Shtatë klishe të gazetarëve shqiptarë

2 Shkurt , 2015 • Etika dhe Cilësia • by

Tragjedi e vërtetë, sukses i vërtetë, etj etj. Një tragjedi, një sukses është ose jo, dhe kur ekziston, kur bëhet fakt, pra kur ndodh, është automatikisht e vërtetë. Suksesi dhe tragjedia, apo çdo fakt e akt tjetër, e kanë përkryerjen te kryerja pra te faktualëzimi (factuality). Këtu ndodh dhe vërtetohet edhe njëmendësia e tyre. Nevoja për ta certifikuar një tragjedi si ‘të vërtetë’ vjen nga një amatorizëm i mjeteve të të shprehurit, ose dhe nga një habitje që një profesionisti nuk i shkon. Nuk ka tragjedi të pavërteta. Ato janë tragjike, ose nuk janë. E nëse nuk janë tragjedi, janë melodrama apo pikëllime të vogla te zemrës apo mendjes. Të përdorura shpesh, si në lajme të kronikës së zezë, apo dhe në komente shkruesish që e dinë veten diçka më shumë se kronikanë, madje shpesh të përdorur edhe nga akademikë, togfjalëshi shpreh në radhë të parë një lloj pafuqie. Mund të jetë pafuqi e gjuhës dhe fjalorit por edhe pafuqi emocionale para një ngjarjeje. Megjithatë duhet shmangur. Është një ‘tragjedi’ përdorimi i saj. Flet për tragjizmin e një dore të pastërvitur në shkrim, por edhe një mendjeje të mbyllur ndaj leximeve.

Natyrshëm lind pyetja. Është kryeradha e parapëlqyer e sa e sa shkrimeve. Është një klishe me sa duket e bartur nga leksiku i akademikëve apo gazetarëve të para ’90-ës. E gjen megjithatë me shumicë, në okazionin e përditshëm të opinioneve apo analizave në shtypin shqiptar si të ishte një smerald i stilistikës. Është qymyr gjithsesi, një koks i errët që bën më shumë tym se zjarr dhe e ndot më shumë se e ngroh zemrën e atyre që presin me padurim në dyert e publicistikës për ndonjë kumt që vjen përmes të shkruarit. Nuk është dhe aq stërpërdorimi i kësaj shprehjeje ndoshta sa është kundravajtja logjike e saj. Nëse pyetja e autorëve në fjalë ‘lind natyrshëm’, si lindin ‘panatyrshëm’ pyetjet e tjera? Po dilemat? Për të mos folur për trilemat. Apo utopitë? Dystopitë qofshin larg! Në zakonin e vet, apo huqin e keq, ‘natyrshëm lind pyetja’ përdoret për të bërë një kapërcim apo për të lidhur dy pjesë të shkrimit apo mendimit me njëra-tjetrën. Është një përpjekje për naturalitet (prandaj edhe fjala natyrshëm) që në fakt përbën një artific.

Protagonist kryesor. Një protagonist është një personazh kryesor në një ngjarje apo në një film. Nëse dikush nuk është protagonist, pra nuk është personazh kryesor, është i dorës së dytë apo episodik. Protagonistët në fakt janë një ose dy, dhe është e panevojshme të nxjerrësh kryesorin ndër ta. Nëse të tjerët nuk janë protagonistë, kjo do të thotë se nuk janë kryesorë. Dhe nëse janë protagonistë, atëherë janë kryesorë. Mund të përdorësh kryesorët e asaj ngjarjeje apo protagonistët e atij mashtrimi, pa qenë nevoja e protagonistit kryesor. Zanafilla e fjalës protagonist është greqishtja: Prōtagōnistēs, nga prōtos ‘I pari në rëndësi’ dhe agōnistēs ‘aktor’. Pra aktor i dorës së parë. Pra kryesor. Iluzioni i mbështetjes që duket se i bëjnë njëra –tjetrës fjalët protagonist dhe kryesor është i rrejshëm. Iluzion i rrejshëm?! Ja, pra edhe një tjetër tautologji. Sepse ‘protagonist kryesor’ është një tautologji. Nga greqishtja: tautologos (tautos) “identike” + logos “fjalë, ide”.

Një emision ndryshe…. Një klishe e përhapur si një epidemi si në shtypin e shkruar ashtu dhe në televizion. (Sa për rrjetet sociale, ato nuk janë gjë tjetër vetëm imitime të dëshpëruara të gazetave dhe televizionit me pretendimin e madh se janë ‘media ndryshe’). Zakonisht përdoren për të shitur apo marketuar emisionin apo punën e dikujt, por meqë gazetarit i mungojnë mjetet dhe fuqia e interpretimit, apo dhe vetë kuptimit, e klasifikon nën ‘ndryshe’. Për të thënë ‘i allasojtë’, ‘gjenuin’, ‘i pahasur’, një ‘risi’, një ‘thagmë’. E kështu me radhë. Është pra dëshira për të transmetuar skup (scoop) përballë pafuqisë së subjektit për të mbajtur peshën e këtij sensacioni. E përdorin zakonisht gazetaret e kulturës. Ato. Të njëjtat që shkrimtari Agron Tufa i quan në një shkrim ‘skupicat e faqeve të kulturës’. Ruajuni, si nga gazetarët që raportojnë gjëra që janë ‘ndryshe’ ashtu dhe nga vetë gjërat ‘ndryshe’. Ka kohë që në anët tona bëhen gjërat njësoj si më parë dhe kjo monotoni e trashë prodhon nevojën e ‘ndryshe’.

Ishte i pranishëm edhe vetë…Fraza shpreh ngulitjen e kultit të individit në psikën e rrjedhimisht edhe leksikun e shqiptarit. E gjen rëndom në tekste ku gazetari përpiqet të eksportojë në mendjet e lexuesit rëndësinë e aktit dhe të faktit. Pse çka ai/ajo po raporton nuk është një ngjarje dosido, por e vlen vëmendjen tuaj. Sepse aty ishte i pranishëm edhe vetë kryeministri Rama…Apo edhe vetë presidenti Berisha. Pra vetë AI. (Si dikur vetë Enver Hoxha.) Duke qenë përpjekje për raportim dramatik është gjithashtu edhe një lloj fyerje e inteligjencës së lexuesit. Pse, a nuk mund ta marrim me mend se në takim ishte i pranishëm vetë kryeministri sapo të na thuhet emri, dhe jo dytësi i tij? Por zbulon edhe një kompleks inferioriteti apo amatorizmi të autorit/es së frazës: e kompromenton deri diku paanshmërinë e raportuesit. Rëndësia e një lajmi nuk është automatikisht te statusi i një individi, por te çfarë, ku, kur, si dhe përse e thotë. Për gazetarinë gossip sigurisht statusi mjafton.

!!!!Pikëçuditëset me tepri. Një batare e tyre, një përdorim vend e pavend është rasti i autorëve që duan të habisin apo impresionojnë lexuesin. Pikëçuditëset përdoren kryesisht për të shprehur kulminacion të frazës apo për të theksuar peshën e një fakti. Sigurisht, edhe për të përmbyllur pasthirrmat, britmat etj. Pra janë një eksklamacion i dramatikes. Por ato nuk mund të përdoren për të pikëzuar fjali të zakonshme që nuk bartin çudi. Siç e thotë edhe vetë kuptimi i tyre, ato janë ‘pika mbi çuditë’. Përdorimi pa kursim është më shumë një autosugjestion i autorit, të cilin kërkon t’ia përcjellë edhe lexuesit. Siç janë të pavend fjalët e tepërta janë të tilla edhe shenjat e pikësimit. Është si të vësh pikëpyetje në fund të fjalive që nuk shprehin kureshtje, që nuk pyesin dhe nuk duan t’ia dinë për asgjë.

Nuk kish si të ndodhte ndryshe. Dhe nuk kish si ndodhte ndryshe/ të ndodhte ndryshe s’kish se si/ u desh të zhdukeshin përbindësha/ që te kjo botë të vije ti. Te këto vargje nga një poezi e hershme, tashmë klasike, e Kadaresë, duket se e ka zanafillën edhe popullorja e shkrimeve gazetareske në Shqipëri. Para se të futej në gazetari, ajo ka bërë për shumë kohë xhiron e bisedave urbane duke u bërë pjesë e slang-ut. Këtu merr jetë edhe statusi i saj si klishe. Sigurisht përdorimi i saj për të shprehur ironi apo autoironi mund të përbëjë një stilistikë të mirë, por jo përdorimi literal i frazës sa për të shkërbyer një urë lidhëse mes pjesëve të shkrimit. Kadareja e ka përdorur si epanastrofë, pra përsëritje të vargut në fillim të vargut pasues. Kur merr gjysmën e saj nga poezia për ta përdorur në publicistikë, pasi ka kaluar më parë nga slangu, përshtypjet janë të zbehta në mos irrituese.

 

Botuar në gazetën Mapo. Titulli në original: “7 klishe (gabime) të gazetarëve shqiptarë”

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend