Nevoja për diskutimin e çështjeve etike

17 Nëntor , 2013 • Etika dhe Cilësia • by

Në trajtimin e çështjeve të medias në ambientet mediatike, jashtë tyre dhe në shkollat e profilit përditë e më shumë flitet për etikën e medias, për etikën e gazetarëve apo për atë lloj standardi që evidentohet sa herë që shihen faqe të ndryshme interneti, plot opinione e shkrime nga autorë të njohur e të panjohur.  Ecuria në vite e gazetarisë, zhvillimi i mediumeve dhe i procesit të komunikimit në tërësi është shoqëruar dhe vazhdon të shoqërohet nga kërkesa për standarde etike të qëndrueshme e të përqafuara gjerësisht prej njerëzve, që marrin përsipër të pasqyrojnë çdo ditë zhvillimet shoqërore, politike, ekonomike, etj. Diskutimet e sotme pikësynojnë si formulimin e standardeve të qarta, po ashtu edhe shkëmbimet intensive mes njerëzve të medias me qëllim përmirësimin e nivelit profesional të pasqyrimit, gjetjen e rrugëve për zbatimin e kodeve të hartuara dhe, në mënyrë të veçantë, shërbimin sa më me cilësi ndaj interesit publik.

Problematika e trajtimeve etike është mjaft e gjerë e komplekse në rrafsh global, por edhe në kuadër të vendeve e rajoneve me probleme e tipare specifike. Ajo ka variuar e vazhdon të ndjekë linjën e diskutimit rreth rolit të medias në shoqëri, raporteve me politikën dhe biznesin, jetës private, gjuhës së urrejtjes, rreth burimeve dhe kategorive të tilla si e vërteta, saktësia, qartësia, faktet, opinioni, rreth teknologjisë dhe pasojave të saj në procesin e komunikimit sot, rolit të qytetarëve – gazetarë e shumë të tjerave.

Në këtë sfond mund të thuhet se edhe mediumet tona aktuale kanë problemet e tyre etike, që pjesërisht mund të shpjegohen me periudhën e shkurtër të shfaqjes dhe aktivitetit të tyre, e pjesërisht me gjendjen ekonomike, politike, apo thënë ndryshe, me stadin aktual të shoqërisë sonë. Shtypi i shkruar i viteve ’90-të e kapërceu fazën e opinioneve e të shkrimeve të gjata, që më tepër se analitikë, u ngjanin artikujve me theks propagandistik të kohës së shkuar, por me kahje të ndryshme ideologjike, për t’i hapur rrugën informimit publik. Zhvillimi i vrullshëm i kanaleve private televizive, i stacioneve radiofonike, kompanive celulare e studjove të spoteve publicitare e reklamave, shtëpitë e shumta botuese e kompanitë e telefonisë së lëvizshme e kanë shpërthyer peizazhin e dikurshëm të komunikimit publik, duke i hapur rrugën formave të ndryshme të informimit, pjesëmarrjes së gjerë në këtë proces dhe përdorimit të teknologjive bashkëkohore, pasojë e drejtëpërdrejtë e të cilave është edhe lulëzimi i rrjeteve sociale.

Por ndryshimet e sotme, pavarsisht përmirësive që kanë bërë të mundur në drejtim të informimit të shpejtë, të krijimit e zgjerimit të “sferë publike” të diskutimit, kanë evidentuar edhe një sërë çështjesh: kë dhe çfarë duhet të besojmë? Pse? A janë historitë, që na serviren, të plota e me interes? Ç’qendrim duhet mbajtur ndaj informacioneve me burime të pakonfirmuara? Ku është prova, kërkimi në media? A kemi tashmë thjesht një gazetari të verifikimit, që përpiqet t’i ndihmojë qytetarët me atë bazë të dhënash aq tërëndësishme për t’u orientuar e marrë vendime? Apo gazetari faktesh, ngjarjesh të anonçuara para se të vërtetohen? Apo gazetari politike, që ka si busull besnikërinë, por kurrsesi saktësinë, koherencën ose verifikimin e historisë? Mos vallë janë grupet e interesit, që drejtojnë dhe përcaktojnë çfarë duhet trajtuar, kush mund të flasë dhe madje kush mund ta drejtojë emisonin e shumëpritur?

Anësia ose tipari partizan i medias duket se nuk është zbehur me kalimin e kohës, përkundrazi, ndërkohë që zëra të ndryshëm të pavarur kanë artikuluar qartë shqetësimin e tyre për presionet e politikës e të biznesit si dhe për krijimin e një aleance tripalëshe që cënon nivelin profesional të gazetarisë aktuale. Nga ana tjetër, konkurrenca e ashpër brenda komponentëve përbërës të industrisë mediatike, presioni i kohës dhe dobësitë në formimin e përgjithshëm dhe profilizimin solid të të gjithë atyre që kanë marrë përsipër të raportojnë për zhvillimet dhe dukuritë e jetës së përditëshme  mund të konsiderohen pa frikë si shkaqe të mangësive në media, e për pasojë edhe të mangësive në planin etik. Thuhet shpesh se këto të fundit duan kohë të ndreqen, pasi sistemi i vlerave, nga i cili rrjedhin principet etike udhëheqë, është produkt i zhvillimeve shoqërore, që kërkojnë pikërisht kohë. Por pa mohuar këtë aspekt, nuk është e tepërt të thuhet se mund të hidhen hapa nga faktorë të interesuar – studentë dhe gazetarë: a mund të instalojmë një debat, diskutim dhe dialog rreth etikës?   A mund të biem dakort për nevojën e hartimit të kodeve e rregullave etike në çdo medium dhe angazhimin tonë të përbashkët në këtë drejtim? Dhe së fundi, a ka rrugë të tjera për të kontribuar në aspektin etik, sidomos në kushtet e mediave të reja? Nëse po, atëherë le t’i gjejmë bashkarisht dhe le të nisim t’i japim jetë iniciativave tona pikërisht te “Reporteri” i studentëve, pedagogëve dhe i gjithë kolegëve tanë nga media.

Botuar në gazetën Reporteri, tetor 2013

 

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend