AthensLive: Sfidë ndaj “baronëve të fuqishëm të medias” së Greqisë

3 Qershor , 2016 • Kryesoret, Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Nga  Bryn Retherford

Në vitin 2015, Greqia ra 50 vende më poshtë në Indeksin e Lirisë Botërore të Shtypit, për t’u renditur në vend të 91-të. Kjo bëri që ajo të jetë e parafundit mes shteteve që janë anëtare të Bashkimit Europian. Fondacioni për Shoqërinë e Hapur ka deklaruar se Greqia është vendi anëtar i BE-së me krizën gazetareske më akute. Megjithatë, sipas SYRIZA-s, gazetarët nuk po dhunohen, arrestohen apo vriten. Nuk ka shtypje të dhunshme nga qeveria. Por gjendja e rënduar e gazetarisë greke është edhe më e komplikuar.

Sipas Reporterëve pa Kufij, shtypi grek është në duart e disa baronëve të fuqishëm të medias, të cilët e kanë përdorur për vite me rradhë atë për t’i çuar më tej interesat e tyre të biznesit. Qeveria e re, e drejtuar nga Alexis Tsipras, premtoi t’i jepte fund monopolit të tyre. Greqia u ngrit dy vende më lartë në vendin e 89-të këtë vit, por akoma s’është e qartë nëse premtimi i zgjedhjeve do të mbahet.

AthensLive, një projekt i ri dhe i pavarur i medias, është një bashkëpunim mes gazetarëve grekë dhe  ndërkombëtarë, duke përfshirë edhe gazetarët vizualë të FOSPHOTOS, që shpreson të ndërtojë një alternativë ndaj një shtypi që është në pronësi korporative dhe e lidhur me interesa politike të caktuara. Kjo platformë e pavarur dhe e financuar nga publiku, synon të mundësojë raportime, analiza dhe komente në anglisht për situatën në Athinë dhe në të gjithë Greqinë. Ajo premton se në punën e vet do të përgjigjet vetëm përpara lexuesve të saj.

Tassos Morfis, gazetar dhe bashkë-themelues i AthensLive thotë: “Në Greqi, nuk ka ekzistuar kurrë më parë një situatë e tillë. Duke qenë në rolin e censorit, pronarit apo subvencionuesit, elita politike e ka vënë nën kontroll median greke, dhe klientelizmi është përkeqësuar në këto gjashtë vitet e krizës ekonomike.”

“Organizatat e medias, pronarët e tyre (shpesh lojtarë kryesorë në industri të tjera) dhe elita politike, funksionojnë në ndërvarësi reciproke”, tha Morfis. “Konsolidimi i gjerë i pronësisë, duke përfshirë si mediat e shkruara edhe ato elektronike ka bërë që pronarët e paktë dhe interesat e tyre politike të jenë perspektivat e vetme të përfaqësuara në media. Pluralizmi strukturor në gazetari thjesht nuk ekziston në Greqi.”

Gazetat kryesore  injorojnë ose nënvlerësojnë zhvillime të rëndësishme që bien ndesh me interest e pronarëve.

“Mënyra se si interesat politike  të dy partive kryesore Demokracia e Re dhe Lëvizja Socialiste Panhelenike (PASOK), ndërhyjnë në mbulimin e problemeve të debatuara është e qartë”, thotë Morfis. “Opinionet kundër masave shtrënguese nuk u publikuan në asnjë vend në mediat kryesore. Duke shkuar në referendumin për shpëtimin nga kriza të Greqisë në 2015, lexuesit të cilët konsumuan vetëm mediat kryesore ishin të sigurt që publiku grek mbështeste vazhdimin e masave shtrënguese”.

Në fakt, kushtet e shpëtimit u refuzuan nga shumica – 61% votuan kundër. Pas votimit, u mësua se nga anëtarë me ndikim të madh të Demokracisë së Re ishte dërguar një memo tek mediat kryesore, duke treguar mënyrën se si duhet të mbulohet vota e kundërt.

Për të përkrahur interesat e korporatave është përdorur gjithashtu edhe kontrolli strikt editorial. Një çështje veçanërisht e rëndësishme është raportimi i Luxembourg Leaks të 2014-s. Një reporteri  të Ta Nea, një gazetë e përditshme me qendër në Athinë dhe partner i vetëm zyrtar i Konsorciumit  Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ) në Greqi, iu dha qasje ekskluzive për të hyrë tek emrat e një numri firmash greke të mëdha të implikuara në skandalin e shmangjes së taksave.
Gjithsesi, Ta Nea publikoi vetëm një artikull të vogël, pa përmendur asnjërën nga kompanitë. Pothuajse të gjitha mediat kryesore greke me vetëdije ia mbyllën dyert raportimit të kësaj ngjarjeje.

Besimi në shtypin grek është i ulët

Shumë njerës besojnë se media është pak a shumë një instrument i partive dhe i korporatave politike. Ndërkohë që shkalla e njohjes dhe e edukimit mediatik në Greqi është e lartë, shitja e gazetave është shumë e ulët (vetëm 63 në çdo 1000 njerëz blinin një gazetë të përditshme në vitin 2000).

Mediat e Greqisë në gjuhën angleze konsiderohen të kenë të njëjtën varësi politike dhe korporative sa edhe homologet e tyre në gjuhën greke. Mediat kryesore ndërkombëtare janë një alternativë, por ato nuk kanë ndonjë përkushtim për zhvillimet në Greqi. Vetëm trazirat ose incidented e mëdha bankare ua tërheqin atyre vemendjen por edhe atëhere rezultati është thjesht paraqitje e një karikature të dobët për vendin.

30% e gazetarëve nuk marrin rrogë

Situata e nderë ekonomike e medias greke shtrihet deri tek kushtet e punës së gazetarëve, me të ardhura mujore mesatare prej 581 euro ose 490 euro për ata nën moshën 25 vjeç. Por edhe kjo pagë konsiderohet fat. Sipas Unionit të Gazetarëve të Gazetave të Përditshme të Athinës, 20% e gazetarëve janë pa punë, ndërsa 30% nuk e kanë marrë prej kohësh pagën. Me krizën financiare, ka pasur shumë pushime nga puna dhe duke u kombinuar me kontrollin strikt editorial, vetë-censura është mënyra e vetme për të mbijetuar në këtë industri.

Gazetarët që duan të punojnë jashtë këtyre kufizimeve nuk kanë asnjë opsion. Pa mbështetjen e konglomerateve të medias, përveç kushteve tashmë të dobëta të punës si dhe pagave të ulta, janë rritur edhe rreziku i akuzave për shpifje (së bashku më barrën financiare të rasteve gjyqësore), shantazhet  dhe kërcënimet, si dhe ka një mungesë dhe paqëndrueshmëri të burimeve.

Profesor Petros Iosifidis, duke folur në City University në Londër vitin e kaluar, tha se në Greqi është krijuar një trekëndësh pushteti mes interesave ekonomike, politikanëve dhe medias.  “Kjo ka cënuar gazetarinë objektive dhe investigative”, tha ai.  “Ujditë mes interesave sipërmarrëse (duke përshirë ato bankare) dhe shtetit mund të marrin forma të ndryshme, madje shpesh duke përdorur edhe  legjislacionin për të akomoduar interesa të veçanta të biznesit. Këto ujdi shpesh injorohen në mediat kryesore, ku mbizotëron një kod heshtjeje, duke rezultuar në një fshehje të gjerë të skandaleve”, tha profesor Iosifidis.
“Rritja e platformave të pavarura të medias në Greqi mund të thyejë këtë lidhje pushtetesh”, shtoi profesori.

Platformat e reja në pronësi të pavarur mund të raportojnë historitë e vështira

Tassos Morfis shpreson se AthensLive mund të jetë një platformë e tillë: “Me AthensLive, ne duam t’i sigurojmë gazetarëve gjithçka që iu duhet që të eksplorojnë në mënyrë të plotë çështje të debatuara si dhe t’i paguajmë drejtësisht për punën e tyre. Lexuesit tanë nuk janë të interesuar për lajme në interes të korporatave. Vlera e gazetarëve tanë është e lidhur me dëshirën e tyre për të raportuar histori origjinale dhe të vështira”, thotë ai.

AthensLive do të ketë mbështetje nga një gamë mënyrash financimi që janë provuar dhe verifikuar edhe në projekte të tjera europiane të financuara nga publiku dhe abonimet.

“Ne e shohim median dixhitale si një mundësi për pluralizëm dhe pavarësi, por deri tani ajo ka ofruar shumë pak. Mbizotërojnë produktet me cilësi të ulët, thashethemet dhe plagjiatura e hapur. Gjithashtu, duke mos patur një model alternativ financimi, ekziston mundësia që të përsëriten gabimet e bëra në shtyp dhe televizion, në rastet kur gazetarët dixhitalë kanë përfunduar  në bastisje gjatë investigimeve të tyre gazetareske. Ndarja nga grupet me interesa politike nuk mjafton. Edhe mbështetja në abonimet e publikut dhe në sistemin bankar nëpërmjet reklamave dhe kredive, siç kanë bërë historikisht mediat kryesore greke, është e paqëndrueshme.”

“AthensLive është ndryshe: ne jetojmë këtu, e dimë të gjithë historinë, dhe mendojmë se e gjithë bota gjithashtu duhet ta dijë. Greqia është më shumë se mbulimi ndërkombëtar selektiv i krizës së refugjatëve dhe i trazirave politike. Përtej saj mbetet e paparë nga pjesa tjetër e botës një kulturë vibrante”,  thotë Morfis.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend