Gazetarët e shkarkuar, asnjë privilegj nga fronti mediatik

20 Janar , 2017 • Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Publikimi i deklaratës së pasurisë të deputetit Alfred Peza, i cili raportonte të ardhura jashtëzakonisht të larta, prej rreth 950 milionë lekësh, të pretenduara si kursime familjare gjatë kohës kur punonte gazetar e drejtues në media dhe publikimi i një liste emërore pagash gazetarësh të njohur në vend (vërtetësia e së cilës mbetet për t’u konfirmuar) e kanë kaluar diskutimin në një plan të ri, jo vetëm teknik e ligjor, por edhe etik. Le të qëndrojmë këtu!

Përtej debatit mbi origjinën e parave, pyetja që shtrohet është se në ç’mënyrë financohet media sot? Sa dhe si kushtëzohet raportimi objektiv prej kostove financiare që sigurojnë prodhimin e lajmit?

Në kushtet e një vale pakënaqësie në rritje ndaj medias tradicionale, çështja ka brenda elementët e një urgjence që nuk duhet anashkaluar. Pavarësisht mënyrës se si raportohet, ngjarjet e fundit kanë krijuar përshtypjen se tregu i raportimit në Shqipëri rezervon fitime të majme.

Por nuk është kështu!

Si në çdo treg të shpërfytyruar dhe informal, edhe në tregun e medias përfiton vetëm një pakicë, pasi përkushtimi për të shërbyer dhe jo përkushtimi profesional ndaj të vërtetës është kriteri qëndror i vlerësimit.

Me dallime të qarta brenda saj, por sidoqoftë, duke përjashtuar pak emra, lista e gazetarëve “bosa” nuk reflekton të vërtetën mbi tregun e zymtë mediatik. Gazetarët e pasur janë një grup shumë i vogël, puna e të cilëve më së shumti është thjesht një shpërblim i majmë për mbështetjen e interesave të palëve dhe jo kontribut ndaj raportimit objektiv, lirisë së shprehjes dhe debatit publik!

Në një vend si Shqipëria, ku grabitja është kthyer në dhunti kombëtare, ku transparenca dhe llogaridhënia qeveritare janë të huaja dhe ku sundojnë indiferenca dhe arroganca, prurja editorialiste e tejmbushur me opinione—shumica të panevojshme, abuzuese me faktet apo megallomane e delirante—në dëm të raportimit dhe hulumtimit gazetaresk janë pjesë e bashkëfajësisë në këtë krim.

Por përpara se të nxjerrim përfundime, le ta shohim panoramën mediatike nga një tjetër këndvështrim. Nga një bazë më e gjerë, përmes dhjetëra reportuesve të tjerë, një pjesë e të cilëve anonimë, që cfiliten për të siguruar një pagë, që për një pjesë të tyre shkon për shlyerjen e borxheve dhe huave bankare. Natyrisht, nuk kam ndërmend të shkruaj një reportazh me titull, njëzet e katër orë nga jeta e një reporteri! Por po sjell vetëm pak raste për të ilustruar jo fitimet, por humbjet që pësojnë disa, për të cilët integriteti profesional peshon më shumë se shpërblimi që ata marrin.

Për këtë iu drejtova Gjykatës së Tiranës.

Nga një shqyrtim i imët i dosjeve gjyqësore, vetëm në tre vitet e fundit, vihet re se numri i padive të ngritura nga gazetarët ndaj mediave për të cilat ata kanë punuar, arrin në dhjetëra. Janë të gjitha padi për marrëdhënie pune, si pasojë e pushimit të padrejtë nga pronarët.

Në një treg të lirë, ku marrëdhënia mes punëmarrësit dhe punëdhënësit shihet si një raport juridik mes palëve, ky konflikt duket i zakonshëm, në pamje të parë. Por nëse lexon me kujdes, kupton se ndërprerja e marrëdhënies së punës ka qenë e menjëhershme. Nga dosjet gjyqësore mëson gjithashtu se shumica e tyre punojnë pa kontrata të shkruara pune, madje disa janë përfshirë prej vitesh në një marrëdhënie të tillë informale.

Në 5 prill 2016, në Gjykatën e Tiranës u regjistrua çështja civile me numës 7818, ku gazetari investigativ Spartak Koka paditi televizionin News 24 për zgjidhje të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara të kontratës së tij të punës. Çështja u vu në vëmendje të Zyrës së OSBE-së dhe Freedom House reagoi përmes një deklarate. Pas pesë muajsh, çështja u pushua me marrëveshje.

Çështja civile me numër 4362 i referohet televizionit Vizion Plus, i paditur nga gazetarja e kronikës Keti Banushi për zgjidhje të menjëhershme dhe pa shkaqe të justifikuara të kontratës së punës. Ndonëse e punësuar prej gjashtë vitesh në këtë televizion, marrëdhënia e saj e punës u deklarua formalisht vetëm në vitet e fundit. Por, sipas gjykatës ajo nuk arriti t’i provojë shkeljet e pretenduara dhe në mënyrë ironike televizioni i paditur ia doli të provojë prapësimet e tij edhe mbi bazën e akteve të nxjerra pasi kërkesë-padia ishte depozituar në gjykatë!

Deri tani gazetarja nuk është shpërblyer për dëmin e shkaktuar ndaj saj, megjithëse prej gjashtë vitesh ka punuar me orë të gjata dhe në kushte të vështira pune në redaksinë hetuese të kronikës së zezë.

Denisa, filloi si gazetare në Vizion Plus në janar të vitit 2011. Pas tre vitesh, fare papritur, ajo u pushua dhe iu kërkua të largohej nga puna.

Në çështjen civile me numër 6309 i padituri ishte përsëri televizioni Vizion Plus. Por vendimi “Në emër të Republikës”, Nr. 10328, e rrëzoi kërkesë-padinë duke argumentuar se marrëdhënia e saj e punës me televizion Vizion Plus nuk u arrit të provohej! Pretendimet e palës paditëse përmes provave filmike, emisioneve dhe edicioneve informative, ku gazetarja në fjalë ishte figura qendrore e ekranit u konsideruan si të pamjaftueshme për të provuar marrëdhënien e pretenduar të punësimit!

Fatkeqësisht, në mungesë të shpërblimit të pretenduar, palës paditëse iu ngarkuan dhe shpenzimet e procesit gjyqësor.

Si për ironi, pala e paditur e shpërfilli procesin duke mos qenë prezente në shumicën e seancave, gjatë të cilave u zhvillua ky proces gjyqësor. Siqoqoftë kjo nuk është e vetmja çështje që televizioni ”Vizion Plus” është paditur në Gjykatë nga ish-gazetarët e tij.

Arben Mevlani, moderatori i njohur i edicioneve televizive, fillimisht në TVSH e më pas në Top Channel, u pushua fare papritur nga ky i fundit, pas dhjetë vitesh bashkëpunim. Konflikti përfundoi në gjykatë dhe në përfundim të procesit vendimi rezultoi pjesërisht në favor të paditësit. Televizioni Top Channel u detyrua t’i paguajë paditësit një dëmshpërblim financiar në masën e gjashtëmbëdhjetë muajve punë.

Alida Tota, gazetarja që u pushua menjëherë sapo filloi transmetimin mbi reportazhet hetuese mbi vrasjen e Ardit Gjokljat, në Landfillin e Sharrës, në televizion A1 News, ka regjistruar një kërkesë-padi ndaj shoqërisë mediatike TV Ballkan sh.a., ku i kërkon administratorit të televizionit dëmshpërblim për zgjidhjen e kontratës pa shkaqe të arsyeshme. Padia civile është regjistruar në nëntorin e shkuar në Gjykatën e Tiranës dhe ende nuk është zhvilluar seanca e parë, por mundësitë që çështja të zgjidhet në favor janë të errëta.

Rasti i pushimit të gazetares Tota mori vëmendjen e duhur nga opinioni publik, përfshirë edhe reagimin e institucioneve ndërkombëtare, por dëshpërimisht Komisioni i Medias pranë Kuvendit të Shqipërisë e shpërfilli një kërkesë për zhvillimin e një seance dëgjimore me praninë e saj.

Stafi i emisionit Públicus që e refuzoi urdhrin për ndalimin e transmetimit të dokumentarit “Kodrina e vdekjes” nga administratori dhe aksionerët e televizionit Vizion Plus, e për pasojë edhe bashkëpunimin e mëtejshëm me këtë televizion, rezulton të jetë ende i papaguar për punën e kryer, pavarësisht nga marrëdhënia kontraktuale me autoritetet e televizionit.

Artan Rama

Por çështjet e mësipërme nuk janë të vetmet dhe lista e televizioneve, ndaj të cilave gazetarët kanë ngritur padi për shkak të ndërprerjes së njëanëshme të punës, përfshijnë pothuajse të gjitha televizionet kryesore. Nuk përjashtohen nga kjo listë televizioni Klan, Ora News, AL-SAT e më gjerë.

Shumicën e proceseve gjyqësore gazetarët e humbasin për shkak të mungesës së dokumentacionit, por dhe të ekspertizës juridike, kundrejt përballjes me kompani mediatike të pajisura me grupe juristësh të mirëpaguar prej tyre. Aq dëshpëruese është situata saqë, pothuajse në të gjitha rastet, pretendimet e palës paditëse nuk e tejkalojnë kërkesën për shlyerjen e dëmit pasuror, duke lënë të paartikuluar dëmin jo pasuror.

I referova këto raste për të dëshmuar se “parajsa” në media nuk është rregull, por përjashtim i tij. Media siguron të ardhura dhe mbron interesat financiare vetëm të një pakice.

Por rreziku nuk qëndron tek një pakicë e blerë lehtësisht dhe denigrimi i një shumice të shpërfillur, ndonëse këto fitime të majme e godasin reporterin e thjeshtë drejt e në ndërgjegje. Dhe duhet shumë kurajo për të mos u rrëzuar. Duke e zhvlerësuar të vërtetën ata po blejnë mashtrimin; i japin peshë, kosto dhe rëndësi.

Nga ana tjetër, komentet apo diskutimet e orëve të fundit mbi ekzistencën e një pakice të mirëpaguarish mund të krijojnë përshtypjen e rreme për gjoja praninë e pronarëve bamirës në media. Por në arenën e grabitjes për të kontrolluar shërbimet publike nuk ka asnjë bamirësi.

E themeluar si një taktikë mbrojtjeje, infrastruktura mediatike tradicionale ka kaluar në pozita sulmi. Në këtë betejë ajo ka nevojë për ushtarët e saj. Ata ndahen në dy kategori: një pakicë e vogël e zgjedhur për të shërbyer dhe ushtria e madhe e skllevërve të papërfillshëm. Dhe me kalimin e kohës, me rritjen e fuqisë mediatike transformohet edhe hierarkia. Një shtresë e re shërbyesish të shërbyesve janë krijuar.

Por pavarësisht strukturimit, përdorimit, shërbimit, apo përkushtimit parimor, rezultatet tregojnë se fundi është gjithmonë i njëjtë, përsa kohë që varësia financiare nuk ndryshon, çka hap një tjetër debat.

Përtej asaj, se sa fiton një gazetar, pyetja që rrjedh është: si mund të sigurohen burime financimi për të realizuar pavarësinë; për të ndërtuar një media për publikun, si alternativë ndaj medias së biznesit që sheh interesat e saj të ngushta përpara interesit publik?

Sepse, në tregun e të mirave materiale, informacioni është një produkt i shitshëm që kushton. Por a i kanë gazetarët mjetet për ta prodhuar atë? Sot, shumica e tyre janë të vetëm, pa mbështetje dhe të varfër.

Ndonëse numri i shoqatave të gazetarëve arrin në disa dhjetëra, mbrojtja ndaj tyre është e vakët. Nuk ka një aksion të qartë e të vijueshëm për të mbrojtur marrëdhënien e tyre të punës. Një situatë nënshtrimi që prodhon një autocensurë të heshtur e të padukshme. Pra, nuk ka asnjë privilegj në tregun mediatik!

Reagimet zyrtare, në vend të sigurojnë mbrojtje, kanë nxitur reagime negative ndaj tyre.

Duke i futur të gjithë në “një kazan”, tinëzisht ata blejnë disa, në shkëmbim të një përkushtimi të pështirë. Për të krijuar kështu, iluzionin e raportimit të lirë dhe maskën e një të vërtete që s’është gjë tjetër, veçse qëllimi i vjetër për të grabitur, përmes demagogjive të reja.

Burimi: http://shuplaka.com/5-gazetaret-e-shkarkuar-asnje-privilegj-nga-fronti-mediatik/

Print Friendly

Tags:, , , ,

Send this to friend