Mbi dekriminalizimin e medias

23 Maj , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Nga Enver Bytyçi.

Shqipëria po kalon një proces unik në histori. Sapo ka filluar ajo që quhet proces i dekriminalizimit. Ka nis me parlamentin, sepse nuk mund të bëhet shteti kur kriminelët bëjnë ligjet e tij. Ky parlament ka humbë funksionin, qëllimin dhe misionin e tij. Prandaj nuk është më parlament.

Reforma gjyqësore po bëhet me dhunën e ndërkombëtarëve për të dekriminalizuar gjykatat, prokurorinë dhe policinë gjyqsore, me qëllim vendosjen e drejtësisë në këtë vend.

Po media si pushtet i katërt a është e inkriminuar dhe a duhet dekriminalizuar? A mund të ketë sukses ky proces, nëse media qëndron jashtë tij? Unë besoj se pa dekriminalizimin e medias nuk mund të ketë dekriminalizim të shoqërisë e të institucioneve të shtetit.

Media shqiptare, me përjashtime të pakta, është produkt i të njëjtës mendësie kriminale e mafioze si edhe të pushteteve të tjera. Nëse politika kriminale synon pushtetin e dhunës dhe paranë, të njëjtën bën media në Shqipëri, të kapë paranë përmes korrupsionit, presionit mediatik dhe daljes nga misioni i saj për t’i shërbyer opinionit publik.

Politika, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori i korruptuar dhe inkriminuar ka nevojë për aleatë. Aleati më i vlefshëm për ta është media, sepse ajo është i vetmi instrument që shtrembëron dhe manipulon realitetin, të vërtetën.

Nëse ndjekim gjendjen ekzistuese të medias, vemë re lehtësisht se media dhe pushtetet e tjera janë njësoj të kompromentuar në korrupsion, paligjshmëri dhe kriminalitet. Vetëm në Shqipëri ndodh që media të vendosë para kameras kriminelët vrasës gjakftohtë të dënuar në burg për jetë dhe të fyejë e nëpërkëmbë viktimat e tyre. E gjitha në funksion të parasë, politikës dhe krimit. Një bote humane nuk evokon vrasës e kriminelë. Bota mediatike shqiptare bashkëpunon çdo ditë me kriminelë të dënuar e në kërkim, thjesht për të mbrojtur botën e krimit sipas skemës “Bëji pis mediatikisht të gjithë, me qëllim që publiku të mos marrë vesh kurrë kush është e kush nuk është kriminel, i korruptuar, hajdut, mashtrues, trafikant”.

Këtë skemë e mundëson media, sepse vetëm ajo ka atributin e përçimit të mesazhit politik kriminal ose jo te publiku. Në një vend në gjendjen tonë të mjerueshme mediat do të kishin specializuar moderatorët më të mirë për të mobilizuar njerëzit në protesta. Në Shqipëri nuk ndodh kjo, edhe pse salla e parlamentit është mbushur me kasapë, edhe pse kryeministri e përcjell me garanci vrasësin kriminel në kufi pa i vënë vulë në pasaportë, edhe pse deputeti pranon krimet e tij të mohuara sistematikisht nga kryeministri.

Skandale si këto janë të paprecedenta në historinë e shteteve. Nuk ndodh diku tjetër që shteti të çojë në polici 38 mijë qytetarë për mospagesë energjie e nga ana tjetër të armatosë dhe të mbështesë me logjistikë e polici bandën më të famshme të krimit, shullazët. Ndërsa mediat, akademikët e shantazhuar bëjnë të paditurin.

Mediat tona ende vleresojnë si shtetberese aksionin e dhunës kundër varfanjakëve dhe nuk denoncojnë lidhjet e shtetit me bandat e krimin.

Mark Frroku pranoi më në fund se është një politikan kriminal. Mediat prej kohe kanë mobilizuar opinionistë që të mbrojne krimet e Mark Frrokut. Këta opinionistë kanë bërë me fanatizëm avokatinë e krimit me porosi e recetat e kryeministrit. Po tani që krimineli deputet pranoi se është i tillë, a ndjehen sado pak bashkepunëtor të tij?! A do marrin përsëri këta pjesë në mbrojtjen e kriminelit politik të radhës, apo do të kërkojnë ndjesë?!

Nëse i numërojmë raste të tilla të inkriminimit të medias dhe emisioneve opininiste të tyre, do të duhej një studim gjithëpërfshirës. Por ajo që mbetet ka të bëjë me moralin e saj.

Misioni i medias është e vërteta për publikun. Ndërkohë për fatkeqësinë tonë, ky mision është shqetësimi i fundit për pronarët mediatike. Shqetësimi kryesor i tyre janë paratë e paligjshme, janë tenderet dhe lejet e ndërtimit.

Në vendse informacion, emisionet televizive janë shndërruar në emisione afariste biznesi. Biznes për pronarin, biznes për drejtuesin e stafin e emisionit. Kështu mënjanohen vlerat, se ato nuk kanë lidhje me biznesin. Vendin e tyre e zënë antivlerat. Kjo është tragjedia mediatike e jona.

Nuk po shkruaj për raste konkrete kur pronarët mediatikë urdhërojnë lincimin e njerëzve deri në lëndime, fyerje e në shkelje të të drejtave të njeriut. Pse? Sepse personi në fjalë e ndau në dy pjesë fondin e reklamës, pra njërën pjesë ia dha televizionit rival.

Një analizë e një studim i thelluar do të nxirrte në pah pse televizionet tona i mbyllen 13 emisione investigative, të cilat funksiononin para qershorit 2013.

Por mediat tona duhen vënë në lupën e investigimit dhe hetimit ligjor në çdo pikëpamje, deri te respektimi i të drejtës njerëzore e profesionale të gazetarëve, deri te ballfaqimi i informacionit me faktet e shtrembëruara. Nga tenderët e deri te lejet e ndërtimit. Procesit të verifikimit të veprimtarisë mediatike në përputhje me ligjin i duhet shkuar deri ne fund, si kusht për dekriminalizimin e medies.

Media dhe hetimi i saj duhet të jetë objekt specifik i reformës gjyqësore në Shqipëri. Pa dekriminalizimin e medies nuk do mund të arrihet jeta normale si në një vend e në një shtet normal të së drejtës.

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend