E drejta e informimit në realitetin shqiptar

12 Prill , 2012 • Liria e medias, Marrëdhëniet Publike • by

Rreziku që ka shoqëruar marrëdhëniet mes medias në Shqipëri dhe institucioneve shtetërore është tendenca për të bërë publike vetëm ato informacione që janë në interes të tyre dhe jo në interes të medias apo opinionit publik…

Hapja e institucioneve ndaj medias dhe publikut është karakterizuar nga një proces i gjatë dhe i vazhdueshëm ndryshimi, gjatë këtyre 20 viteve demokraci. Edhe pse ky proces ka kaluar në disa etapa evoluimi, vlen të theksohet se realizimi i të drejtës së informimit nuk është se i ka shërbyer plotësisht publikut dhe medias, por në të shumtën e rasteve, vetë institucioneve qendrore dhe vendore, pasi zhvillimi i mjeteve të komunikimit masiv ka sjellë nga njëra anë edhe promovimin e politikave dhe synimeve të vetë këtyre institucioneve.

E drejta për informim, sekreti shtetëror, të dhënat personale, sekreti hetimor etj, janë disa nga termat që ne i hasim pothuajse çdo ditë në praktikën e medias televizive dhe të shkruar në vend. Ndërthurja e kësaj terminologjie, na çon në një debat të vazhdueshëm për të drejtën e informimit dhe transparencën e institucioneve, për faktin se për të siguruar të drejtën e parë, pra të drejtën për informim, duhet të kemi në konsideratë të dytën, atë të sekretit shtetëror apo të dhënat vetjake të individit. Pra dhe vetë institucionet që vihen para përgjegjësisë për të dhënë informacion medias, ndodhen përballë këtij trekëndëshi.

Por rreziku që ka shoqëruar marrëdhëniet mes medias në Shqipëri dhe institucioneve shtetërore është tendenca për të bërë publike vetëm ato informacione që janë në interes të tyre dhe jo në interes të medias apo opinionit publik. Edhe pse pothuajse çdo institucion qendror ka krijuar zyrën e shtypit dhe të marrëdhënieve me publikun, funksionimi i tyre, ka mundur të jetë vetëm në nivelin e një informimi rutinë apo përpunimit dhe publikimit të informacioneve në interes të institucionit, si p.sh: deklaratë për axhendën e institucionit, përgënjeshtrime të ndryshme apo replikat e zëdhënëses në emër të titullarit për një akuzë të ngritur ndaj tij, njoftime për aktivitetet e administratës dhe informacione të tjera të kësaj natyre.

Ndërkohë për shkak të përmbushjes së misionit të tyre për informimin e publikut, gazetarët shpesh iu drejtohen zyrtarisht institucioneve me kërkesë për të marrë informacion. Gazetarët janë përballur në punën e tyre të përditshme në refuzime aspak objektive dhe serioze të zyrtareve të institucioneve për të dhënë informacion. Në testimin më të fundit të kryer nga Instituti Shqiptar i Medias (publikuar në mars 2012) rezulton se nga 250 kërkesa të gazetarëve për informacion të dërguara në institucionet e ndryshme në një kohë të caktuar, është kthyer përgjigje vetëm për 152 kërkesa për informacion( 61% e kërkesa në total). Në 39% të kërkesave nuk ka patur asnjë reagim nga administrata apo edhe ka patur raste që është refuzuar përgjigjja ndaj gazetarit. Kur ndodh kjo? Në rastet kur kërkesat nga media për të marrë informacion në administratën shtetërore, parashtrojnë një problem delikat, atëherë prirja është që të ketë një hezitim për të mos dhënë asnjë informacion apo nëse po, jo sipas objektit të kërkesës. Kërkesa që kanë të bëjnë me financat, që prekin buxhetin e institucionit, praktikën e ndjekur në një tender,  nuk kthehet aspak përgjigje, ose mund të jetë jashtë objektit të kërkesës. Po ashtu edhe  nën petkun e sekretit shtetëror, medias iu janë mohuar shumë informacione të rëndësishme dhe me interes për publikun.

Opinioni i vetë shoqërisë civile dhe medias është se ligjit shqiptar për të drejtën e informimit i mungon lista shteruese, që nënkupton rastet  kur informacioni nuk duhet bërë publik, p.sh, modeli i ligjit amerikan për të drejtën e informimit ka një listë shteruese. Kjo listë nënkupton të gjitha rastet kur informacioni nuk behët publik nga administrata si rastet kur kemi informacion të klasifikuar si sekret shtetëror, për të dhënat personale, për sekretin tregtar, rastet kur vendi është pjesë e një marrëveshjeje që informacioni nuk duhet bërë publik, në rastin kur NATO përgatit një rregullore për marrëdhëniet me Shqipërinë, apo në rastin e sekretit policor apo hetimor. Shqipëria vazhdon të mbetet e para në rajon për sa i përket kohës së miratimit të ligjit për akses në informacionin zyrtar, por e fundit për sa i përket standardeve që ka ligji në përputhje me realitetin e ri mediatik.

Vendet e rajonit si Kosova, Serbia, Mal i Zi, Maqedonia dhe Bosnje Hercogovina kanë standarde më të larta se Shqipëria. Sidomos në afatet e kthimit të përgjigjes që varion në këto vende me një mesatare prej 17 ditësh, ndërsa Shqipëria prej 12 vitesh vazhdon të mbaj në fuqi afatin ligjor prej 40 ditësh.  Gjatë dy viteve të fundit u vunë re edhe raste flagrante të dhunimet të së drejtës për informim. Gjatë zhvillimit të  dy fushatave  të fundit zgjedhore në Shqipëri, atë për zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2009 dhe zgjedhjeve vendore të vitit 2011, u vu re një mungesë e transparencës së partive politike dhe zyrtarëve të lartë të shtetit për pasqyrimin e këtyre fushatave zgjedhore. Kështu dy kampet kryesore politike morën vendimet përkatëse për të mos lejuar median të ndiqte fushatën nga këndvështrimet e saj, por duke iu serviruar atyre ato plane dhe informacion që shikohej i arsyeshëm nga zyrtarët politikë pjesëmarrës si konkurrues në zgjedhjet parlamentare (2009) dhe ato vendore (2011).

Kjo situatë e vendosi median në Shqipëri, sidomos atë elektronike përballë një sfide të madhe profesionale, atë të objektivitet dhe paraqitjes së informacionit në interes publik. Kjo mënyrë e marrëdhëniesh që u krijua mes medias dhe politikës gjatë fushatës, cenoi në një farë mënyre rolin e kësaj të fundit për përcjelljen e informacionit në një transparencë të plotë dhe vërtetësi ndaj opinionit publik. Opinioni i gazetarëve ishte kundër këtij vendimi, duke e parë këtë si një përpjekje për t’i imponuar medias informacione që ishin vetëm në interes të partive politike apo kandidatëve që përfaqësonin kampet politike në të dy zgjedhjet respektive atë parlamentare të vitit 2009 dhe vendore të vitit 2011 dhe për pasojë duke  dhunuar të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë objektive, dhe duke cenuar në mënyrë të drejtpërdrejtë profesionin e gazetarëve. Si përfundim Shqipërisë i nevojitet një ligj më bashkëkohor për të drejtën e informimit, ndërsa për të rritur transparencën, institucionet  duhet të jenë vetë më proaktive, që të publikojë vetë informacion të dobishëm për median. Një pjesë e mirë e informacioneve duhet të jenë të gatshme pa patur iniciativë nga media për t’u bërë publike.

Marrë me shkurtime nga revista shkencore e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, nr. 4,2012

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend