Televizioni publik dhe gjuha shqipe

11 Janar , 2012 • Etika dhe Cilësia, Media dhe Politika • by

Folëset e folësit e sotëm kanë meritat e tyre nga pikëpamja profesionale: janë të rinj, telegjenikë, të shkathët, me zë radiofonik, etj., etj., por mjerisht jo gjithmonë janë të vëmendshëm ndaj cilësisë së gjuhës që përdorin.

 Shpesh më ndodh, mbrëmjeve në orën 20:00, të ndjek nga fillimi në fund emisionin qendror të lajmeve në Televizionin publik shqiptar. Për t’u informuar, sigurisht. Mirëpo, meqë merrem me gjuhën shqipe dhe atë frënge, për vetë profesionet që ushtroj, dua, s’dua, jam i vëmendshëm jo vetëm ndaj brendisë së lajmeve, por edhe ndaj korrektësisë apo moskorrektësisë të gjuhës së përdorur nga folëset apo folësit për t’ua përcjellë ato teleshikueseve e teleshikuesve.

Ndonjëra apo ndonjëri, ndoshta me njëfarë të drejte, mund të hidhet e të thotë me një grimë qesëndie: “Profesor Tupja, a nuk ju duket sikur po e teproni paksa duke u sjellë si pedagog edhe kur shikoni lajmet në TVSH?”. Mbase edhe e teproj, por mbase edhe nuk e teproj, sepse gjuha shqipe, si çdo gjuhë tjetër, është para së gjithash një mjet komunikimi dhe nëse ky mjet cenohet, vjen detyrimisht një ditë që edhe mendimi i shprehur përmes kësaj gjuhe nuk vonon e turbullohet, cenohet, gjymtohet dhe bëhet më pak i kuptueshëm. Pastaj, nga ana tjetër, kam përshtypjen që gjuha shqipe është një nga të rrallat pasuri shpirtërore që na ka mbetur gati e pacenuar, prandaj edhe duhet mbrojtur, sepse, në fund të fundit, siç shprehej Fishta, ajo është e para që na lidh e na bashkon si komb.
Për t’u kthyer te Televizioni publik shqiptar dhe, më saktë, tek emisioni qendror i lajmeve të orës 20:00, me keqardhjen më të madhe e më të sinqertë më duhet të pranoj që gjuha shqipe e përdorur gjatë tij lë për të dëshiruar. Ndonëse nuk jam i fushës televizive (ku, ndër të tjera, një emision lajmesh kërkon një vënie në skenë me regjisor një drejtor informacioni, me aktorë folëset e folësit, me skenaristë redaktoret e redaktorët, me një ekip teknik etj., etj. dhe, së fundi, por jo më së paku, me spektatorë qindra mijëra teleshikues), mendoj që folëset e folësit e sotëm kanë meritat e tyre nga pikëpamja profesionale: janë të rinj, telegjenikë, të shkathët, me zë radiofonik etj., etj., por mjerisht jo gjithmonë janë të vëmendshëm ndaj cilësisë së gjuhës që përdorin.

Kështu, pa dashur të përmend emra, jam i shtrënguar të them që ata dhe ato bëjnë sistematikisht gabime gjuhësore të disa kategorive: 1) Keqshqiptime si “eleminoj” në vend të “eliminoj”, “kompromentoj” në vend të “komprometoj”, “recension” në vend të “recesion” etj. etj.; 2) Huazime të panevojshme si “aplikim” e “aplikoj” në vend të “kërkesë” e “bëj kërkesë”, “menaxhim” e “menaxhoj” në vend të “administrim” e “administroj”, “limit” në vend të “cak, kufi”, “ekstrem” në vend të “skaj” apo në vend të “i skajshëm”, “evitim” e “evitoj” në vend të “shmangie” dhe “shmang”, “siguracion” në vend të “sigurim”, “benefit” në vend të “përfitim”, “skonto” në vend të “ulje, zbritje (çmimesh)”, “prioritet” në vend të “përparësi”, “prioritar” në vend të “(për)parësor”, “demarsh” në vend të “përçapje”, “evakuoj” në vend të “a) zbraz b) largoj, shpërngul, “akordoj” në vend të “jap”, “fiskal” në vend të “tatimor”, “minoren” në vend të “i mitur”, “maxhorancë” në vend të “shumicë”, “minorancë” në vend të “pakicë”, “resurse” në vend të “burime”, “implementim” dhe “implementoj” në vend të “zbatim” dhe “zbatoj”, “impresion” në vend të “përshtypje, mbresë”, “komod” në vend të “i volitshëm, i përshtatshëm”, “akomodim” dhe “akomodohem” në vend të “sistemim” dhe “sistemohem”, “suport” dhe “suportoj” në vend të “mbështetje, përkrahje” dhe “mbështes, përkrah”, “kooperim” dhe “kooperoj” në vend të “bashkëpunim” dhe “bashkëpunoj”, “kredibël” dhe “kredibilitet” në vend të “i besueshëm” dhe “besueshmëri”, “perfekt” në vend të “i përsosur, i përkryer” etj., etj. 3) Përsëritje të panevojshme si: “Do të ndërtohen kaq shkolla të reja…”, “gara konkurruese”, “prioritet kryesor”, “impresione mbresëlënëse”, etj., etj. 4) Absurditete si “demilitarizimi i municioneve” në vend të “çmontimi dhe asgjësimi i municioneve”, “mosha e internetit” në vend të “koha e internetit” etj., etj. 5) Gabime gramatikore si: “Takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e tyre grekë…” në vend të “takimet që pala shqiptare ka zhvilluar me homologët e saj grekë…”, etj. etj. 6) Mënyra të shprehuri të përçudnuara si “Ministria X është e gatshme dhe bashkëpunuese për të kryer…” në vend të “Ministria X është e gatshme të bashkëpunojë për të kryer…”. Sigurisht që faji nuk është aq i “aktorëve”, pra i folëseve dhe i folësve, të cilët, në fund të fundit, vetëm lexojnë në pronter çka u shërbejnë “skenaristët”, pra, redaktoret e redaktorët, sesa i këtyre të fundit që, me sa duket, harrojnë se gjuha shqipe ka ca rregulla themelore, të cilat duhen respektuar nëse ata duan që komunikimi me masën e teleshikuesve të jetë sa më i efektshëm. Përgjegjësi ka edhe “regjisori”, pra, drejtori i informacionit.
Për ta mbyllur, dëshiroj të theksoj se, duke qenë i vetmi televizion publik në Shqipëri, TVSH-ja e ka për detyrë të natyrshme ta mbrojë pastërtinë e gjuhës shqipe (sigurisht, pa e penguar pasurimin e kësaj) në të mirë të ndërgjegjes kombëtare jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Çamëri e kudo gjetkë jetojnë shqiptarë që flasin, mendojnë dhe ëndërrojnë në gjuhën e tyre amtare.

 

Botuar në gazetën “Panorama”, 8 Janar 2012.

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend