Kritika e kritikës dhe patologjia e pushtetit

19 Gusht , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Gazetarët që kanë kritikuar të gjitha qeveritë e derisotme, të gjitha kokat e politikës së sotme, do ta kritikojnë edhe pushtetin e nesërm … Sepse ata rrojnë me kritikën, si vetë gazetaria.

Gazeta e qeverisë “RD” ka lëshuar një tjetër sulm kundër gazetarëve kritikë ndaj qeverisë duke thelluar brazdën e zhanrit të kritikës së kritikës, tipik për pushtetet antiliri. E keqja është se artikullshkruesi, një gazetar, i shërben pushtetit duke akuzuar kolegët e tij kritikë të qeverisë se i shërbejnë opozitës. Por ai ka denoncuar diçka që është evidente dhe pra, që s’ka nevojë të denoncohet. Sepse që kritika e një gazetari ndaj qeverisë çon ujë në mullirin e opozitës nuk kërkon kalem. Por puna ndryshon kur një gramafon i pushtetit nis e akuzon gazetarët kritikë për qeverinë (kritikë në të dy kuptimet) pikërisht si grafomanë të paguar nga lidershpi i PS pra, i akuzon ata se mbajnë me lidershipin opozitar të njëjtin raport që ai mban me pushtetin!

***

Akuza e parë që u bëhet gazetarëve është se nxijnë realitetin. Tipikisht boshti i luftës së klasave dhe tipikisht akuza që i bëhej çdo kulaku apo armiku klase nën diktaturë. Sipas këtij kalemxhiu të rëndomtë, këta gazetarë nuk gabojnë që e kritikojnë qeverinë për varfërinë, sepse “vetë Kryeministri e pranon se ka edhe varfëri”. Po ku e kanë gabimin? Në faktin që standardi i jetesës së familjes shqiptare është qindfishuar në krahasim me ‘90”! Vërtet, sa smirëzinj këta gazetarët kritikë të qeverisë që nuk shikojnë këtë arritje madhështore të saj që na shfaqet nga krahasimi me vitin 1990. Pa le po të krahasohemi me vitin 1938, pikën e referimit të fitoreve të PPSH. E megjithatë, demokratët kanë pikë referimi vitin ’90. Po në raport me Europën si jemi? Po të ishte i aftë për disa llogaritje të thjeshta, artikullshkruesi, qartas i etur për të lexuar ngado “fitorje”, do zbulonte se jo pak shtresa sot në Shqipëri jetojnë më keq krahasuar me vitin ’90.

Po lidhur me papunësinë? Edhe për këtë plagë nuk u dashka kritikuar, sepse ekzistencën e varfërisë e ka pranuar edhe Kryeministri. Por ç’duhet bërë? Duhet theksuar se ata që punojnë (duke mos harruar edhe emigrantët që si paguan qeveria!) paguhen dhjetëra herë më shumë se në ’90-n. A nuk duhet të themi se Kryeministrit ka premtuar 160 mijë vende pune dhe nuk ka bërë asgjë për të mbajtur këtë premtim? Jo sepse është nxirje e realitetit. Sepse në fund të fundit efektet e krizës globale ndihen edhe te ne. Vërtet?! Po a nuk ishte Kryeministri i dashur që këndonte refrenin se kriza nuk e ka prekur Shqipërinë në sajë të politikave të shkathëta të qeverisë? Si të pranojmë se kriza na ka prekur, pa mohuar edhe mrekullinë qeveritare? Por edhe këtu shkarrashkruesi i qeverisë na e mbyll gojën. Nëse varfëria dhe papunësia qenkan kaq kritike, përse nuk ankohen as të varfrit dhe as të papunët?! Në fakt, ata ankohen, por nuk i dëgjon kush. As shkarrashkruesi. Aq më pak qeveria. Sepse janë të paorganizuar. Po pse janë të paorganizuar? Kjo shpjegohet me fitoren e parë të Sali Berishës, shkatërrimin e sindikatave të cilat i ktheu në “të pavarura” sipas modelit leninist të rripave të transmisionit.

***

Sipas artikullshkruesit të gazetës së pushtetit për varfërinë dhe papunësinë ankohen vetëm ata që lahen në “banja floriri”. Këtë akuzë të fundit e ka marrë nga Berisha. E si mund të bëjë gabim politik një militant duke harruar të hedhë në picën e kritikës së kritikës pak piper nga ai i udhëheqësit të madh? Madje edhe artikulli në organin e pushtetit është nxitur nga shqetësimi që disa gazetarë guxojnë të kritikojnë pa mbarim udhëheqësin e madh duke bërë edhe sakrilegjin të shprehen për domosdoshmërinë e largimit të tij nga pushteti pa mbarim. “Midis tyre, shquhej si gjithnjë Andrea Stefani, i cili nuk ka objeksion tjetër veç Berishës dhe berishizmit (me sa duket nxjerr bukën e fëmijëve), bënte paralelizma edhe më të fantaksura se zoti Nano (Mustafa), duke na sjellë në faqet e shtypit Hitlerin dhe Stalinin”. Kështu shkruhet në artikull. Më në fund thanë një të vërtetë! Unë e nxjerr bukën e kalamajve të mi me profesionin e gazetarit. Dhe me disa kolegë të tjerë, kemi zgjedhur të nxjerrim bukën duke kritikuar pushtetet. Sepse besojmë që qeveria është gjithnjë problemi. Kjo na dallon nga disa kolegë të tjerë gazetarë që kanë zgjedhur të nxjerrin pak më shumë se bukën e gojës, duke i shërbyer pushtetit dhe që për këtë shkak, problemi për ta është përherë opozita dhe gazetarët që i volisin opozitës. Dhe opozita si dukuri e urryer, ka qenë tipar i politikës së një farë Hitleri që e nisi me shantazhe e sharje ndaj opozitës dhe e përfundoi me burgosjen e saj. Edhe gazetaria në favor të pushtetit ka qenë tipike për një farë zotërie me emrin Gebels. Ky i fundit arriti “… që ngjizja e brumit mediatik (të) bëhet me maja politike, duke perversionuar zakonet gazatareske”. Ata demonë nuk i përkasin vetëm së kaluarës, por janë ende mes nesh. Presin vetëm çastin. Po kush ra nën pushtetin e demonit dhe nuk e perceptoi si engjëll? Kjo na bën që t’i shohim kolegët tanë që na sulmojnë si viktima të pushtetit. Artikulli tendos harkun drejt gazetarëve kritikë të pushtetit për tendenca të tepruara të protagonizmit politik “me pasoja katastrofike për pushtetin e katërt”. Por shigjeton vetveten. Sepse është absurde të fajësohen për protagonizëm politik gazetarë që kritikojnë një qeveri dhe të mburren si profesionistë, mburrësit dhe servilët e pushtetit. Aq më tepër kur disa nga këta gazetarë që kritikojnë Berishën sot, kanë kritikuar edhe Fatos Nanon kur ishte në pushtet, edhe Ilir Metën kur ishte dhe sot kur është në pushtet madje, edhe Edi Ramën për gabimet që ka bërë në opozitë. Dhe përherë ka patur puthadorë pushtetesh që i kanë sulmuar. Kur kritikonin Fatos Nanon i akuzonin se u shitën te Berisha. Kur kritikonin Edi Ramën, i akuzonin si të shitur tek Ilir Meta. Kur kritikojnë Ilir Metën dhe Berishën, i akuzojnë si të shitur te Edi Rama. Por kritika e kritikës harron dy gjëra: 1) Ata që janë shitur nuk kritikojnë dot ata që i kanë blerë dhe 2) Ata që janë shitur nuk nxjerrin bukën e gojës, por lahen në vaska floriri. Zgjidhni e merrni.

***

Kritika e kritikës, ndërsa mbron me pasion Berishën duke sulmuar kolegët gazetarë, të dëshmojnë një herë të vetme kur ka shkruar një bashkëtingëllore kundër Berishës. Mbi bazën e kësaj logjike dhe të këtyre fakteve, gjykohet se kush mban raporte prej skllavi me padronin e tij politik, gazetarët që kanë treguar se kanë kurajën të kritikojnë këdo lider në pushtet, apo ata që sulmojnë këdo që kritikon liderin e pushtetit? Gazetarët që kanë kritikuar të gjitha qeveritë e derisotme, të gjitha kokat e politikës së sotme, do ta kritikojnë edhe pushtetin e nesërm edhe sikur ai të mos jetë i Berishës. Sepse ata rrojnë me kritikën, si vetë gazetaria. E në qoftë se pushteti do jetë përsëri i Berishës, ata përsëri do ta kritikojnë. Edhe pse një gjë e tillë nuk është pa kosto. Sepse ndryshe nga sa propagandon artikullshkruesi, në Shqipëri ka dhunim të fjalës së lirë. Presionet e kohëpaskohshme mbi mediat të ndryshme e faktojnë këtë dhunë. Mbyllja e gazetës “Tema” është provë e turpshme e kësaj dhune që sofistikohet deri në luftën e pazëshme që u bëhet gazetarëve në jetët e tyre private. Një kosto që mund të bëhet edhe më e rëndë nëse pushteti nuk pëson rotacion sa më shpejt të jetë e mundur. Por gazetarët kritikë me qeveritë, do ta kritikojnë Berishën edhe sikur ai të jetë në pushtet edhe pas vitit 2017, sikundër kërcënon. Dhe shkarrashkruesit e pushtetit do t’i kritikojnë këta gazetarë, do qahen se përse merren përherë me Berishën. Duan ta paraqesin këmbënguljen për të kritikuar një pushtet të përjetshëm si patologji, në një kohë që e vetmja gazetari e shëndetshme që i duhet sot Shqipërisë, është ajo kundër patologjisë së pushtetit të përjetshëm. Nuk ka asgjë personale. Raporti është objektiv. Pushteti i përjetshëm – kritikë e përjetshme. Ose deri kur liria e kritikës të triumfojë, ose derisa të ketë mbetur edhe një grimë lirie për fjalën.

Botuar në gazetën Shqip, 5 Qershor 2012

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend