Legjislacioni i lirisë së shprehjes për gazetarët dhe bloguesit

18 Korrik , 2015 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Nga Caroline Lees

Puna e një gazetari është bërë gjithnjë e më e rrezikshme dhe liria e shprehjes, edhe pse është e mishëruar në dokumentat kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, asnjëherë s’duhet të merret si e mirëqënë. Sipas Christophe Deloire, sekretar i përgjithshëm i Reporterëve pa Kufij, kjo nuk ka vlerë vetëm për regjimet represive, por gjithashtu edhe për demokracitë perëndimore.

Duke folur në ceremoninë e prezantimit të Manualit Mbrojtës për Gazetarët dhe Bloguesit në Londër këtë javë, Deloire tha se rreth 160 blogues dhe po kaq gazetarë janë tashmë të burgosur për shkak të punës së tyre.

Këto statistika, si dhe historitë  individuale të gazetarëve si Mazen Darwish, një reporter sirian i cili ka qënë i burgosur për më shumë se dy vjet, dhe Raef Badawi, një bloger saudit i dënuar me 10 vjet dhe 1000 kamxhikë, tregojnë se liria e shprehjes duhet të jetë gjithmonë  “e përkrahur, e promovuar dhe e mbrojtur fort”, tha Deloire.

“Një nga mënyrat për t’i mbështetur gazetarët është pajisja e tyre me informacionet e duhura ligjore lidhur me ushtrimin e lirisë së informacionit, për t’i fuqizuar ata me njohuri rreth të drejtave të tyre”,  shpjegoi Deloire.

Manuali Mbrojtës, i publikuar nga Fondacioni Thomson Reuters dhe i konceptuar nga Reporterët pa Kufij, synon të ndihmojë në mbrojtjen e gazetarëve nga kërcënimet, provokimet, frikësimet dhe burgosjet, madje edhe nga vdekja, duke i informuar ata për parimet e lirisë së informacionit në legjislacionin ndërkombëtar.

Manuali përmban kapituj për shpifjen dhe reputacionin, të drejtën e privatësisë, rendin publik dhe moralitetin, sigurinë kombëtare dhe sekretet shtetërore. Ai mund të shkarkohet falas dhe është shkruar  me ndihmën e më shumë se 70 avokatëve në mbarë botën. Avokatët e studios ligjore ndërkombëtare Paul Hastings morën pjesë falas në projekt.

“Sulmet e tmerrshme ndaj Charlie Hebdo në Paris, dhe vrasjet makabre nga ISIS janë ato që ne mbajmë mend më shumë, por në të vërtetë puna e gazetarëve është bërë gjithnjë e më e rrezikshme për një numër të madh arsyesh”, tha Monique Villa, Drejtore Ekzekutive e Fondacionit Thomson Reuters.

Panelistët, përfshi këtu Jodie Ginsberg, Drejtore e Index on Censorship, Owen Bennett-Jones i BBC-së, William Bourdon, avokat francez i specializuar për të drejtat e njeriut, dhe Sylvie Kauffmann, redaktore e Le Monde, diskutuan rreth problemeve aktuale që lidhen me lirinë e shprehjes. Ndërkohë që Bourdon argumentoi se liria e shprehjes duhet të ushtrohet me një lloj sensi të përgjegjësisë personale, në mënyrë që të mos ofendojë kulturat dhe besimet fetare, të tjerët thanë se kjo mund të çojë në konfuzion. “Ato që njerëzit i konsiderojnë fyese janë të shumëllojta, kështu që kufiri është i paqartë, dhe për këtë arsye mbrojtja e të drejtës së lirisë së shprehjes ka një rëndësi jetike”, tha Sylvie Kauffman.

Ginsberg tha se është e rëndësishme që ligjet të jenë të qarta. “Gazetarët shpesh nuk e dinë se çfarë duhet të thonë apo të mos thonë”. “Kjo paqartësi çon në frikë dhe frika çon në vetë-censurë”, shton Ginsberg. “Ne shohim shumë organizata që nuk shkruajnë për Islamin nga frika e sulmeve”.
Ginsberg tha se manuali mund të jetë i dobishëm për gazetarët “freelance”, si edhe për organizatat e medias. “Gazetarët freelance kanë jashtëzakonisht shumë nevojë për mbështetje”, tha ajo.

Ginsberg tha se projekti Index on Censorship’s Mapping Media Freedom tregon se edhe gazetarët europianë janë të paqartë për të drejtat e tyre ligjore dhe shpesh rrezikohen nga kërcënimet dhe presionet njëlloj si ata që janë në regjimet repressive. “Ne nuk e kemi fituar betejën e lirisë së shprehjes, as në vendet demokratike”, tha ajo.

Përktheu: Niko Zguri

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend