A mundet gazetaria t’a bëjë audiencën të interesuar?

5 Nëntor , 2016 • Gazetaria e Medias, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Në disa raste një imazh ose një lajm për dhunën masive mund të shkaktojë protesta publike.

Kështu ndodhi këtë verë, kur një pesë-vjeçar – viktimë e bombardimeve,  i mbuluar në gjak dhe pluhur, u bë fëmija i posterit për sulmin e egër në Alepo. Një vit më përpara, fotografia prekëse e 3 vjecarit të mbytur që u gjet në bregdetin turk krijoi simpati globale për gjendjen e vështirë të refugjatëve të luftës.

Por imazhe të tjera të panumërta dhe lajme të luftës brutale civile në Siri e kanë tërhequr shumë pak vëmendjen e publikut, duke hedhur poshtë një aksiomë se mizoritë e të drejtave të njeriut – në përgjithësi të largëta dhe të fshehura – mund të ndalohen “vetëm po t’a kishin ditur njerëzit”.

Pse disa lajme të vuajtjes masive arrijnë të tërheqin shqetësimin e publikut kurse shumë të tjera përcillen me indiferencë?

Për të hulumtuar këtë mospërputhje të çuditshme, së bashku me profesorin e Universitetit të Psikologjisë në Oregon, Paul Slovic, një autoritet ndërkombëtar në fushën e mpirjes psikike, dhe asistentin Marcus Mayorga ne ndërmorëm një studimin ndër-disiplinor, në të cilin shqyrtuam se si format e paraqitjes së lajmeve influencojnë në reagimin e lexuesit ndaj lajmeve të dhunës masive në Afrikë.

Gjetjet tona, së fundmi të publikuara në edicionin online të Journalism, tregojnë se mënyra se si paraqitet një ngjarje ndikon në përgjigjen emocionale të lexuesit dhe tërthorazi edhe në mundësinë për  përfshirjen e tij në akte bamirësie.

Lajmet e personalizuara dhe me imazhe fotografike kanë stimuluar një impakt më të fortë emocional, kurse përdorimi i informacionit mobilizues (duke iu thënë audiencave se si mund të veprojnë për të realizuar një ndryshim) dhe informacionet statistikore rezulton të kenë një efekt të vogël në reagimin e lexuesit. Raportimi i drejtpërdrejtë i lajmit “thjesht si fakt”– forma mbizotëruese e raportimit në shërbimin kabllor dhe në shtyp – rezulton të ketë sjellë një reagim më të dobët të lexuesve.

Gjetjet nënvizojnë se thjesht “raportimi i lajmeve” është në përgjithësi i pamjaftueshëm për të tërhequr reagimin e qytetarëve. Ajo që kërkohet është një lidhje më e ndjeshme që i bën njerëzit të veprojnë.

Studimi

Psikologjia sociale siguroi themelin konceptual për këtë studim, duke demonstruar se si motivimi për të ndihmuar të tjerët është i ndikuar nga lidhja emocionale. Duke u bazuar në këtë linjë kërkimi, viktimat me më shumë gjasa për t’u ndihmuar janë ata, portreti i të cilëve shkakton reagim emocional (p.sh. stres, keqardhje). Por ndjenjat e forta nuk e nxisin veprimin po nuk pati ndonjë mjet efektiv. Gjithashtu statistikat që dokumentojnë shtrirjen masive të një problemi rezulton se mund të ndikojnë në shuarjen e interesit  duke shkaktuar mospërfillje ose ndjenjën e mungesës së shpresës.

Për t’a aplikuar këtë kuadër interpretimi tek lajmet, ne kryem një studim online në kushte eksperimentale. Një paneli rastësor prej 900 të rriturish amerikanë iu ofrua një ngjarje duke e paraqitur në disa mënyra ose elemente të raportimit si: personifikimi, informacioni mobilizues, informacioni statistikor apo fotografitë që paraqesin njerëzit në nevojë.

Dy artikuj të publikuar në New York Times u përdorën si shabllone për këtë eksperiment. Njëri ishte një lajm që përshkruante rrëmujën civile të shkaktuar nga një valë e madhe luftimesh në Darfur; tjetra ishte një kolanë e Nicholas Kristof që raportonte për një spastrim të egër etnik përgjatë kufirit të Sudanit Jugor. Të dy artikujt u formatuan dhe u paraqitën si një artikull i përgjithshëm gazete i nënshkruar me pseudonimin “Mark Lester”.

Sqarojmë se të dy artikujt që shërbyen si shabllone u modifikuan në një shumëllojshmëri formash, secila duke theksuar një formë të të raportuarit (p.sh, personalizimi, qasja statistikore, raportimi i kombinuar me ose pa foto). Për të minimizuar artificialitetin, formulimi origjinal i çdo artikulli ishte i ruajtur mirë, por fokusi kryesor i tregimit ishte manipuluar me redaktime dhe ndryshime të përmbajtjes duke sjellë herë pas here edhe informacione shtesë. Kësisoj çdo trajtim ofronte të njëjtën përmbajtje por dallohej nga mënyra e paraqitjes dhe qëllimi.

Pasi e lexuan artikullin, pjesëmarrësit iu përgjigjën një serie pyetjesh të dizajnuara për të vlerësuar ndjeshmërinë e tyre, sensin e tyre të urgjencës dhe përkrahjen e tyre për ndërhyrjen qeveritare. Veç kësaj, pjesëmarrësit u ftuan për t’i dhuruar një organizate të ndihmës ndaj refugjatëve një pjesë të një çmimi llotarie të supozuar

Çfarë mësuam…

Nga të gjitha format e raportimit, personifikimi ishte ai që shkaktoi dukshëm një interes të fortë tek lexuesit si dhe shqetësim dhe keqardhje për viktimat e krizës së largët në Afrikë. Gjithashtu historitë personale janë më të prirura për të nxjerrë në pah zemërimin, shqetësimin apo preokupimin. Lexuesit e lajmit të personifikuar, duke dëshmuar edhe për ndjenjat e tyre kontradiktore, raportuan një motivim të dukshëm dhe më të madh si dhe sens urgjence – por edhe një ndjesi të humbjes së shpresës. Duket qartë se historitë personale zgjojnë ndjenja të fuqishme që bëjnë që lexuesit të jenë njëherësh të tronditur dhe të nxitur.

Ta shikosh është në të vërtetë ta besosh – raportimi i paraqitur si fotolajm mori vlerësimet më të larta për besueshmërinë. Por, përkundër pritshmërive, lajmi i shoqëruar me foto të refugjatëve të raskapitur nuk krijoi fuqi emocionale më të madhe se sa lajmi që kishte vetëm tekst.

Në një linjë me studimet psikologjike që kanë provuar se informacioni statistikor i zbeh ndjenat e  keqardhjes dhe të bamirësisë, edhe ai lloj raportimi që bazohej tek shifrat rezultoi të kishte efekte minimale. Në studimin tonë, statistikat nuk rezultojnë të sjellin mpirje dhe as tronditje; nga ana tjetër, ky përfundim tregon se qasja sasiore, edhe kur ofron të dhëna të vuajtjes masive, nuk e nxit domosdoshmërisht reagimin e lexuesit. Mësimi që nxjerrim në këtë rast është se përdorimi selektiv i shifrave mund të ofrojë kontekst të rëndësishëm, por gazetarët nuk mund të mbështeten vetëm në statistika për nxitur reagimin publik.

Çfarë ndodh kur personifikimi ofrohet i kombinuar me informacion mobilizues dhe statistikor? Përgjigja: pakogjë. Sinergjia e paraqitjeve kolektive të ngjarjeve nuk zgjon ndonjë reagim më të madh të lexuesit se sa kur trajtimet janë dhënë veç e veç. Kjo tregon se duke kombinuar historitë personale me kontekstin faktual  – atribute klasike të raportimit të lajmeve – mund të kemi gazetari cilësore por impakti emocional i kësaj qasjeje mund të mos jetë i dukshëm.

Duke u munduar të “gjenerojë një përgjigje më shumë se sa thjesht të kalojë në anën tjetër,” kolumnisti që fitoi Çmimin Pulitzer, Kristof, jo rastësisht i paraqet vuajtjet masive nëpërmjet perspektivës së një individi, për të identifikuar zgjidhjet dhe për të nxitur publikun për veprim. Ndërkohë që ky studim ofron mbështetje të fortë për mënyrën e personifikimit të përdorur nga Kristof, gjetjet gjithashtu nxjerrin në pah se sa e vështirë është që ta kthejmë ndjeshmërinë në veprim kuptimplotë.

Natyrisht nevojiten më shumë studime për të kuptuar më qartë pikëndarjen mes ndikimit dhe veprimit të lexuesit. Përgjigjja që studjuesit e komunikimit ofrojnë është se lajmet duhet të motivojnë dhe njëherësh të informojnë.

*Ky shkrim është botuar fillimisht në faqen në Anglisht të Observatorit Europian të Gazetarisë.

Picture credits: UNAMID/CC Flickr license

Screeen shot of The National newspaper front page, August 20th, 2016

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , ,

Send this to a friend