Media e lirë dhe oligarkia politike

5 Gusht , 2015 • Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Nga Nebil Çika.

Një nga problemet e mëdha të këtyre zgjedhjeve, një shqetësim tani edhe ndërkombëtar, është kontrolli politik i medieve nga pushteti. Një video e publikuar ku kryetari i Bashkisë Elbasan i partisë në pushtet, Qazim Sejdini, shfaqej me zë e figurë duke shantazhuar gazetarët në mes të fushatës, tronditi opinionin normal publik, por, me sa duket jo zgjedhësit e Elbasanit, ngjalli reagimin e opozitës dhe ndërkombëtarëve.

Reagimi më i fortë erdhi nga vendi kampion i demokracisë dhe lirisë së medieve, SHBA. Ambasadori Lu reagoi publikisht dhe e vlerësoi rastin si mungesë e theksuar standardi demokratik, por vetëm kaq. Mazhoranca politike nga vinte shantazhuesi nuk reagoi dhe mediet nën kontrollin e saj u munduan ta justifikonin si “lajthitje” apo “dalje jashtë kontekstit”. KQZ-ja heshti, ndërkohë “thyente në mes” me gjoba mediet vizive që përmendnin ndonjë fjalë më shumë për njerin apo tjetrin kandidat e parti, dhe elektorati i çoroditur votoi Lalë Sejdinin më shumë se më parë, edhe pse shantazhi i tij në çdo vend me demokraci normale do të ishte konsideruar krim.

Këto zgjedhje e evidentuan përsëri, por në fakt kontrolli politik mbi medien është një histori e vjetër në Shqipëri aq sa askush nuk beson më se mund të ketë të lirë e të pavarur dhe në fakt është pothuaj e pamundur të qëndrosh i tillë. Në një korporatë politike mediatike çdo përpjekje a tendencë për të qenë politikisht jashtë kontrollit krijon probleme si me politikën dhe me mediet në kontroll të saj. Dje, p.sh., gazeta “Tema”, dikur nën kontrollin e Berishës, tani të Ramës, duke spekuluar politikisht me një lajm të “Standardit” na cilësonte ne si gazetë e shefit të opozitës Basha apo shumë afër tij, një gjë sa e pavërtetë aq edhe bajate, njëherazi edhe e pabesueshme për pjesën normale të lexuesit dhe publikut shqiptar.
Ndoshta jo krejt rastësisht e mbase edhe për të njëjtat motive, dy javë më parë gazeta zyrtare e PD-së, “RD”, akuzonte “Standard”-in se “ishte blerë me paratë e pista të pushtetit”, një situatë tragjikomike e autorëve të këtyre vlerësimeve ndaj nesh, por që dëshmon pamundësinë e politikës dhe shtypit të kontrolluar prej saj të pranojë qoftë edhe si ide mundësinë e medieve të lira e të pavarura.

Mendoj se liria dhe pavarësia politike e një medie është njësoj shqetësuese për të dyja palët sesa vartësi apo kontrolli nga kundërshtari i tyre politik. Me as duket, me lirinë tonë jemi bërë shqetësim, pasi po prishim rregullin, sistemin, ndryshe nuk kishte se si të na sulmonin në të njëjtën mënyrë brenda dy javësh dy gazeta zyrtarisht të krahëve të kundërt politikë, njëra e Bashës, tjetra e Ramës. Duket sikur janë një ndërmarrje. Por sigurisht nuk na shqetësojnë shpifjet e sulmet ndaj “Standardit”, por mbytja që në zanafillë e mendimit se dikush mund të përpiqet të dalë jashtë sistemit të mbyllur media- politikë, ku lejohet gjithçka, përveç lirisë dhe pavarësisë së shtypit.

Theksova në krye të radhës reagimin e fortë të ambasadorit amerikan Lu ndaj shantazhit ndaj medies, gjë që tregon se si reagon një vend, politikë e diplomaci në demokraci ndaj shtypjes së lirisë së shtypit. Kam idenë se Shkëlqesia e Tij Lu me kaq pak kohë në Shqipëri e ka pak të vështirë të kuptojë kapjen që oligarkia politike u ka bërë medieve dhe fjalës së lirë në këtë vend, prandaj revoltohet nga shantazhi i kandidatit të qeverisë. Në fakt, Sejdini nuk ka bërë gjë tjetër, veçse ka shtuar edhe një provë e argument në dispozicion të të huajve dhe skeptikëve për të kuptuar e pranuar gjendjen shumë të rëndë të lirisë së shtypit në këtë vend. Çdo ditë e më shumë mendja e shqiptarëve po mpihet nga kryqëzata politike-mediatike e shtypit të kapur, i cili toleron çdo shpifje e gënjeshtër të përgatitur në kuzhinat politike, por jo të vërtetat e thëna nga grimcat ende të lira të shtypit.

“Për të bërë armiq nuk ka nevojë të hapesh një luftë, mjafton të thuash të vërtetën”. Ky aforizëm kaq domethënës është sot diçitura më e saktë e karikaturës së lirisë së pretenduar të shtypit në Shqipëri. Por sulmet publike janë vetëm maja e ajsbergut. Ndërkohë, një politikë “terroriste” ekonomike zbatohet ndaj atyre medieve që përpiqen të qëndrojnë jashtë kontrollit nga orientimi politik i reklamave qeveritare tek presioni shtetëror e ndaj privative për të mos reklamuar apo mbështetur financiarisht të pabindurit.

Në fund, dua të theksoj se raporti media – pushtet në Shqipëri është i padrejtë dhe aspak demokratik. Ai ngjan si një sistem “skllavopronar”, padronë e shërbëtorë, ku ata që përpiqen të largohen apo të rrinë jashtë, njollosen, akuzohen, mallkohen e anatemohen nga të gjitha anët. Siç thamë, mungesa e lirisë së shtypit tani është ngritur në sistem dhe vetëm shkatërrimi i tij mund ta rikthejë këtë shtyllë të rëndësishme të demokracisë dhe lirisë politike e shoqërore. Nuk besoj se ka ndonjë mundësi afatshkurtër që këtë çështje ta zgjidhë politika shqiptare që, në fakt, është edhe pjesa kryesore e këtij problemi. Mundësi më të mëdha kanë partnerët tanë perëndimorë SHBA dhe BE, të vetmit që mund ta ndryshojnë gjendjen, qoftë edhe duke ndihmuar, si në fillim të viteve 1990, financiarisht e materialisht iniciativat e medies së lirë.

Botuar në gazetën Standard, datë 04 korrik 2015

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend