Censura me qime të ndërruar

27 Shtator , 2015 • Kryesoret, Liria e medias, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Nga Ardian Vehbiu.

Përfytyrimi im për rolin e intelektualit publik është se ky duhet të artikulojë pikërisht qëndrimin dhe pozicionet e publikut kundrejt pushteteve.

Në një debat që patëm zhvilluar vite më parë këtu në blog, Pishak Zhgaba pat sjellë një pikëpamje tjetër që më duket me interes: për të, intelektuali publik duhet të jetë në gjendje të bëjë pyetjet e duhura. Nuk jam 100% i bindur për këtë, por më ngacmon shumë si ide. Prandaj edhe kam vërejtur, më se një herë, se në mass mediat në Shqipëri rolin e intelektualit publik e kanë uzurpuar prezentatorët televizivë, ndërsa ata që duhej të vepronin si intelektualë po luajnë rolin e ekspertëve; dhe më në fund, vetë ekspertët, janë katandisen në megafonë partiakë (këtë e kam trajtuar edhe tjetërkund këtu në blog).

Ka pra një pështjellim rolesh, një shkëmbim karrigesh. Dhe duke rrezikuar të përsërit veten, po shtoj që ky përçudnim i rolit të intelektualëve publikë që bëjnë ekspertin, nuk është pa lidhje, përkundrazi, me emërimin në poste që kërkojnë ekspertizë dhe eksperiencë të madhe, të militantëve partiakë, të pionierëve dhe të personave teknikisht inkompetentë. Për këtë ka faj të drejtpërdrejtë kushdo që i ka propozuar dhe/ose i ka miratuar emërime të tilla.

Le të themi ketu edhe se eksperti dhe “gjithologu” nuk janë kategori ekuivalente: nëse duam, mund të vendosim një barazim midis ekspertit të mirëfilltë dhe intelektualit publik nga njëra anë; dhe ekspertit të shitur ose inkompetent, dhe llafazanit publik nga ana tjetër.

Të mos harrojmë edhe se nuk ekziston asnjë projekt publik që ka shkatërruar natyrën, ose gjeografinë ose indin urban, ose mjedisin, ose vlerat kulturore dhe qytetare, ose ka bërë dëme të tjera në kufi të krimit masiv, që të mos ketë gëzuar mbështetjen e hapur dhe formale të ekspertëve përkatës; çka nuk do të thotë se ekspertët janë si të tillë të korruptuar, por vetëm se kur pushteti ka nevojë për një ekspert të korruptuar, gjithnjë e gjen, aq më tepër sot kur kafenetë i ke të mbushura plot me profesorë dhe doktorë.

Në programe televizive nuk sheh vetëm klounë gjithologë që hiqen si ekspertë edhe pse e kanë kokën bosh, por edhe njerëz që duhej të ishin teknokratë, për nga posti që mbajnë dhe rroga që paguajnë, por që në fakt nuk e kanë idenë se për çfarë flitet. Këta janë teknokratë të marrë nga rruga ose të rekrutuar drejt e nga dance floor për t’u vënë në krye të institucioneve delikate, për të mos folur për analfabetët që janë përfshirë në listat e deputetëve dhe janë vënë të legjislatojnë në Parlament dhe militantët partiakë ose rapsodët që i sheh të krekosur në gjithfarë ambasadorllëqesh dhe këshilltarllëqesh; dhe për të mos folur për doktoraturat plehra, të cilët gjithfarë plehraxhinj i varin pastaj pas emrave, si gjeneralët e Amerikës Latine dekoratat në gjokset prej pulastreni. Le të mos harrojmë, pra, se me ekspertë të tillë përplasen gjithologët në show-t televizivë. Ironikisht, kur gjenden përballë karikaturave të tilla, edhe ekspertët e mirëfilltë, ose njerëzit që kanë harxhuar shumë mund për t’u formuar intelektualisht, tundohen menjëherë për të kaluar në rolin e intelektualit publik.

Ky mërgim masiv nga shoqëria civile në politikë ka prekur deri edhe instancat më të larta të shtetit. Vetë kryeministri Rama e pat filluar dhe konsoliduar karrierën e vet si eseist dhe opinionist dhe intelektual publik përfaqësues i shoqërisë civile, edhe pse me profesion piktor – pa çka se sot që është në krye të punëve të vendit e dëgjojmë të prononcohet për Europën, sistemin bankar, emigracionin, bujqësinë, turizmin, shëndetësinë, arsimin, you name it; edhe pse – në thelb – atij i mungon ekspertiza për të gjitha këto. Por nuk ka asnjë problem këtu, të kesh një kryeministër që sipas standardit të disave do të ishte edhe ai “gjitholog” – sa kohë që ai di se ku dhe si të konsultohet para se të flasë. Pa qenë ekonomist, pa qenë jurist, pa qenë politolog, pa qenë diplomat. Të jesh i zgjedhur në detyrë nuk të bën ekspert. Por nuk do të ishte aspak FAIR që t’ia kritikoje ato që thotë, me argumentin se i mungon ekspertiza. Mund t’ia kritikosh, natyrisht, me argumente specifike; por jo me ad hominem të kësaj natyre. Kur politika toleron madje përshëndet që në krye të ekzekutivit të dalë një intelektual publik, atëherë pse kjo intolerancë me mungesën e ekspertizës të dikujt që nuk pretendon të flasë si ekspert, por vetëm si qytetar?

Të gjitha këto kanë qenë shqetësim imi prej shumë vjetësh, të them njëzet nuk ekzagjeroj. Për këtë kam prova. Dhe shqetësime të tilla unë i shpreh në publik, i vetëdijshëm se ndonjëherë edhe do të gaboj: dhe i mbështetur në informacion të gabuar, kam thënë gjëra që nuk qëndrojnë dhe pastaj i kam tërhequr. Por kjo ka ndodhur relativisht rrallë. Më shpesh ka ndodhur të më thuhet – nga njerëz të afërt dhe të brendshëm të pushtetit – se nuk kam qenë i informuar, ndonjëherë edhe thjesht me synimin për të më mbyllur gojën, për të më vuvosur. E vërteta është krejt e kundërt: që unë shpesh nuk i përdor të gjitha informacionet që kam, sepse dua të ruaj masën dhe synoj të mbaj gjithnjë parasysh kontekstin.

Ata që më kundërshtojnë thonë: po ç’vlerë ka kritika jote, kur ti e pranon vetë se je i painformuar? Këtyre do t’u përgjigjesha: edhe atëherë ka vlerë, sepse u jep të kritikuarve një ide se ç’përshtypje po lë puna e tyre dhe sjelljet e tyre në publik; pavarësisht nga shkalla e informimit të atij që kritikon. Me kusht që të pranojmë se kritikuesi, në këtë rast unë, nuk ka qëllime të tjera, praktike, keqdashëse. Aq më tepër që një kritikë e gabuar mund të korrigjohet drejtpërdrejt; dhe vetë procesi i korrigjimit nuk është pa përfitime. Sepse ndonjëherë duket sikur këta që acarohen nga çdo kritikë që u vjen nga shoqëria civile dhe “gjithologët” parapëlqejnë që kritikat t’u vijnë vetëm nga opozita; meqë opozita dihet që nuk kritikon për të ndërtuar, por vetëm për të shkatërruar; dhe pastaj qëllimet e opozitës dihet se ç’janë. Mirëpo jo çdo kritikë bëhet për motive ngushtësisht politike, ose për të sjellë kundërshtarët në pushtet – ka edhe të tilla që shprehin thjesht mospajtim, mospëlqim; ose që konstatojnë gabime, faje, gënjeshtra. Mund të përdoren për qëllime politike nga palë të treta, por kjo nuk është arsye për t’i shurdhuar që në burim.

Madje ndonjëherë më pëlqen të përdor informacionet që japin mediat, sepse edhe publiku këto informacione ka; dhe kur gjykon për punët, i bazon në informacione të tilla, jo në atë të vërtetën TJETËR, që e shohin ata që janë brenda. Dhe, në fund të këtij arsyetimi, unë nuk besoj se – për shembull – një ministër arsimi e njeh më mirë shkollën sesa një prind, që shqetësohet se çfarë po i mëson fëmija. Ministri i sheh gjërat nga këndvështrimi i vet, prindi nga këndvështrimi i vet; por të dy këndvështrimet janë legjitime. Dhe mua, si njeri që flas herë pas here në publik, më intereson veçanërisht ky i dyti, sepse ministri shkon dhe vjen; ndërsa ai fëmija që sot gjymtohet mendërisht në shkollë, do të mbetet ashtu gjithë jetën – teksa ministri i çon fëmijët e vet në shkolla të huaja në Europë (këtu nuk dua të bëj kurrfarë aluzioni personal për ministren Nikolla; po flas në përgjithësi).

Le të shtoj këtu edhe se, kur flitet zakonisht për debatet publike dhe “kontaminimin” e tyre prej gjithologëve, merret si e mirëqenë që këto debate janë gjithnjë televizive dhe konsumohen para kamerave; por unë kam frikë se televizioni është spektakël para se të jetë debat; dhe se mediat e shkruara kanë dështuar krejtësisht në rolin e tyre, më shumë edhe se politika dhe biznesi dhe kultura; dhe se ky dështim i mediave nuk është dhe aq i rastësishëm.

Përkundrazi, blogu Peizazhe të fjalës, ku unë ushtroj të drejtën edhe për të qenë sipas rastit “gjitholog” dhe për të gabuar në kritikat e mia për “mungesë informacioni”, përpiqet të ofrohet si vend për debate të tilla intelektuale, larg ngërçit të ekspertëve dhe larg vulgaritetit të studiove televizive, ku argumenti më i përdorur është “unë të lashë ty të flasësh, tani mos më ndërpre ti mua por më ler të mbaroj”, ose një kacafytje e pafund me kohën dhe kërbaçin disiplinues të prezentatorit, që paraqitet kështu dashur pa dashur si arbitër i mendimit të lirë.

Në fakt unë nuk kam ndonjë shpresë te televizioni, dhe aq më pak shpresë kam tek ato media, të cilat varen fund e krye nga televizioni, deri edhe për lajmet që nxjerrin në faqen e parë. Të vjen keq, po të mendosh për miliona e miliona euro që janë shpenzuar për mediat në Tiranë – kanë shkuar më dëm se këpucët e një këmbe që hidhnin anglezët gjatë luftës II botërore, po t’i besojmë Xhaxhit.

Ky shkrim është botuar së pari tek blogu: http://peizazhe.com/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend