Gazetarët e pambrojtur të Shqipërisë

3 Shkurt , 2017 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Media duhet të jetë e lirë dhe e pavarur. Por si mund të jenë të lirë gazetarët shqiptarë, kur shpesh paguhen me vonesë, apo edhe nuk paguhen për punën e bërë. Janë gazetarët shqiptarë lodër në duart e bosëve të mediave?

Të jesh gazetar është një profesion i ëndërruar. Edhe në Shqipëri shumë vetë e kanë këtë ëndërr, por gazetarëve shqiptarë iu duhet të paguajnë për të një çmim shumë të lartë. Mbi fasadën shumëngjyrëshe mediatike shqiptare prej kohësh bie një hije e errët. Bëhet fjalë për punësim masiv në të zezë, për vonesa të rrogave mujore, apo edhe mospagime të tyre. Një hije kjo që duhet t’i bënte gazetarët të ngriheshin në këmbë, të dilnin në greva, të lëviznin nga vendi kolltukët e pushtetit, deri sa të zgjidhej shqetësimi i tyre ekzistencial, marrja e rrogës në ditën e përcaktuar, pa asnjë vonesë.

Një zë që ngrihet kundër kësaj problematike, ai i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë është i vetmuar, pa një kor shoqërues. Kryetari i Unionit, Aleksandër Çipa e përmend vonesën si gati një normalitet të mediave shqiptare. “Çdo vit e përjetojnë këtë rreth 90% e gazetarëve. Kjo vonesë kap 1-3 muaj. 75 e mediave e përsërisin këtë rregullisht. Ndërkohë që bosët e mediave nuk japin sqarime zyrtare për këtë, ata përpiqen të justifikohen verbalisht”, thotë Çipa për Deutschen Wellen.

Frika nga humbja e vendit të punës

Gazetarët shqiptarë durojnë për një arsye të thjeshtë – sa triviale aq edhe tronditëse për pavarësinë e gazetarisë shqiptare: Frika nga humbja e vendit të punës, e cila me sa duket është më e madhe se ngritja e zërit kundër bosëve të mediave. Rrallë zhvillohen protesta si ajo e televizionit A1news, ku gazetarët e kameramanët lanë punën në shenjë proteste për të kërkuar disa rroga mujore. A1 news ndërkohë është mbyllur, çështja ka kaluar në gjykatë, por gazetarët si Alida Tota, dikur kryeredaktorja e A1news ende nuk i kanë parë paratë. “Çdo muaj niste presioni i pagave. Ne kemi mbijetuar falë familjeve tona. Të gjithë kolegët prindër më kuptojnë, se ç’dua të them.”

Rroga si mjet presioni

Alida Tota e përjetoi personalisht, se si marrja e rrogës, që duhet të ishte akti më normal, është kthyer në një mjet presioni në median shqiptare. “Vetëm dy ose tre koorporata mediatike paguajnë në orën dhe ditën e përcaktuar në kontratën e punës. Ndërsa të tjerët nuk respektojnë asnjë kontratë pune me gazetarët.”

Të tjerët – janë bosët e mediave private shqiptare. Në Shqipëri ata me sa duket ndjehen aq të fuqishëm, sa mund të ushtrojnë presion ndaj punonjësve pa iu trembur aspak syri për ndonjë pasojë. Alida Tota kujton vonesat e qëllimshme që bënte administrata e televizionit A1news dhe deklaratat e pronarit, që thoshte “se s’kishte lek, dhe se kush kërkonte rrogën mund të largohej nga puna.” I pyetur nga Deutsche Welle, pronari i A1news paraqiti arsye private, të cilat nuk e lejonin të vazhdonte bisedën.”

Arbitraritetin e pronarëve të mediave e konfirmon edhe kreu i departamentit të gazetarisë në Universitetin e Tiranës, Prof. Mark Marku. “Një pronar mediash mund ta pushojë një gazetar nga puna dhe nuk ndodh asgjë. Vetë gazetarët shpesh nuk i kërkojnë të drejtat  e tyre, sepse ndodhen në marrëdhënie pune gjysmë të rregullta ose plotësisht informale. Kjo i bën ata të varur, aq sa të mos munden dot të protestojnë.”

Kontrata të njëanshme

Janë lënë gazetarët shqiptarë në mëshirë të fatit, që ka pamjen e pronarit të medias private? Nuk veprojnë dot ligjet apo institucionet për të mbrojtur median, atë që njihet si “pushteti i katërt”, apo një gazetari e pavarur nuk i intereson realisht kujt në Shqipëri, sepse sjell kokëçarje, aty ku nuk duhet të sjellë? Inspektoriati i Punës i përgjigjet kërkesës së Deutsche Welles lidhur me këtë shqetësim dhe thekson se ai trajton me përparësi e seriozitet çdo ankesë apo pretendim për punën që kanë gazetarët. “Zakonisht ankesat që bëhen iu referohen problemeve me mosdhënien e pagave në kohën e duhur, punësimin informal, si dhe ndërprerjen e parregullt të marrëdhënieve të punës.”

Megjithatë problematika e mediave ende mbetet, sidomos punësimi informal, apo kontratat e bëra vetëm në favor të bosit të medias, por jo të gazetarit. Shqipëria nuk i praktikon kontratat kolektive në media, çdo kontratë gazetari bëhet me sa duket si kontratë individuale. Këtu sheh drejtuesi i Unionit Shqiptar të Gazetarëve, Aleksandër Çipa një grackë për gazetarët. “Këto kontrata janë shpesh të njëanshme, ato praktikisht imponohen. Vërtet ato mund të jenë edhe me shkrim, por ato janë të formuluara në mënyrë të tillë, që shpesh nuk kanë vlerë juridike. Bosët e mediave në shumë raste nuk u japin gazetarëve një kopje të kontratës.”

Liri në kushtet e vonesës së pagave?

Si mund të jenë të lirë gazetarët shqiptarë të kryejnë në këto kushte misionin me paanshmëri e pavarësi gazetareske? Aleksandër Çipa sheh këtu rrezikun më të madh për lirinë e medias. “Kjo ka vlerën e pengmarrjes  të gazetarisë. Nëse sot nuk flasim për integritet dhe gazetarë të pavarur, atëherë të gjitha këta faktorë luajnë rol. Kjo e ka rrëzuar besueshmërinë e medias.” Pas përvojës me botën e mediave në Shqipëri, edhe Alida Tota thotë se ka arritur në përfundimin që praktika e vonesave të pagave është “normë skllavërimi në median shqiptare.” Ajo rrëfen se “në ditën e rrogave ne përsërisnim në kor. Në Shqipëri duhet të jesh vajzë apo djalë mbreti që të bëhesh gazetar.”

Por për shkak se vajzat e djemtë e rinj gazetarë shqiptarë nuk janë as vajza e as djem mbreti, duhet një sindikatë sipas modelit europian që të mbrojë dinjitetin e tyre. Përpjekjet e disa organizatave aktuale të gazetarëve kundër punësimit informal dhe trajtimit jo dinjitoz të gazetarëve nga ana e pronarëve të mediave nuk kanë pasur suksesin e duhur.

Lidhja me pushtetin

Duket se bosët shqiptarë të medias sillen si zotër të paprekshëm. Por çfarë u jep atyre kaq siguri, mos fshihet pas tyre një dorë mbrojtëse e padukshme, që vepron sipas parimit – njëra dorë lan tjetrën, të dyja, jo vetëm na lajnë fytyrën mirë, por na ndihmojnë ta ruajmë atë – pra për të mos e humbur pushtetin.

Prej vitesh flitet për fijet e përziera keq të politikës me pronarët e mediave në Shqipëri. Shumë gazetarë e kritikojnë këtë flirtim. Publicisti i njohur Fatos Lubonja flet madje së fundmi për një “putinizim të medias shqiptare”. Shumë media kanë falimentuar, thotë ai, “po mbijetojnë vetëm ato media që kanë lidhje me pushtetin politik. Gazetarët, të cilët Lubonja dikur i kishte ndarë në gazetarë dy-llogoresh, tani thotë se kanë mbetur vetëm në një llogore, tek ajo e partisë në pushtet. “Gazetarët nuk e hapin gojën, sepse janë nën kërcënimin e bukës së gojës.”

27-vite vetmie i kanë shoqëruar gazetarët shqiptarë – që nga rënia e diktaturës përgjatë tranzicionit, në një vend si Shqipëria, ku e drejta blihet dhe gazetaria nuk e çan dot bllokun e bosëve të medias të lidhur me politikën. Por vetmia do të vazhdojë, nëse ata nuk solidarizohen fort me njëri-tjetrin për të kërkuar të drejtat e tyre. Kryeredaktori i Televionit Online “Tema”, Zamir Alushi shikon në këtë mungesë solidariteti të gazetarëve një nga arsyet e gjendjes aktuale të gazetarëve shqiptarë, me vonesa në paga dhe informalitet. “Nuk ka pasur asnjë grevë për këtë. Dihet që pronarët e mediave shpesh janë zgjatime të politikës, prandaj ne duhet të luftojmë vetë për të drejtat tona, të organizohemi, të rrisim presionin.” Por nëse ky presion do të rritet ndonjëherë aq në Shqipëri sa të sjellë me këmbë në tokë, apo me këmbë në gjykatë ata pronarë të mediave private shqiptare që shkelin ligjin, – kjo është më se e pasigurtë.

Burimi: http://www.dw.com/sq/gazetar%C3%ABt-e-pambrojtur-t%C3%AB-shqip%C3%ABris%C3%AB/a-37359205

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , ,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend