Mbi ndershmërinë, objektivitetin dhe demonë të tjerë

21 Maj , 2014 • Etika dhe Cilësia • by

Është një temë që më ka tunduar që kur nisa të lexoj librin “Intervistë me historinë” të gazetares italiane, Oriana Fallaçi. Libri përfshin 28 intervista me princër, mbretër, kryetarë shtetesh, kryeministra anë e kënd globit, në një përpjekje për të kuptuar kush e qeveris botën, cilët janë njerëzit që vendosin fatet e njerëzimit. Ajo që më bën përshtypje në intervistat e Fallaçit përveç  stilit të drejtpërdrejtë dhe “hard talk”, për të cilin ishte e famshme, është përshkrimi i udhëheqësve botërorë së bashku me intervistën.

Kur lexon Fallaçin, ti merr vesh edhe si  i kishte sytë i intervistuari, çfarë ndjesish kishte gazetarja në momentin që e intervistonte, e donte apo e urrente këtë personazh. Zot, sa e ndryshme nga ato që kemi mësuar! Në “Intervistë më historinë”,  Fallaçi tregon se e adhuroi Golda Meir, dhe iu duk antipatik Arafati. Golda i ngjasoi me nënën e vet, ndërsa Kisingeri i kujtoi mësuesin e vet të matematikës, një figurë të urryer që kënaqej kur i vinte fëmijët në vështirësi.Pavarësisht nga kjo, ti shikon se pyetjet nuk janë ledhatuese për njërin dhe fshikulluese për tjetrin. Thjesht në parathënie, Oriana të tregon kushtet në të cilat e bëri intervistën, pra të siguron kontekst që ti ta kuptosh më mirë të intervistuarin. Ndoshta dhe të drejton pak me interpretimet e saj, por ka të drejtë ta bëjë këtë.

Po, sepse ajo është e ndershme me lexuesit e vet. Thotë: “Kjo jam unë, kështu i qasem këtij apo kësaj, këtë mendim kam për këtë apo atë gjë dhe do pyes për këtë apo atë gjë.” Po gazetarët tanë? Sa i njohim? Sa ua dimë vlerat? Ato për të cilat qëndrojnë? A duhet që gazetari të shprehet paraprakisht për vlerat që mbron? Psh, nëse është një pacifist apo një njeri i luftës? Nëse është pro një kauze apo kundër saj? Sa të ndershëm jemi me publikun në këtë pikë? A duhet që gazetari t’i shfaqë publikisht bindjet e veta?  Sipas Fallaçit, po. Kjo nuk e pengon të bëjë pyetjet që duhen. Për të cilat duhet të lexojë shumë, të studiojë shumë, por mbi të gjitha të besojë shumë te njerëzimi.

Ndoshta në listën e cilësive të një gazetari më shumë se tek të qënit objektiv duhet t’i mëshojmë faktit të qënit i ndershëm, i vërtetë. Sa herë ju ka ndodhur që të lexoni për një personazh që vetëpërshkruhet, pa përthyerje, pa ndjesi? Mua më ka ndodhur shumë herë, aq sa kam pyetur veten pse duhet një gazetar në kësi rastesh.  Edhe lloji i medias ndikon në mënyrën si shfaqen personazhet. Gazeta kërkon më shumë kontekst, televizioni nga natyra është më teatral. Njerëzit përpiqen të paraqiten sa më mirë në televizion, vënë shumë “shtresa” mbi të vërtetën si pudra e makiazhit në fytyrë. Pjesa e intervistës është vetëm një pjesë e realitetit, jo i gjithë realiteti. Ndonjëherë i stisur, pasi personi që intervistohet, impostohet që të dalë sa më mirë. Janë detajet, veprimet para, gjatë dhe pas intervistës që të zbulojnë personazhin në gjithë dimensionet e tij. Kur Fallaçi tregon që x lider i dërgoi makinën për ta marrë në hotel, i bëri temena dhe i shtroi një mëngjes përrallor për ta mahnitur, ti kupton stilin e sjelljes së këtij lideri, përtej përgjigjeve të intervistës. Ta shkruash këtë kërkon guxim, po aq sa edhe pyetja e famshme e saj: “Të gjithë e dinë se jeni i korrptuar. Sa i korruptuar jeni?” Sa nga gazetarët tanë do ta bënin këtë? Dyshoj shumë, duke parë sa janë shtuar konferencat për shtyp pa pyetje, gazetarët që mbajnë mikrofonat dhe kthejnë kokën në anën tjetër ose bisedojnë me shokun ndërsa personi flet, ose situata tjetër absurde kur “zbardhin” pikë për pikë deklarata që vetëm një verifikim i thjeshtë do i kthente në nul.  Duke i mëshuar objektivitetit, ose duke e keqpërdorur atë, kemi lënë mënjanë ndjesitë njerëzore, vëzhgimin e mprehtë dhe ndërveprimin. Sot më shumë zbulojmë nga ato që nuk thuhen në gazeta sesa nga ato që thuhen.

Puna e gazetarit ka një numër të madh “djajsh”: saktësi, balancë, paanshmëri, pavarësi, vërtetësi, objektivitet. Gati-gati një punë e pamundur. Po të qënit të ndershëm, e mundëson këtë. Ja pse Carl Bernstein, njëri nga dyshja e famshme e Watergate-it thotë se  “gazetarët vendosin çfarë është lajm, që është gjykimi më subjektiv dhe nuk ka kuptim ideja e punës sonë e të qënit objektiv.”

Të qenit objektiv nuk do të thotë automatikisht i ndershëm. I ndershëm rreth mënyrës sesi janë dhe si duhet të jenë gjërat. I ndershëm rreth asaj që beson se është më e mira për botën. I ndershëm rreth asaj që sheh dhe dëgjon. Duke qenë vetëm objektiv, nuk e arrijmë dot ndershmërinë. Për shumë shekuj, modeli i gazetarisë “ai tha, ajo tha”- i ka siguruar gazetarëve pozicionin objektiv dhe të paanshëm. Parimi i objektivitetit vazhdon të mbetet sot e gjithë ditën një model i vlefshëm dhe i nderuar i gazetarisë. Por sot, për shkak të përsosmërisë së makinerisë së marrëdhënieve me publikun dhe shumësisë së informacioneve që gjenden kudo, ky model rrezikon ta lërë shtypin në mes të rrugës në përmbushjen e misionit të tij parësor, e si rezultat-publikun të painformuar.  Të jesh objektiv nuk do të thotë vetëm të citosh palët në një konflikt; të jesh objektiv do të thotë ta shikosh një çështje pa pasur interesa në të; mund të qëllojë që argumentimi yt të përputhet me një nga palët në konflikt, por kjo nuk do të thotë që nuk ke qenë objektiv; pikërisht pozicioni yt mbi palët, në shërbim të publikut, ta jep të drejtën e gjykimit të pavarur.

Gazetarët vazhdimisht do të gjenden në zjarrin e deklaratave kundërshtuese nga palët. Ata sigurisht mund te zgjedhin raportimin e tipit “ai tha, ajo tha” dhe të jenë krejt në rregull me parimet e gazetarisë klasike, po në këtë rast ata nuk e kanë kryer detyrën e tyre.

Nëse duan vërtet të jenë pushtet i katërt dhe jo njerëz që vetëm mbajnë mikrofona apo zbardhin deklarata, gazetarët duhet të dalin nga komoditeti i “ai tha, ajo tha” dhe me forcën e argumentit t’i thonë publikut: ai tha, kjo tha, po e vërteta është kjo.” Jo me arrogancë, jo me mendjemadhësi, sepse në një shoqëri të hapur askush nuk e zotëron monopolin e të vërtetës, por me durim e këmbëngulje, me dashuri për profesionin e respekt për publikun, gazetarët kanë mundësi e duhet të bëjnë përpjekje të na ndriçojnë udhën për atje dhe kështu të realizojnë misionin e tyre.

Është një barrë e madhe, është edhe e rrezikshme, por ia vlen. Gazetaria nuk është një punë që bëhet mekanikisht, i sheh faktet, i grumbullon, pastaj i shfaq. Duhet edhe të mendosh, si rri ky fakt në raport me një tjetër, pse ky nuk rri mirë këtu, mos është i futur si pykë, etj. Pa duhet të vësh edhe shpirtin, kur raporton për njerëz që duhet t’i respektosh, pavarësisht nëse dinë të flasin anglisht ose s’kanë mbaruar filloren në shqip. Në këtë kuptim po, që misioni i gazetarit është të tregojë të vërtetën dhe jo vetëm të informojë. Mund të informosh gjithë ditën, po nëse thua gënjeshtra, cila është vlera e punës tënde? I detyruar për shumë kohë të fshihet nën zhguallin e pavarësisë dhe të objektivitetit, kemi krijuar një presion të panevojshëm duke i detyruar gazetarët të vënë maska e të paraqiten para publikut të ftohtë deri në zvetënim. Duke harruar që çdo lajm që prodhohet është një projektim i ndërgjegjes së një gazetari/eje mbi botën. Le t’i çlirojmë gazetarët nga detyrimi për të qenë objektiv. Më së pari gazetarët duhet të jenë të ndershëm. Me veten dhe pastaj me publikun.

Ky artikull është shkruar enkas për debatin “Media për median”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend