Kur censurohej në kohën e Zogut…

26 Maj , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Për t’u habitur se sot, në vitin 2012, shumë njerëz ende kanë frikë të flasin për atë kohë, me justifikime nga më të ndryshmet.

“Ato fletore ose revista që me botimet e tyre mund të cënojnë sigurimin e interesit të brendshëm ose të jashtëm të shtetit dhe janë kundër regjimit, përkohësisht pushohen me vendim të Këshillit të Ministrave dhe kur e lyp nevoja, përgjegjësit burgosen apo i dorëzohen gjyqit”. Me këtë ligj haset në fillim të punës së tij edhe kryeministri Mehdi Frashëri. Megjithatë e njeh mirë si realitet. Që me qeverinë që del nga Kongresi i Durrësit në fund të vitit 1918, ai vetë e quan ndjekjen e familjeve të kriminelëve, internimin e tyre dhe sekuestrimin e pasurive si një “ndër ligjet ab antiquo të Kanunit të Lekë Dukagjinit” , citohet prof. Arben Puto në “Shqipëria politike”. Vite më vonë, Mehdi Frashëri, teksa ulet në poltronin e kryeministrit, pritet në shoqërinë e kohës në vitet 30 si një çlirues i frymës mbytëse që ekziston kudo në vend. Por, edhe ai vetë, në fillimet e tij, sështë aq i qartë. E do liberalizmin por me ngut. Këtë ia konfesion gazetarëve të ABC, kur i kërcënon tua mbyllë organin jetëshkurtër. Ai, vetë, madje pati nxjerrë dhe një ligj për “fajet politike që duhej të gjykoheshin nga një gjykatore e posaçme politike”…

Për hir të së vërtetës, përndjekja ka vite që ndodh. Në mesin e viteve 20, kur Shqipëria po kristalizon qëndrimin e saj shtetar për herë të parë në historinë e vet, patriotët shqiptarë ngado që janë nëpër botë mendojnë të kontribuojnë përmes shtypit. Njëri prej tyre është një burrë simpatik, që do të jetë për shumë kohë protagonist i botës publicistike shqiptare. Quhet Gjergj Bubani dhe historia e trazuar shqiptare do ta marrë do e ngrejë për të përplasur me një fat shumë të keq. Loredan Bubani, i biri i tij në një moshë më të madhe sesa i ati atëherë, dhjetëra vite më vonë, ka bërë një aventurë të jashtëzakonshme në Rumani, duke zbuluar një koleksion të tërë të “Shqipëria e Re”, e cila shtypej jashtë vendit, por nuk mund të vinte për shkak të frymës shumë kritike, ndaj Zogut. Për t’u habitur se sot, në vitin 2012, shumë njerëz ende kanë frikë të flasin për atë kohë, me justifikime nga më të ndryshmet. Patriotët e “Shqipëria e re” kritikojnë veset e këqija, drejtimin, politikën e keqe të fqinjëve, por bëjnë dhe kritika profesionale ndaj njëri-tjetrit. Në Rumani janë disa emra të njohur, që e stigmatizojnë rëndë regjimin. Njësoj si ai, një grup idealistësh në Shqipëri, shumë syresh të shkolluar jashtë, se përtypin këtë gjendje të vendit. Shqetësimi më i madh është meskiniteti dhe më shumë se kaq mbyllja e fjalës për gjëra të rëndësishme. Situata i ngjan pak kohës sonë dhe Brumbulli(pseudonimi i Bubanit) dhe miqtë e tij, emra vërtetë të nderuar, duan të evokojnë patriotët e pavarësisë që kanë mbetur në hije dhe shumë syresh dhe nuk arrijnë as marrin pensionet që u takojnë. Si gjithnjë dallkaukët përfitojnë në çdo rrethanë. Këta janë objekti i Brumbullit dhe i shkruesve të tjerë të “Shqipëria e re”. Këta nuk janë të vetmit sepse një grup intelektualësh të tjerë përpiqet të zgjojë një kulturë ndryshe, e cila merr shtysë edhe nga lufta e denigrimit në parlament, e cila vjen duke u egërsuar. Faik Konica i hedh benzinë zjarrit me anë të gazetës “Dielli”; që i shtohet edhe “Shqiptari” i Amerikës, që botohej në Korçë nën drejtimin e Loni Kristos, deputet i Korçës. Nuk bie më poshtë dhe ajo që bën gazeta “Ora e Maleve”, që drejtohej e botohej nga kleri katolik në Shkodër. Këto i gjejmë në referimet që vinë në kujtimet e Vllamasit. Kjo luftë e organizuar, shprehet ai, drejtohej nga Fan Noli, Luigj Gurakuqi, Stavro Vinjau dhe nga Ali Këlcyra por edhe Mehdi Frashëri, kuptohet kur sështë kryeministër. Në këtë luftë, ska kulturë ka thjesht anatemë nga këta intelektualë. Megjithatë ka shpresë. Qeveria e Mehdi Frashërit, sapo vjen në pushtet, iu vu menjëherë detyrës për të vënë në jetë “reformat që kish dashur mbreti, por që ishin shpërfillur nga qeveritë konservatore të deriatëhershme”… Kurse liberal gjeti shprehje sidomos në angazhimin për të rivendosur disa liri. Në një konferencë shtypi, që mbajti në fillim të nëntorit, kryeministri i ri shpalli se do të rivendoseshin disa liri të parashikuara nga Statuti i Mbretërisë, sidomos liria e shtypit. Publicistët shqiptarë presin dhe fillojnë të shkruajnë për njëri-tjetrin. Në një numër të kohës, Kuteli flet me nderim për Bubanin, një nga penat më interesante të kohës, që bëhet më i shpeshtë me siglën Brumbulli, duke evidentuar profesionalisht vlerat e tij. Megjithatë e dinë se Zogu nuk fal. Për shkak të ashpërsisë, duhet thënë se koleksioni “Shqipëria e Re”, ku botoheshin shkrimet e Bubanit dhe kolegëve të tij, edhe më vonë as nuk arrin fare të vijë në Shqipëri nga Rumania. Ky koleksion sot, është pjesë e fondit në Rumani, të bibliotekës së Akademisë së Shkencave rumune. Kalvari i njerëzve që do punojnë aty smbaron. Kutelit, do i kërkojnë në gjyq, njohje me kolegun tij të “Shqipëria e re” Kostë Boshnjakun, ashtu si të tjerët do pyeten për të tjerë që fatet e kohës i hedhin në shtigje nga më të panjohurat…

Intermexo  për Bubanin

Gjergj Bubani e ka nisur me shkrimet në publicistikë në vitin 1919, me shkrimet që përgatiti në gazetën “Kuvendi” në Itali. Përvoja por edhe talenti e bën të jetë kryeredaktor i gazetës “Shqipëri e re”, e cila botohej në Konstancë, kurse veprimtaria e tij publicistike shtrihet në disa organe të shtypit shqiptar, “Dodona”, “Zëri shqiptar”, “Kuvendi kombëtar”. Ai kontribuon dhe te “Kosova”, e cila bashkë me “Shqipëria e Re” janë shumë antagoniste ndaj të keqes dhe pro Shqipërisë. Zoi Xoxa duke njohur talentin e tij i propozon të jetë në Shqipëri duke e lënë që të drejtonte gazetën “Drita” dhe më vonë është drejtuesi i Radio Tiranës, që e ngre në një institucion Kombëtar. Këtu transmeton për herë të parë me Zogun, duke u pajtuar disi, por mbase që këtu fillon mëria e kundërshtarëve ndaj tij. Përfundon në burg dhe vdes në harresë të plotë…

Për Censurën

Mund të mendohet se ligji do shkonte gjatë por problemi i lirisë së shtypit ishte shtruar në parlament që në prillin e vitit 1933. Një numër deputetësh patën dalë me propozimin që të ndryshoheshin disa nene të Statutit Themeltar. Ishte menduar që neni 197 të ndryshonte kështu p.sh., citohet Profesor Puto, “Liria e fjalës dhe e shtypit është e garantuar. Censura preventive nuk mund të vihet veçse me ligj”. Por ka një “raport justifikues” dhe ashtu si merret me mënd ka edhe një stërkëmbsh. Misioni i shtypit duhet të jetë “për edukimin e popullit dhe formimin e ndërgjegjes kombëtare” sepse roli i medias në vitet 30, tani duan ta fusin si “bashkëpunëtor i shtetit…”. Madje, në këtë raport shprehet se “liria e shtypit si çdo liri tjetër, duhet të ketë një kufi, përtej të cilit shtypi është i dëmshëm dhe i rrezikshëm”…Në këtë mjedis vepron qeveria e re. Në kujtimet e tij Petro Marko lë pasazhe të mrekullueshme të bisedës me Mehdi Frashërin, ku ndarjet ideore janë të mëdha, por në sfond ka edhe shpirt mirëkuptimi. Ky ishte mjedisi ku po vepronte qeveria e re. Kuadri ligjor mbetej po ai. Megjithë kufizimet, kursi i liberalizimit relativ që solli qeveria e Mehdi Frashërit bëri që jeta shoqërore dhe politike të gjallërohej mjaft, në atë shkallë që sishte më parë…. Dolën mjaft gazeta ku kishte debat dhe madje merrnin kontribute dhe nga Ministria e Brendshme. Një gazetë, e cila i shpëtoi censurës do ishte “BESA” (më vonë Drita) që i përmbahej politikës zyrtare dhe marrëdhënieve me Italinë. Megjithatë situata sështë aq e lehtë. Një studiues i ri, Fatjon Cuka, ka zbardhur ligjin e asaj kohe që thotë: “Çensura preventive mbi shtypin vehet: I) Kur shpallet shtet-rrethimi:a) në zonën e shtet-rrethimit; b)në raste nevojë dhe jashtë asaj zone: II)Kur edhe nuk ka edhe shtet-rrethim: a) në kohë lufte; b) në kohë mobilizimi; c) në kohë kryengritjeje; ç) në kohë të një situatë luftësjellëse; d) në kohë të një situatë që parashef nji kryengritje; dh) në kohë të një nji kalamiteti publik. Censura prevantive në këtë rast mund të përfshijë pjesërisht ose tanësisht tokën e Mbretërisë. Ndërsa në rastet kur shtet rrethimi përfshinte gjithë territorin ku shtrihej Mbretëria Shqiptare, ligji parashikonte në nenin 57 se censura preventive urdhërohet prej Komandës së Përgjithshme të Mbrojtjes Kombëtare”. Të kësaj kohe janë disa zhvillime interesante. Prefekti i Korçës informon Ministrinë e Brendshme për një telegram të korrespondentit të “Vatra” që “kishte përmbajtje alarmuese “ “duke e quajtur ndërhyrjen e organeve të qeverisë si vepër antinjerëzore”…Kërkohej që ky telegram të mos ishte në gazetën “Vatra”ashtu si i kërkohej edhe “Gazetës së Korçës për ta këshilluar drejtuesin e saj “në mënyrë të pëlqyeshme” të botonte artikull kundër demonstratave…Qeveria e Mehdi Frashërit sdo ta ketë të gjatë. Një mocion mosbesimi, që në dukje dukej i lehtë për tu kaluar, fiton. Zogu e shkarkon menjëherë qeverinë e tij. Koha ndryshon në një stad tjetër dhe më 1936, BESA, që ishte proqeveritare fillon e bëhet agresive. Në një numër ajo akuzon direkt elementë të qeverisë se duan për të manipuluar zgjedhjet e viti 1937 me qëllim të siguronin një shumicë në favor të qeverisë. Në këtë kohë, në Korçë botohet “Bota e re” një organ i të majtës ekstreme që del më prill 1936. Ajo jo vetëm del gjatë qeverisë liberale dhe mban hapur kundër regjimit, por ka prirje ta radikalizojë qëndrimin e saj. Është quajtur si tribunë e lirë dhe kundër fajdexhinjve” këto bisha të fshatit të qytetit…shushunja të moçaleve, që nuk ngopen kurrë. Fajdexhiu buzë ska por vetëm dhëmbë. Duar ska, por vetëm kthetra…”.Në këtë kohë flitet për një moratorium dhe këtë e denoncon fillimisht ABC-ja e Tiranës, që ka jetë fare të pakët.”Ka dy vjet, shkruante gazeta-që zhvillohet një luftë në mes të kreditorëve, fajdexhinj dhe debitorëve të mjerë: fajdexhinjtë pakica e vogël, debitorët, shumica prej katundarëve, malësorëve, zejtarëve, tregtarëve dhe nënpunësve të vegjël…Fatkeqësia është se fronti i fajdexhinjve Shtabin e madh e ka ngritur në institucionin më të lartë (parlamenti) që e refuzoi programi e qeverisë së re”… “Bota e re” arrin dhe më shumë në arrogancën e saj ndaj Zogut. Në artikullin përkujtimor të 28 Nëntorit 1936, ajo se përmend fare dhe mbaron me fjalët “Rroftë Shqipëria”…Në faqet e Botës së re janë Migjeni, Nonda Bulka, Dhimitër Shuteriqi, Petro Marko, Misto Treska, Haki Stërmilli, Skënder Luarasi, Qemal Stafa, Aleks Çaçi, Andrea Varfi, Shefqet Musaraj etj…Është dhe Rilindja dhe ABC. Nonda Bulka përshëndet “Shqipërinë djaloshare që po lindte” për ti zënë vendin “Shqipërisë plakë që po jepte shpirt”. Zogu sfal më. Dora ashpërsohet shumë dhe vrulli i publicistëve bie disi. Mbi horizont po shfaqen retë e fashizmit. Disa po rendin që të kapin konjukturën, disa të gjejnë një rrugë të panjohur…që se dinë ku do i çojë.

Epilogu është i dhimbshëm. Migjeni dhe Qemal Stafa vdesin fare të rinj. Petro Marko do vuajë pafund mes burgut dhe indiferencës. Branko Merxhani ikën në Turqi dhe harrohet. Vangjo Korça mbytet. Konica dhe Noli humbasin në SHBA. Kuteli rropatet dhe mbijeton. Poradeci vdes i gjallë. Lame Kodra mbijeton pak dhe përfundon i harruar. Gjergj Bubani arrestohet nga partizanët dhe është ndër gjashtëdhjetë intelektualët, me të cilët merret Gjyqi Special në prill të vitit 1945. Pas lirimit nga burgu, nuk merret me asgjë. Vdes, i tërhequr në shkurt të vitit 1954.

Botuar më 23 maj 2012, në suplementin “Milosao”

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend