Mjaft më me ju – gazetarë llogoresh

18 Gusht , 2013 • Liria e medias • by

Para disa ditësh futa në Facebook-un ku dalin shkrimet dhe aktivitetet e mia publike, videon e një kënge që më pëlqen shumë, sepse e gjej shprehje dhe mbështetje të një qëndrimi që mbaj prej kohësh, siç e tregon edhe shënimi me të cilin e shoqërova: “Për herë të parë kënga ‘Mjaft më me ju’ është transmetuar në emisionin e Adi Krastës në mëngjesin e 23 majit në ‘Love Radio’, pasi ia dhashë unë me dorën time një CD me përmbajtjen e saj. Reagimet e dëgjuesve gjatë emisionit qenë prova më bindëse se, siç thotë kënga, ‘është koha kur nuk durohet dot më’.  Njerëzit nuk durojnë dot më kastën politike që kemi prej 20 vjetësh në pushtet, hipokrizinë e saj, gënjeshtrat e saj, korrupsionin e saj, krimet e saj, pandëshkueshmërinë e saj. ‘Mjaft më me ju’ është një denoncim i fuqishëm që del nga zemërimi më i sinqertë i rinisë shqiptare dhe një thirrje për t’i dhënë fund kësaj gjendjeje ‘poshtërimi’, ‘turpërimi’, ‘pushtimi’ të shqiptarëve dhe degradimit të një vendi dhe të një toke ‘që nuk mban dot më’. Jam i gëzuar që Arteda dhe EnE e kanë veshur tashmë këngën me klip dhe e kanë hedhur në Youtube. I bëra ‘share’ menjëherë dhe i ftoj të gjithë ta shpërndajnë sa më shumë dhe sa më larg. Fatos Lubonja (30 maj 2013)”.

Për habinë time, disa ditë më pas më erdhi një sinjalizim nga një dashamirës se në faqen online “Respublika”, që siç thonë, është nën drejtimin e Mustafa Nanos, nën titullin “Vazhdojnë diversionet mbi koalicion opozitar” … ishte shkruar nga dr. Eduart Zaloshnja se Fatos Lubonja, i entuziazmuar nga një videoklip i Dr. Florit, paska bërë thirrje publike me një shkrim që shqiptarët të abstenojnë… duke më futur në listën e një grupi diversionistësh ndaj Edi Ramës. Sigurisht u habita se si një doktor shkencash, që pretendon se ka jetuar e bërë shkollë në Amerikë, të bënte një koment të tillë, sepse çfarë shkruante ishte më tepër se gënjeshtër apo manipulim i pastër. Ishte provë elokuente e asaj që më thoshte disa ditë më parë një mike, se një gjë kanë sqaruar këto 23 vjet, që: 1) të jesh i ri nuk të bën automatikisht më të mirë se të vjetrit; 2) që të shkosh e të shkollohesh jashtë jo automatikisht të bën më të mirë se ata që ke lënë mbrapa; 3) që të jetosh jashtë jo domosdoshmërisht do të thotë që je bërë pjesë e mentalitetit të asaj shoqërie.

Megjithatë, këtë shkrim nuk e kam për Zaloshnjën, por për atë se çfarë ai përfaqëson dhe për atë se ku po na çon aplikimi deri edhe në gazetari i principit se mund të përdorësh çdo manipulim, e gënjeshtër, e qelbësirllëk për të arritur qëllimin, pa menduar as edhe një çast për pasojat morale dhe kulturore që sjellin këto metoda mbi shoqërinë. Në fakt, të quash diversion e diversionist çdokënd që nuk pajtohet me mendimin apo synimin tënd, është të ruash kulturën e trashëgimisë totalitare të Enver Hoxhës, i cili pikërisht se mendonte se kishte monopolin e së vërtetës, i lejonte vetes përdorimin e çdo mjeti, çdo poshtërsie dhe çdo gënjeshtre, duke i kthyer kështu njerëzit dhe ndërgjegjen e dinjitetin e tyre thjesht në mjet. Ja, këtë kulturë përçon kjo lloj gazetarie që bën natë e ditë diversion ndaj së vërtetës.

Sikurse e kam shprehur edhe në shkrime të tjera, edhe politika nuk duhet të aplikojë parimin e përdorimit të çdo mjeti për të arritur qëllimin, pasi bumerangu që i vjen pas shoqërisë prej kësaj mund të ketë pasoja shumë të rënda dhe afatgjata. Kurse kur këtë e përdor edhe gazetaria, edhe bota intelektuale, atëherë mund të flitet për vdekje morale të shoqërisë. Të gabosh është njerëzore, thotë një fjalë, por të vazhdosh të gabosh, është djallëzore. Sot nuk ka njeri të ndershëm që nuk e kupton se të vazhdosh t’i mbash shqiptarët në grackën e teatrit “O Berisha, o Rama”, pa i informuar se ç’qëndron në të vërtetë pas tyre, është një krim mediatik, një krim ndaj së vërtetës, një punë gazetarësh që nuk duan të ndryshojë sistemi, interesat e të cilit mbrojnë jo se kanë hallin e Berisha – Ramës, por pasi mediokriteti, paaftësia dhe mungesa e karakterit i bën të mos jenë në gjendje të jetojnë jashtë këtij sistemi me zotësinë, profesionalizmin, kulturën dhe ndershmërinë që kërkon ky profesion. Por njerëzit nuk hanë bar. Ja si i shkruante Zaloshnjës një tjetër komentues në një tjetër shkrim të tij, që e fillonte përsëri me akuza kundër Lubonjës, po në Respublika: “Ti nuk je analist i realitetit, dhe ty realiteti, hallet e njerëzve, hallet e mia nuk të interesojnë FARE! Ty të intereson vetëm një gjë: të mos lësh të humbasë as edhe një votë për Klientin tënd, të pastrosh rrugën nga çdo lloj ndërhyrjeje që mund të të prishë ty dhe klientit tënd politik hesapet elektorale. Për këtë ti je gati të shpikësh terma dhe realitete. Ky nuk është një debat mbi idetë, mbi programe, mbi vizione apo mbi të ardhmen – gjë që pritet nga një analist apo media. […] Në fakt, e gjithë Respublica nuk bën asgjë tjetër, por krijon realitete, manipulon imazhe e krijon imazhe që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm se përpiqen të sigurojnë llogaritë elektorale të klientit të saj, duke e shndërruar në një karikaturë të emrit që mban”.

(Marrë me shkurtime nga gazeta Panorama, date 6 qershor 2013)

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend