EJO zgjerohet edhe në botën anglo-saksone

16 Prill , 2013 • Marrëdhëniet Publike • by

Rrjeti i Observatorit Europian të Gazetarisë (European Journalism Observatory – EJO) sa vjen e zgjerohet: Nga muaji Prill përgjegjësia për platformën në anglisht të rrjetit do të ndahet mes partnerëve më të rinj, Instituti Reuters për Studime në Gazetari, Universiteti i Oksfordit dhe Universitetit të Luganos në të cilin u themelua EJO në vitin 2004.

Ky partneritet i ri do të ndihmojë që EJO të zgjerojë praninë e vet në botën anglo-saksone dhe të ngrejë në një nivel të ri punën që bën rreth zhvillimeve mediatike dhe kulturave gazetareske në Europën Lindore dhe Juglindore. Inisiativa e re mbështetet nga Robert Bosch Foundation,Stuttgart dhe Stiftung Pressehaus NRZ, Essen.

Dr. David Levy, Drejtor i Institutit Reuters, tha: “Unë mezi pres të punoj me EJO që të përforcojmë punën e bërë deri më tani dhe të  zhvillojmë projekte të reja bashkëpunuese si dhe të zgjerojmë interesin ndërkombëtar dhe lidhjet me studjuesit, politikë-bërësit dhe profesionistët.”

EJO është duke ndërtuar gjithashtu edhe një urë tjetër në Perëndim. Shkolla e Gazetarisë e Universitetit të Oregonit në SHBA do ta zgjerojë rrjetin e EJO edhe në Botën e Re. Profesorët Peter Laufer dhe Scott Maier, të cilët janë duke punuar me EJO, synojnë që t’i bëjnë më të dukshme për SHBA zhvillimet në gazetarinë dhe median europiane. Ata gjithashtu do të mundësojnë për ndjekësit europianë të EJO analiza për kërkimet në gazetarinë amerikane. Si Laufer edhe Maier kanë shpenzuar periudha të gjata kohe në Europë dhe ndjehen si në shtëpinë e tyre në të dy anët e oqeanit Atlantik

Gjithashtu EJO po fuqizohët edhe më tej në Zvicër. Falë mbështetjes së Swiss National Science Foundation (SNSF) , instituti ZürcherHochschule i Winterthurit do të bëhet partneri i dytë zviceran në rrjetin e EJO, duke u fokusuar në rritjen e vizibilitetit të studimeve zvicerane mbi median në vendet gjermanike si dhe në trajnimin e studjuesve të rinj që të përmirësojnë shpërndarjen e rezultateve të tyre kërkimore. Profesori Vinzenz Wyss, ekspert në menaxhimin e cilësisë në gazetari, ka marrë përsipër përgjegjësinë për këtë bashkëpunim. Universiteti i Luganos ka marrë gjithashtu edhe financime të tjera nga  SNSF për të përmirësuar vizibilitetin e EJO në rrjetet sociale si Facebook dhe Twitter si dhe për të intensifikuar shkëmbimet mes partnerëve ekzistues të EJO.

Aktualisht EJO botohet në dhjetë gjuhë të Europës: anglisht, shqip, çekisht, gjermanisht, italisht, letonisht, polonisht, rumanisht, serbisht dhe ukrainisht. EJO synon që të nxisë gazetarinë, të luftojë për lirinë e medias dhe të rrisë përgjegjshmërinë për një media më të mirë në të gjithë Europën. Ky rrjet  synon gjithashtu që të bëjë më të aksesueshëm dhe më të dobishëm për gazetarët, menaxherët  e medias  dhe studentët e gazetarisë, medias dhe komunikimit, studimin akademik për mediat dhe të ardhmen e gazetarisë.

Me partnerët e rinj EJO përforcon prezencën e vet ndërkombëtare, duke zgjeruar më tej praninë e vet në Europën Perëndimore dhe Amerikën e Veriut.

www.ejo.ch

http://en.ejo.ch/

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend