Pak etikë për Kodin e Etikës

15 Shtator , 2013 • Etika dhe Cilësia • by

Lajmi rutinë që kryeministri i ri mund t’u ketë kërkuar ministrave të nënshkruajnë një Kod Etike në marrëdhëniet mes tyre dhe sidomos në përcjelljen e lajmit tek publiku po prodhon lajm dhe zhurmë shumë më tepër sesa programi i qeverisë. Ka dy grupime: një palë që e mirëpret (pjesa pro qeverisë) dhe një palë që anatemon (natyrisht pjesa pro opozitës). Ironikisht në këtë debat janë përfshirë edhe figura drejtuese politike që më parë kanë qenë/janë protagonistë negativë të ushtrimit të pushtetit pa transparencë apo që kanë bërë të njëjtën gjë edhe gjatë drejtimit të tyre.

Interesant është rrjedha e kulturës së debatit në Shqipëri. Të gjithë flasin, të gjithë analizojnë dhe askush nuk merr mundimin të shfletojë ligjet që kemi dhe të na thotë si shprehen ato, të shfletojë praktikat që kemi dhe t’i krahasojë ato, të dallojë modelet perëndimore dhe t’i këshillojë ato. Unë nuk dua të bëj pjesë në këtë logjikë turme të debatit pa etikë për Kodin e Etikës, ndaj po bëj të kundërtën, – po u referohem ligjit dhe praktikave.

Kushtetuta e Shqipërisë, neni 23, thekson se “e drejta e informimit është e garantuar” dhe se kushdo ka të drejtë “në përputhje me ligjin” të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore. Pra, informimi është detyrim dhe e drejtë kushtetuese, ligji përcakton kufizimet dhe kriteret specifike. Në rastin konkret bëhet fjalë për Këshillin e Ministrave, dhe për këtë kemi një ligj për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave. Konkretisht, ky ligj (nr. 9000, 30.01.2003) në nenin 17 flet për parimet e besueshmërisë dhe solidaritetit. Sipas këtij neni “anëtarët e Këshillit te Ministrave duhet t’i respektojnë vendimet e marra ne mbledhjet e Këshillit te Ministrave. Ata duhet te mënjanojnë ne mënyrë te veçante çdo shprehje mospajtimi dhe te mbrojnë ose te përkrahin vendimet e lartpërmendura, pavarësisht nga fakti nëse kane marre pjese ose jo ne mbledhje, ose nëse kane votuar pro ose kundër tyre.

Vlerësimet, debatet dhe raportimet mbeten kofidenciale”. Ja pra që “censura” është ligjore, është detyrim ligjor, votuar me konsensus politik dhe bën pjesë në ligjet themelore të shtetit. Më tej, në ligjin 9131 mbi etikën në administratën publike (neni 3) shkruhet detyrimi i nëpunësve “të ruajë konfidencialitetin e informacionit, që ka në zotërim, por pa cenuar zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare”. Madje më tej (neni 16) detyron nëpunësit e administratës publike që pas largimit nga detyra nuk duhet ta përdorin informacionin konfidencial, të marrë gjatë kryerjes së detyrës, për interes personal. Pra edhe ministrat, edhe nëpunësit kanë detyrimin ligjor për etikën zyrtare të komunikimit.

Le të shohim tani praktikat perëndimore. Në një analizë krahasuese çdo vend demokratik evropian përfshirë Francë, Gjermani, Britani, Holandë, Itali, Spanjë, etj, kanë kode të tilla etike në hierarkinë politike të qeverisjes. Në shumicën e këtyre vendeve ka pasur raste kur zyrtarë të lartë janë shkarkuar pikërisht për nxjerrje të sekretit dhe debateve konfidenciale. Këtu është mbështetur edhe alibia e veprimit të fundit. Po a mund të jenë të ngjashme praktikat? Vetëm pjesërisht. Sepse standardi ynë politik dhe qeverisës është shumë larg standardit perëndimor. Vetëm një detaj: në standardin perëndimor të paktën pesë ministra të rinj, 12 deputetë dhe kreu i parlamentit nuk do të mund të ishin aty ku janë pas 23 qershorit…por ne i kemi, i pranojmë dhe kështu pranojnë një standard tjetër demokracie, atë “për Shqipërinë”. Dhe në këtë standard modelet perëndimore duken shpesh të largëta, pa domethënie, të pakuptueshme.

Le të shohim modelet tona të informimit publik. Gjatë gjysmës së parë të viteve ‘90 nuk kishte konferenca shtypi, por njoftime zyrtare për çdo nivel. Konferencat e rralla që bënte ish Presidenti ishin me gazetë të zgjedhur, dhe 99% të pyetje të porositura. Vetëm pyetja nga ZP dhe KJ nuk ishte tërësisht e porositur. Qeveria në atë kohë nxori një gazetë zyrtare qeveritare dhe e centralizoi informacionin qeveritar në këtë gazetë (Lajmi i Ditës). Natyrisht ishte një veprim pa sukses. Qeveritë e majta dhe të djathta (Nano, Meta, Majko, Berisha) që erdhën më pas krijuan praktikë të re: zëdhënësi i kryeministrit u bë shefi i zëdhënësve të çdo ministrie dhe institucioni qendror, çdo deklaratë mori pëlqimin paraprak të tij, d.m.th, të shefit të tij. Pra versioni i Zyrës së Shtypit në KQ u aplikua edhe për zyrat e shtypit të qeverisë dhe kulmi erdhi me ngritjen zyrtare të komisionit të censurës në mars 1997. Kulmi i pasojave ishte fundi i viteve ‘90 kur një ministër i majtë (BB) u shkarkua nga kryeministri me akuzën e nxjerrjes në media të bisedës me sekretaren amerikane të shtetit apo më 2004 kur qeveria kërkoi arrestimin e një deputeti (NL) për shkak se publikoi një vendim shpërblimi financiar për kryeministrin e stafin e tij.
Kjo praktikë kontrolli në forma më të moderuara u aplikua edhe më 2005 kur zyra e shtypit e qeverisë shpërndau një urdhër për institucionet qendrore sesi do flitej dhe deri edhe se kujt gazete i duheshin dhënë reklama shtetërore. Atëherë një shkresë e tillë shkaktoi skandal, por praktika nuk ndryshoi, vetëm sa kryeministri krijoi një zëdhënës të ri qeverie, me post ministror (M.B), e cila e centralizoi aq shumë informimin zyrtar sa përcaktoi edhe emrin e zyrtarit që do merrte pjesë në debatet e ndryshme televizive. Pra, ajo ishte zyra e censurës ku merrej leja për të vajtur në TV, një praktikë e ndjekur edhe nga kabinetet Nano e Meta, madje nga zyrtarë të lartë politikë të së majtës që sot, për ironi, janë deputetë të opozitës së re.

Përfundimisht, praktika e fundit e qeverisë, por edhe kritikat që shoqëruan atë vuajnë vetë nga mungesa e etikës dhe transparencës publike. Pala që kritikon nuk sjell argumente ligjore dhe as modele, por vetëm konteston, – një praktikë jetëshkurtër, pa rezultat dhe që të kujton modelet nihiliste të tranzicionit. Pala në qeveri po mbrohet në mënyrë të gabuar, duke mos reaguar, duke mos sqaruar, duke mos dhënë garanci sa duhet për shqetësimin e një pjese të publikut, pavarësisht nëse kjo pjesë është pakicë apo nëse është votuese pro apo kundër.

Për të, çështja që ende hap debat është nëse një Kod Etike midis ministrave zëvendëson ligjet dhe sa korrekt do të jetë ai me ligjin dhe detyrimin kushtetues të transparencës. Për shkak se ende nuk është provuar nuk kemi arsye ta anatemojmë, por për shkak se njohim praktikat e deritanishme politike, përfshirë edhe atë të kryeministrit të ri, kemi arsye të jemi skeptik. P.sh, zoti Rama ashtu si z. Berisha kanë një praktikë pune të ngjashme në marrëdhëniet publike: ata nuk kanë bërë dhe nuk bëjnë konferenca shtypi, por japin deklarata shtypi. Gazetarët që ftohen janë të kontrolluar më parë, shpesh pyetjet janë të porositura dhe nëse bëhet pyetje jashtë porosisë, secili merret me personin që pyet, subjektin mediatik ose me batuta dhe jo me detyrimin për përgjigje serioze dhe transparencë publike. Ose më tej: Berisha, Rama, Meta, etj aplikuan në zgjedhje modelin e kasetës së gatshme, lajmit të gatshëm, censurës mbi median dhe takimeve të parapërgatitura më parë nga stafet, duke shkelur dukshëm etikën e komunikimit publik, detyrimin ligjor për transparencë, të drejtat e informimit dhe standardet e atyre zgjedhore. Natyrisht që kjo krijon dyshim, dhe ka nevojë për tu provuar, ka nevojë vetë si praktikë për më shumë transparencë dhe për më shumë garanci ndaj interesit publik dhe përgjegjësisë kushtetuese. Një këshillë thelbësore që vlen për dy palët, palën që do qeveris dhe palën tjetër që me akuzat e keqqeverisjes mori 1 milion vota kundër dhe që vijon të mos dëshmojë akte të reflektimit, transparencës dhe vendimmarrjes demokratike.

Ky vend nuk ka vuajtur nga derdhja e informacionit, por nga censura dhe kontrolli i informacionit. Transparenca është kulturë, është standard, është modernitet dhe element thelbësor për demokracinë. Ndaj ikja nga debate të tilla fiktive apo praktika skeptike kërkojnë akte konkrete transparence dhe akte shoqëruese institucionale e administrative. P.sh, qeveria e re le të hapë zyrat e saj për publikun, çdo qytetar të ketë mundësi të njihet online dhe pa censurë me aktet e saj zyrtare, me buxhetin, me treguesit socialë, me projektet ligjore dhe me të dhëna mbi vendimmarrjen e ministrave dhe zyrtarëve të lartë. Qytetari duhet të vendosë cili është informacioni që ai ka nevojë të dijë, dhe jo një zyrtar, kushdo qoftë ai, në zyrën e tij të pajisur dhe paguar me taksat qytetare. Lajmi politik mund të ndryshohet, por lajmi zyrtar, administrativ, teknik, duhet të jepet në kohë dhe i plotë. Gjë që nuk ka ndodhur, gjë që duhet të ndodhë, gjë që ende nuk ka garanci se do të ndodhë. Sistemi ndryshohet duke ndryshuar praktikat, ligjet, sjelljen dhe mentalitetet, jo vetëm duke ndërruar ca njerëz në poste e zyra. Për ta treguar këtë palët politike, sidomos ajo në qeveri, është në sprovë dhe në sfidë më parimet e shpallura prej saj, me pritshmëritë publike dhe me nevojën për më pak distancë midis standardeve për Shqipërinë dhe standardeve për çdo vend demokratik.

Shkrimi u publikua në datën 12.09.2013 në gazetën Shqiptarja.com(print)

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend