Robotë, gënjeshtra dhe propogandë – ekonomia e re e keqinformimit

19 Nëntor , 2016 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Shenjat paralajmëruese u injoruan për një kohë të gjatë: mediat e lajmit po rrezikohen dhe po humbin terren përballë propogandistëve të botës dixhitale.

Humbja e besimit tek gazetaria nisi të bëhej e dukshme shumë kohë më përpara se përkrahësit e lëvizjes Pegida të thërrisnin “Lügenpresse” (media gënjeshtare) në rrugët e Gjermanisë. Gjithsesi akuza  është ç’orientuese.Vetëm shumë pak redaksi lajmesh e përhapën qëllimisht këtë rreng. Thënia “media gënjeshtare” është në vetvete një gënjeshtër. Çdokush që adopton një zhargon të tillë nazist në mënyrë të pashmangshme i sheh gjërat bardhezi, ku nuancat e grisë paraqiten si më të përshtatshmet. Por janë të tjera arsyet që duket se kanë sjellë një epokë post-fakt, siç ka deklaruar së fundmi kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Ekonomia e vëmendjes” po e transformon me shpejtësi vetveten në një ekonomi të keqinformimit, ku përhapja e gënjeshtrave, teoritë e konspiracionit dhe lloje të tjera propogande sidomos në mediat sociale  bëhen fitimprurëse për disa lojtarë të tregut. Ky artikull përmbledh gjetjet e disa prej studimeve të kohëve të fundit të cilat zbulojnë risqet dhe dëmin kolateral të teknologjive moderne të komunikimit.

Përkeqësim i besimit tek mediat

Shumë profesionistë të medias u ndërgjegjësuan për situatën e dyshimtë lidhur me besueshmërinë e medias vetëm pasi New Right nisi fushatën kundër mediave kryesore. Në vendet gjermanisht-folëse gazetarët dhe menaxherët e mediave e kanë injoruar vazhdimisht paralajmërimin e studjuesve për dekada me radhë se ka një përkeqësim të besimit tek media. Kjo lidhet me një shkëmbim pushteti mes gazetarisë, MP dhe propogandës, por që u ndikua edhe nga  echo chambers të mediave sociale në të cilat propaganda përhapet më shpejt. Algoritmet dhe robotët, të ashtuquajturat “social bots” e ushqejnë dhe e intensifikojnë këtë proces ndërkohë që shanset për të përballuar këtë trend nëpërmjet “fact-checking” apo “enlightenment” po zbehen.

Këmbanat e alarmit kanë nisur të bien qysh në vitet 1960 kur transmetuesit publikë ARD dhe ZDF nisën një studim afatgjatë që shqyrtonte besueshmërinë e medias një herë në disa vjet. Edhe më vonë, të dhëna të publikuara flisnin për një rënie të besimit në media. Gjithashtu shumë anketime në vite për reputacionin e gazetarëve kanë zbuluar që ky reputacion ishte në një nivel të ulët.

Duke hedhur vështrimin pas në kohë, e gjitha kjo duket e çuditshme: Ndërkohë që mediat janë eksperte të “komunikimit alarmant” dhe të transformimit të qimes në tra, shumë prej tyre mbyllën sytë duke rrezikuar si ekzistencën  e tyre edhe atë të shoqërive demokratike.

Studjuesit nuk ofruan vetëm të dhënat alarmane, ata ofruan gjithashtu edhe konceptet për analizën dhe interpretimin e tyre. Në vigjilje të shekullit 21 dhe pak kohë përpara se interneti dhe dixhitalizimi të sfidonin industritë e medias, shkencëtari dhe sociologu austriak Georg Franck botoi librin e tij rreth “ekonomisë së vëmendjes”. Ai zbulonte se konkurenca në rritje për vëmendje publike mes institucioneve, përfshi politikanët, drejtuesit, yjet e sportit dhe VIP-a të tjerë po e ndryshonte shoqërinë.

Franck argumentonte se kapitalizmi material po kthehej në “kapitalizëm mental” me “paraqitje prej klouni të çuditshëm”. Ai foli për një qark të dytë ekonomik, i cili në mënyrë progresive po zëvendëson shkëmbimin tradicional të mallrave dhe të shërbimeve me para. Sipas Franck, në kushtet e rritjes së pasurisë dhe mbingopjes me nevojat materiale, gjithnjë e më shumë informacioni i lajmeve po këmbehet me vëmendjen dhe vizibilitetin publik.

Kur vëmendja publike është e pakët dhe duhet konvertuar në para apo pushtet, investohet edhe më shumë para për ta rritur atë. Në këtë optikë ne mund të shpjegojmë se pse në SHBA në ditët e sotme raporti gazetarë/specialistë të MP është një me pesë në favor të këtyre të fundit,  ndërkohë që tridhjet vjet më parë ishte 1:1. Me dominimin dhe specializimin e sektorit të MP, është përhapur me shpejtësi gazetaria copy-paste, dhe kjo, vit pas viti ka minuar besueshmërinë e gazetarisë.

Uwe Krüger i Universitetit të Leipzigut, në librin e tij të mirënjohur “Mainstream” zbulon se si në kushte të tilla mediat gjermane të lajmeve u konverguan në një konsensus të pakuptimtë kuq-jeshil (Socialistët dhe Të Blertët) dhe se si eventualisht gazetarët ndjekës të kristian-demokratëve të Merkel u mblodhën gjithashtu nën ombrellën kuq-jeshil.

Mediat “elitiste” po injorojnë gjithçka që ata e mendojnë “politikisht korrekte”

Sipas Krüger, fjalëkyçet sot janë “multikulturalizmi dhe diversiteti, kozmopolitizmi dhe toleranca, të drejtat e barabarta dhe mbrojtja e minoriteteve, anti-diskriminimi dhe barazia gjinore”. Njëherësh Krüger dyshon se “gjithçka që në këtë sens nuk është “politikisht korrekte” është refuzuar apo sfiduar pasi mediat nuk bëjnë sa duhet dallimin mes “ekstremistëve të djathtë që janë relativisht të pakët në numër dhe atyre që kanë qasje të djathë të cilët janë relativisht të shumtë në numër”.

Sipas Krüger, shumë gazetarë sot janë pjesë e rrjeteve të elitave. Si rrjedhojë gjatë viteve të fundit tek publiku është akumuluar një dozë e konsiderueshme zhgënjimi. Media shihet më shumë si një qen lëpirës (lapdog) se sa një watchdog i qeverisë dhe nuk bën më avokatin e të qeverisurve, thotë Krüger. Ai shpjegon gjithashtu se si sjellja “pedagogjiko-paternaliste” e medias tashmë merret nga ana e marrësve të mesazhit si një “kontroll i perceptuar”.

Gjithsesi kjo nuk shpjegon ende mënyrën se si ekonomia e vëmendjes po kthehet në ekonomi të keqinformimit. Për disa aktorë – si përshembull për politikanë si Donald Trump dhe  Vladimir Putin, dhe madje edhe për disa biznese apo organizata jofitimprurëse – mund të gjenden vlera edhe tek lajmet false apo të ekzagjeruara. Për ta, gjysëm të vërtetat dhe propaganda janë të dobishme për të rritur vëmendjen.

Gazetarët nuk janë më rojtarë të diskursit publik

Mediat kryesore mbeten ofruesit kryesorë të lajmeve edhe në internet. Gjithsesi për shkak të efekteve anësore të revolucionit dixhital, gazetarët e kanë humbur rolin e tyre si rojtarët (gatekeepers) kryesorë të diskursit publik. Dëshira e publikut për të paguar për lajmet është zbehur, të ardhurat nga reklamat që kanë financuar deri më sot mediat kanë rënë me shpejtësi dhe po përfundojnë më së shumti në llogaritë bankare të Google dhe Facebook.

Kjo ka sjellë një rritje të një grupi profesionisësh të zotë që shërbejnë si spin doctors si dhe të gazetarëve qytetarë naivë si dhe të provokatorëve (jo vetëm qënie humane por edhe robotë) që i mbysim lajmet me keqinformim të qëllimshëm dhe të targetuar.

Lajmet, qofshin këto për ndotjen apo për vaksinat, për ndryshimet klimatike, fushatën presidenciale në SHBA, pushtimin fashist të Krimesë në Ukrainë, terrorizmin e ISIS apo trafikun e duhanit, sheqerit apo të drogës –përmbajnë informacion fals që përhapet në internet.

Algortimet e kompanive të teknologjisë së lartë po përhapin teori konspiracioni

Algoritmet e Google, Facebook dhe të Twitter po përhapin dhe po shumëfishojnë teori konspiracioni si dhe po krijojnë në mediat sociale “filter bubbles” brenda të cilave qarkullojnë informacione të rreme dhe mite urbane.

Në një projekt të vetin, një grup kërkuesish italianë (mes tyre Micaela Del Vicario, Fabiana Zollo dhe Walter Quattrociocchi të  IMT School for Advanced Studies në Lucca) bënë një krahasim mes llogarive të Facebook në SHBA dhe Itali – duke veçuar llogaritë ku ofrohej informacion i mirë-kërkuar (i kontrolluar si nga gazetarët profesionistë edhe nga shkencëtarët) me llogaritë që shumëfishojnë linqe dhe përhapin informacion të pasaktë. Përfundimi i tyre tronditës është se përdoruesit dhe robotët nëpërmjet “likes” dhe “shares” përhapin gjepura dhe të paqena brenda filter bubbles të mediave sociale me shpejtësi shumë më të madhe dhe në një hapësirë gjithashtu më të madhe se sa lajmet e ofruara nga burimet “serioze”.

Roli që algoritmet luajnë në procesin e përhapjes së informacionit është një nga sekretet e mirë-ruajtura të gjigandëve të internetit të cilat janë shndërruar në kompani gjigande mediatike – me sa duket, pa mbajtur asnjë përgjegjësi editoriale për gjepurat që përhapen në platformat e tyre. Frank Pasquale, profesor i ligjit në Universitetin e Maryland flet për një “Black Box Society” në të cilën ne po jetojmë gjithnjë e më shumë.

Një numër jo i paktë i llogarive të mediave sociale mendohet të jenë “social bots”

Algoritmet po zëvendësojnë gazetarinë dhe social bots (robotët socialë) po zëvendësojnë falsifikatorët realë. Duke përfaqësuar operatorët e tyre, ato ndikojnë opinionin publik në web duke përdorur llogari false në platformat e mediave sociale tek të cilat nxisin urrejtjen dhe mosbesimin përmes komenteve të ndryshme, por sidomos përmes “likes” dhe “shares” që bëjnë që algoritmet të përhapin mesazhet e tyre në web, duke inkurajuar morinë e marrëzive dhe duke dekurajuar inteligjencën.

Simon Hegelich, studjues i politikës dhe ekspert i IT në Technical University of Munich, duke iu drejtuar audiencës një një konferencë të botuesve australianë, tha se është fare e lehtë që të blesh për 499 $ një numër prej 10 000 llogarish në Twitter. Ai tha se kushton gjithashtu pak që t’i pajisësh këto llogari me inteligjencë artificiale. Sipas Hegelich një numër i konsiderueëshëm i llogarive në Twitter mund të jenë robotë socialë, dhe ky numër po vjen në rritje. Facebook vlerëson se janë rreth 15 milion llogari robote aktive në të gjithë globin. Padyshim rrjetet sociale po kthehen në terren pjellor ideal për cdo lloj propogande, pasi përdorimi i robotëve është pa rrezik dhe operatorët e tyre është e vështirë që të gjenden.

Gjatë kohëve të fundit, suksesi i liderëve autoritaristë si Putin në Rusi, apo Erdogan në Turqi në zgjatjen e pushtetit të tyre mund të shpjegohet edhe me marrjen në kontroll nga ana e tyre të një hapësire të madhe të medias. Ata e mbajnë nën kontroll rregullisht median duke kërcënuar gazetarët, duke i vënë mediat nën kontrollin e oligarkëve të afërt me ta dhe duke promovuar vehten e tyre përmes mediave sociale.

Gazetarët investigativë që guxojnë të zbulojnë lojën manipulative të Kremlinit, si p.sh. Jessikka Aro nga Finlanda apo si gazetari gjerman i TV, Hajo Seppelt – që analizuan në thellësi skandalin doping të atletëve rusë – u përballën me stuhinë e protestave në mediat sociale.

Aktualisht edhe populistë perëndimorë si Donald Trump, Frauke Petry apo Christoph Blocher duket se po imitojnë Putin-ët apo Erdogan-ët e kësaj bote. Në fakt, edhe ata gazetarë që bëjnë opozitë dhe përfaqësojnë “mungesën e alternativës” së konsensusit, janë në vetvete të manipuluar nga propaganda e djathtë atëhere kur zmadhojnë cdo lloj provokacioni dhe e bëjnë atë lajm kryesor.

Ekipi i studjuesve i Walter Quattrociocchit e bën të qartë se të gjitha përpjekjet nga websajtet që merren me verifikimin e fakteve apo saktësimet e bëra nga media “serioze” lidhur me lumin e keqinformimeve nuk sjellin dobi sa kohë që ato nuk depërtojnë në filter bubbles të mediave sociale.

Ky artikull u botua për herë të parë në NZZ dhe u botua më pas edhe në German EJO

Pic credit: Internet ‘splat map’ Steve Jurvetson CC Flickr licence

Burimet
Uwe Krüger (2016): Mainstream. Ëarum ëir den Medien nicht mehr trauen, München: C.H. Beck
Micaela Del Vicario et al. (2015): The spreading of misinformation online, in: PNAS Vol. 113, No. 3, Jan. 19, 554-559
Frank Pasquale (2015): The Black Box Society, Cambridge MS/London: Harvard University Press
Fabiana Zollo et al. (2015): Debunking in a Ëorld of Tribes, in: arXiv: 1510.04267 vl v. 14. Oct.
https://arxiv.org/abs/1510.04267

Print Friendly

Tags:, , ,

Send this to friend