Ku gabohet zonja Pack mbi mediat në Shqipëri?

15 Janar , 2014 • Media dhe Politika • by

Nëse do t’u besojmë raportimeve të mediave, zonja Doris Pack, eurodeputete, e afërt me dinamikat e zhvillimeve politike në Shqipëri, ka deklaruar e shqetësuar se : «Zëvendësimi i anëtarëve të këtij Këshilli (AMA, shën. i autorit) ngre pyetje serioze mbi pavarësinë e ardhshme të peizazhit të medias shqiptare dhe kërcënon të prishë përpjekjet e vendit për të kaluar në një sistem TV dixhitalë».
Unë dua ta kuptoj e ta mirëkuptoj thellësisht shqetësimin e zonjës Doris Pack lidhur me faktin se krijimi i pavarësisë së mediave është thelbësor për demokracinë shqiptare në rrugën ende të vështirë dhe të largët që ajo ka përpara. Po ashtu, dëshiroj ta mbështes shqetësimin e saj shumë të drejtë se nuk mund të ndryshohet ligji për Agjencinë rregullatore të Mediave Audiovizive (AMA) sa herë që ndryshohen pushtetet, apo t’i jepet ligjit në fjalë interpretime të sforcuara vetëm për të rivendosur raporte të reja politike atje, e aq më pak të ndodhë që, sa herë ndryshohen pushtetet, të ndërpritet edhe mandati i anëtarëve të AMA–s. 
E gjithë kjo vorbull sjell sigurisht politizime në këtë instancë shtetërore dhe ajo, sikurse i gjithë aparati administrativ i shtetit shqiptar, politizohet. Pluraliteti militant i institucioneve shtetërore apo zëvendësimi i personeleve të administratës më të besuar të partive politike në fuqi ka qenë përherë konsideruar te ne gabimisht dhe qëllimisht si garanci e funksionimit të shtetit. Ende jo nuk mendohet shteti i së drejtës, bazuar në një administratë me punonjësin publik si përgjegjësi qytetare dhe juridike në qendër të tij.
Me gjithë respektin etik për çdo eurodeputet europian në përgjithësi, për kontributin e zonjës Doris Pack në veçanti, detyrohem të vë në dukje se zonja Pack gabohet në disa pika në deklarimin e saj, që duket se ka qëllime të mira.
Mbi të gjitha, as sot e kësaj dite, me këtë kompozim të AMA–s që ekziston aktualisht, peizazhi i medias shqiptare nuk është as i pavarur dhe as i shëndoshë.
Politizimi i informacionit masiv, sidomos i mediave radiotelevizive, në një shkallë të gjerë është karakteristika e peizazhit që nuk përkon me pritshmërinë e qytetarëve dhe me misionin demokratik të mediave. Pra, nuk është fjala te ruajtja e statukuosë, sikurse shqetësohet zonja Doris Pack, por te reformat e duhura që çojnë drejt një medie profesionale, të lirë dhe të zhvilluar mbi bazën e teknologjisë bashkëkohore.
Madje dihet se KKRT (nëna, gjyshja dhe stërgjyshja e AMA-s) asnjëherë nuk ka mundur të fitojë dot pavarësinë e vet ndaj politikës dhe, si e tillë, në mos e ka shkaktuar tërësisht, nuk ka mundur asnjëherë të luftojë për pavarësinë e medias nga politika. Sigurisht, sigurimi i pavarësisë politike të medias dhe garantimi i lirisë së gazetarit është një proces i vështirë, me shumë pamje, i gjatë dhe shpesh kontradiktor. Nuk mund të thuash kurrsesi se varet vetëm nga fakti se si funksionon AMA. Por, kjo e fundit ka shumë për të bërë që rregullat e tregut të mediave të vendosen me drejtësi, të zbatohen me saktësi e pa privilegje, dhe strategjitë e dinamikat e evoluimit të sektorit të industrisë së medias të mendohen dhe t’u hapet rrugë me largpamësi.
Por, nuk mund të themi se rreziku për politizimin e instancave rregullatore të mediave radiotelevizive dhe i peizazhit mediatik lind sot, thjesht nëse preket statusi dhe mandati i anëtarëve të sotëm të AMA–s. A thua se në këto njëzet vite Shqipëria i ka pasur parametrat e realizuar në këtë drejtim!
Të mos mbyllim sytë e fusim kokën në rërë. Fajin për këtë nuk e kanë pasur në origjinë, sipas meje, as anëtarët e KKRT–ve apo AMA-s, as gazetarët, as studentët e Gazetarisë. Një pjesë e madhe e tyre kanë qenë pikërisht viktima të një kuadri ligjor, që ka kërkuar dhe kërkon që statusi i anëtarit të AMA-s të jetë ai i një të përzgjedhuri apo mbështeturi nga grupet parlamentare politike. Ky status as ka garantuar dhe as garanton dot pavarësinë e autonominë e çdo anëtari për të vepruar nën përgjegjësi të plotë ligjore, i pandikuar nga politika dhe presionet e saj, pa shtysat, por edhe pa mbështetjen e mbrojtjen e politikës, për t’u ballafaquar me detyrat e përcaktuara ligjore.
U bë njëzet vite që KKRT-të e ndryshme formohen e shformohen, duke krijuar shumica sipas shumicave parlamentare mirëfilli politike. Anëtarët e KKRT–ve ndryshohen e janë ndryshuar sa herë ka ndryshuar klima politika në vend, mandatet e tyre janë prerë e ndërprerë sa herë politika është ndodhur para konturesh të reja sundimi.
Pyetja që shtrohet është: Pse?
Dhe këtu nuk është fjala thjesht te dixhitalizimi, sikurse vihet theksi te deklaratat e zonjës Pack. Dixhitalizimi dhe liria e pavarësia e medias janë sigurisht të lidhur në një farë mase midis tyre, por liria e medias ka të bëjë mbi të gjitha me të drejtën e informimit masiv, që i është prekur qytetarit shqiptar në një shkallë të rëndësishme dhe me nivelin profesional të medias shqiptare, për të mos thënë pastaj me kushtet e punës dhe të shpërblimit të gazetarëve.
Duhet ta dini zonja Pack se mediat shqiptare, dhe jo vetëm ato audiovizive, ndodhen në një krizë ekonomike dhe profesionale shumë të rënduar, ndoshta si asnjëherë më parë. Nuk është nevoja ta paraqes këtë krizë në të gjithë parametrat e saj, por sipas sondazheve tepër shkencore te të cilat kam akses, besimi i publikut dhe lidhja e publikut me informacionin masiv ka rënë në mënyrë drastike. Mediat shqiptare në një masë të madhe nuk kanë fuqi të rekrutojnë më gazetarë dhe keqpaguajnë ata që janë ende në punë.  Pjesa dërrmuese e atyre që duket se mbijetojnë, mbështeten në injeksione subvencionimesh lajmërimesh dhe publiciteti a marrëdhëniesh publike shtetërore. Mbivendosja e propagandës dhe e strategjive të marketingut ndaj informacionit është në shkallë të paimagjinueshme. Mediat lokale ndodhen në një gjendje rrënimi. Blerjet dhe abonimet e shtypit janë në nivele që nuk lejojnë dot mbijetesën e tij. Gazetari është nën presionin e forcave që e pengojnë të japë një informacion të lirë dhe të pavarur. Qytetari është i informuar keq para një ekrani gjithmonë e më të politizuar. Lajmi i huaj pothuajse është i paqenë etj.
Sigurisht këtu ndikimet janë edhe nga kriza ekonomike botërore. Por, një pjesë e tyre në mediat radiotelevizive shqiptare vijnë pikërisht sepse AMA nuk ka as pavarësinë politike, as fuqinë ligjore, as kompetencat juridike dhe administrative, as statusin, që të luajë rolin e rregullatorit në peizazhin mediatik audioviziv shqiptar duke imponuar atje rregulla, norma, praktika që respektojnë lirinë e informacionit, saktësinë dhe paanshmërinë e kërkuar të tij, as rregullimin e tregut të industrisë së informimit, të reklamave apo përgjegjësinë e gazetarëve për informacion publik transparent.
Kjo është gjendja e vërtetë dhe këtu nuk është fjala se ndryshimet e bëra do të vendosin në diskutim pavarësinë e peizazhit mediatik audioviziv shqiptar dhe çekuilibrimet e tregut të informacionit. Ai është tanimë edhe i politizuar, edhe i çekuilibruar, edhe i rriskuar nga kriza e presionet politike. Ndryshimet në instancën rregullatore për të transformuar atje raportin e forcave politike, sido që të paraqiten, sigurisht nuk e rregullojnë aspak problemin. E vazhdojnë të njëjtin sistem. Por, edhe gjendja aktuale nuk është për t’u mbrojtur dhe justifikuar.
Kurse për sa u përket anëtarëve të AMA–s, flas në parim, për sot dhe për nesër, nuk kuptoj se përse është ruajtur gjithë kohës një kuadër juridik rregullues i statusit të tyre që nuk u ngjan atyre të vendeve perëndimore të BE?
Na thuhet se këto janë kushtet e Shqipërisë? Si është e mundur që e keqja qenka për kushtet shqiptare dhe jo e mira?
Vazhdon amalgama e ndërtimit të ligjeve, ku huazohen andej-këndej elemente ligjore që japin pastaj si output një situatë juridike, e cila i ngjan një kaosi. Sjelljen e politizuar të institucioneve rregullatore në media dhe pastaj politizimin e peizazhit mediatik shqiptar duhet ta gjejmë si origjinë pikërisht te kuadri juridik, që nuk i siguron anëtarit të AMA-s dhe pastaj vetë institucionit që të funksionojë si institucion i shtetit të së drejtës, si administratë publike, por e trajton atë si agjenci ekuilibrimesh politike, si arenë e sherreve politike për kontrollin mbi peizazhin mediatik të vendit.
Puna është se ky kuadër juridik në të dy këto dekada gjithmonë na është thënë se është aprovuar nën miratimin e këshilltarëve të BE.
Aty duhet parë problemi. Te rrënja, jo te degët. Nuk është fjala të ruhen medoemos këta anëtarë që janë të AMA–s, ndonëse ata që kanë mandatin duhet t’u respektohet, apo të zëvendësohen me të tjerë, pa na garantuar se do të ketë një kuadër tjetër juridik që do të sigurojë sjelljen e tyre ligjore dhe profesionale të rregullt e të dobishme. Qytetari kërkon që AMA-s t’i jepet pavarësia politike duke marrë modelet perëndimore, dhe jo të trajtohet si dje, si sot, si nesër, si «kamxhik» apo «kulaç» i politikës mbi mediet dhe gazetarët apo pronarët e mediave.
Ka praktika, ka përvoja, ka modele shumë të mira për ta bërë këtë punë, shumë më mirë për ta bërë sesa shqetësimit të kotë në thelb për t’u kujdesur vetëm për raportin politik brenda institucioneve të shtetit të së drejtës.
Minimumi, anëtari i AMA-s duhet të jetë punonjës publik, me punësim të plotë atje, me një status që nuk i lejon të bëjë asnjë punë tjetër, i paguar në nivelin e detyrave të veta dhe i paheqshëm nga detyra për asnjë lloj rrethane, veç atyre që bëhen në rrugë gjyqësore, nëse trupi gjyqësor e konsideron të drejtë. Vetëm kështu do të krijohen, bashkë me ndryshime të tjera ligjore, kushte që ai t’u shpëtojë presioneve që i vijnë nga operatorë të ndryshëm të medias, nga politika, por do të kenë kontrollin e fortë të ligjvënësve, e madje edhe të organeve të së drejtës, duke u ballafaquar me kërkesat e ligjit dhe ankimimet e operatorëve të mediave.
Sot në Shqipëri ka dhjetëra studime shumë të mira, me qindra faqe e mijëra të dhëna rreth mediave, ku argumentohet gjithçka them, si ekspertizë, si analizë dhe si propozime. Ka tashmë një komunitet kërkuesish shkencorë me nivel të lartë. Gjithçka është e studiuar, e analizuar dhe e shprehur qartë. Por, askush, as ekspertët europianë nuk e kanë konsultuar dhe dëgjuar. Pse? Sepse shpeshherë ekspertët teknikë vendës injorohen duke mos u marrë në konsideratë. Marrja e mendimit kufizohet vetëm te konsultimi me politikanët, hajde edhe me disa operatorë mediatikë që janë të lidhur me ta, ndërsa përtej këtij rrethi nuk shkohet. Kështu privohen vendimmarrësit nga një pasuri ekspertize që ekziston, por braktiset me ose pa qëllim.
Ekspertët europianë që vijnë për ndihmë dhe këshillim, duhet të kontaktojnë me ata vendës, sikurse me gazetarët vendës. Në masë. Qytetari shqiptar kërkon në përgjithësi të komunikohet me të. Përndryshe, është ideali europian që dobësohet në opinionin publik shqiptar. E pastaj diagnostikimi i problemeve, jo vetëm i atyre në media, bëhet i cunguar e, për pasojë, edhe këshillimet, sugjerimet dhe alarmimet nuk janë ato që duhen.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend