se askush nuk do interesohet as për motivet dhe as për zgjidhjet, sipas modelit: „ njëra palë e ka e s‘e lëshon, po palës tjetër i duhet, se e konteston“.

Shoqëria shqiptare duhet të pyesë fillimisht veten: nëse i duhet dhe nëse e do një TV publik të fortë – se TV publik i fortë do të thotë: të mos e kesh, po të mos e kesh as kundra, do të thotë të përftosh një pasqyrë të së vërtetës për veten, kundërshtarët dhe mbështetësit – për brenda vendit dhe aq më tepër për jashtë tij, do të thotë të diagnostikosh për të shëruar, do të thotë që këto që sot u thanë këtu, nesër të thuhen më fort atje.

Një shoqëri e zhvilluar me standard të lartë demokracie ka nevojë për një media publike të zhvilluar. Jo më kot modelet e spikatura evropiane vijnë nga Britania e Madhe, Gjermania dhe vendet skandinave. Nga modelet e tyre të përparuara dhe sistemet e tyre të sprovuara të vlerave do orientuar e ardhmja, sado e vështirë të duket në aplikim dhe jo nga modelet hibride në afërsinë tonë nga jemi mësuar të shohim dhe imitojmë për lehtësi.

Vendimi për median publike është vendimi për ecurinë e demokracisë dhe zhvillimin e shoqërisë! Nëse shoqërisë i duhet dhe vërtet e do, atëhere e do edhe politika, edhe biznesi, edhe konkurrenca, edhe profesionistët e medias, sepse secili prej tyre do jetë i gatshëm të heqë dorë nga diçka që i dhemb sot në emër të diçkaje që do t‘i duhet mot.  



*  Në Arkivin e Radio Tiranës ruhet zëri i Mbretëreshës Geraldinë në përshëndetje të fillimit të transmetimeve.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend