Gazetaria në rajon nën presion

18 Shtator , 2012 • Liria e medias • by

Me vënien në pikëpyetje të etikës së pronarëve të medias dhe politikanëve, gazetarët bëjnë të pamundurën për të ruajtur standardet profesionale.

Rastet e pronarëve të medias të cilët fshehin lidhjet e tyre nga publiku me shtëpitë e mediave, por që financojnë operacionet e tyre mediatike me fondet publike në bashkëpunim me politikanët, dhe u kërkojnë gazetarëve besnikëri në raportim, kanë ngritur një debat për mënyrën se si të mbrojnë gazetarinë nga presionet dhe si të përmirësojnë pozitën e tyre publike.

“Perceptimi se gazetarët janë ‘djem të këqij’ që politikanët mund t’ua mbyllin gojën … është i përhapur. Ky është një lajm shkatërrues, dhe e vetmja gjë e keqe është se shoqëria nuk ka reaguar për këtë”, tha për SETimes Borka Rudiç, anëtare e Shoqatës së Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH).

Shumë blogerë argumentojnë se realiteti është se gazetarët në rajon durojnë presionet, kërcënimet dhe dhunën fizike për të aspiruar për të ruajtur integritetin e tyre profesional.

“Gazetaria është një profesion jashtëzakonisht i vështirë dhe me përgjegjësi”, tha për SETimes Maja Nikoliç, një gazetare e Radios Europa e Lirë në BiH.

“Qytetarët nuk janë të vetëdijshëm se ata nuk do t’i marrin vesh disa gjëra pa angazhimin e gazetarëve, të tilla si fakti se ata janë mashtruar shpesh nga politikanët, lobistët e ndryshëm dhe grupet e interesit”, tha Nikoliç.

“Për shkak se shoqëria është e çorientuar, e tillë është dhe gjendja me mediat në tërë ish-Jugosllavinë”, tha komentatori anonymous.

Një rast i tillë është Mali i Zi, ku prokurorët nuk kanë proceduar asnjë rast të vetëm që përfshin sulmet ndaj gazetarëve në katër vitet e fundit.

“Fjala publike në Malin e Zi është vrarë, gjithçka që i ka mbetur është varrimi”, tha Veselin Drljevic, redaktor i seksionit të sportit në të përditshmen Dani.

Shoqatat e gazetarëve në Serbi dhe Kroaci thanë se problemi më i madh është se shtëpitë mediatike fshehin identitetin e pronarëve të tyre të vërtetë, duke krijuar mosbesim në mesin e publikut në drejtim të informacionit që ata botojnë.

“Ata që paguajnë për reklamat drejtojnë gazetat. … Kjo është arsyeja pse në gazetat tona nuk ekziston një fjalë kundër bizneseve të mëdha. Një tjetër arsye është se gazetarët nuk kanë guximin dhe njohuritë për t’u marrë me tema të tilla”, tha Matan, një bloger kroat.

Të tjerë si Snjezana Milivojevic, një blogere nga Serbia, thekson financimin jo transparent shtetëror të medias dhe një mungesë efektive të mbikëqyrjes publike si pika që dëmtojnë gazetarinë.

“Kjo përzierje e ndërlikuar e parave dhe ndikimit dëshmon rreth nivelit të lartë të korrupsionit në mediat tregtare dhe publike … pasqyron ndikimin politik dhe financiar nga qendrat e pushtetit mbi median”, tha ajo.

Shumë blogerë në BiH bien dakord me lajmin se nuk është zgjedhur në bazë të interesit publik pasi publiku është apatik dhe politikanët si Milorad Dodik përdorin fonde të konsiderueshme publike për të blerë mbështetjen e gazetarëve.

“Është e çuditshme se për njerëzit e zakonshëm në Republika Srpska ky zhvillim nuk është i dyshimtë, por është bërë një dukuri normale. Dodik nuk mund të krahasohet as edhe me Millosheviçin: pasi ai ka futur një bllokadë totale mediale për këdo që është kundër tij,” tha Cutura.

Blogerë të tjerë argumentojnë se gjurmët e një mendjeje luftarake dhe një kornize propagande në media, të mbetura nga vitet 1990, kanë trembur profesionin, duke kontribuar në perceptimin e gazetarëve përveç influencës financiare-politike.

“Mosqenia profesionist mbetet një problem i cili erdhi me periudhën e luftës, duke i degraduar parimet profesionale dhe etike”, tha për SETimes Mirza Mehmedoviç, profesor i komunikimit në Universitetin e Tuzlës.

Mehmedoviç argumentoi se gazetaria duhet të rikthehet në mesin e atyre që ai i përkufizon si profesione elitë, si një mjet për të sjellë përsëri dinjitetin e këtij profesioni.

“Megjithatë në Serbi, janë dhënë vendimet e para gjyqësore kundër komenteve që përmbajnë gjuhën e urrejtjes, duke u treguar mediave pa diskutim të mbajnë përgjegjësi për hapësirën e tyre”, tha Milan Kovach, një gazetar që punon për Televizionin Alternativ nga Banja Luka.

Botuar në faqen në gjuhën shqipe të Southeast European Times më 14/07/12. Linku i shkrimit në original: http://www.setimes.com/cocoon/setimes/xhtml/sq/features/setimes/blogreview/2012/07/14/blog-03

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend