Lufta e komenteve ose interneti që flet shqip

10 Shtator , 2012 • Etika dhe Cilësia, Mediat e Reja • by

Sa demokratik është interneti? Një pyetje që po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë, teksa i hedh një sy asaj që shqiptarët shkruajnë e komentojnë në disa qindra faqe interneti të mediave të ndryshme, apo në blogje personale, rrjete sociale etj. Mijëra, dhjetra mijë komente derdhen çdo ditë në gjuhën shqipe në internet, nga persona që jetojnë në të katër anët e botës, që më të shumtën e rasteve nuk përdorin emrin e tyre, por që kanë një ide dhe një përgjigje të gatshme për cilindo dhe për gjithçka.

A duhet disiplinuar në një farë mënyre ky trafik i stërmadh komentesh? A duhet bërë ai më etik, më i rregulluar dhe më fisnik gjithashtu? Ja një debat që ndodhet në kufirin e hollë të respektimit të lirisë së shprehjes dhe respektimit të dinjitetit e etikës bazë. Ideja e një moderimi të panoramës së komenteve që bëhen në faqet online të lajmeve e blogjeve, pa cenuar ndërkaq lirinë e të shprehurit dhe pa i hequr asnjë presje demokratizimit të informacionit, është një argument që prej kohësh ka ngjallur diskutim. Ka pasur duartrokitës dhe skeptikë, ideja ka ngjallur mbështetje, por edhe kundërshti. Ka pranues dhe mospranues. Në një forum të përmbledhur, kemi sjellë opinionet rreth kësaj çështjeje nga disa prej protagonistëve kryesorë të menaxhimit të informacionit në faqet e ndryshme të lajmeve online si dhe blogjeve më të njohur. Ja sesi e komentojnë këtë temë për JAVA-n Ardian Vehbiu, Mustafa Nano, Mero Baze, Blendi Salaj, Gjergj Erebara, Ikub.al…

E ardhmja e informacionit është diçka që na përket të gjithëve dhe në të cilën lexuesit kërkojnë gjithmonë e më shumë hapësirë dhe mënyra të reja pjesëmarrjeje. Të gjithë bashkë ata përbëjnë vlerësuesin tonë unik. Janë motivimi i çdo dite në punë, të lidhur ngushtësisht me ne në pritshmëri reciproke. Janë motivimi i çdo mendimi që pason një argument, por shpesh edhe demotivimi i tij. Në ditët e sotme, lexuesi ynë, besnik ose jo qoftë ky, është vetëm një klikim mouse-i larg fatit të çdo artikulli. E megjithatë ai nuk ndalet këtu. Gjithmonë e më shumë pretendon, kërkon dhe gjen hapësira më të gjera pjesëmarrjeje. Të përpiqesh ta kontrollosh mund të mos jetë gjithmonë e lehtë…

Ardhja e internetit dhe e ueb 2.0 e ka zgjeruar shumë horizontin e realitetit. Kaluam nga një moment historik, ku, nëse dikush nuk binte dakord me një artikull gazete apo një shërbim televiziv, mundej vetëm të ankohej me veten dhe rreth vetes, ndërsa tani, interneti i lejon të hyjë në marrëdhënie me shumë përdorues të tjerë dhe të ndajë, pasurojë dhe modifikojë mendimin e tij. Mundësi shpërblyese për mijëra e mijëra lundrues dhe aktivistë të botës së ueb-it, por edhe për feedback-un e të gjithë autorëve që përgatisin këtë informacion. E megjithatë, në këtë pikë, shpesh, të përfshirë nga kjo sfidë komentesh, që zbrazen fare papërpunuar mbi artikullin e radhës, vala e mendimit, kritikës, argumentit, kthehet në një arenë personale banalitetesh, fyerjesh, që më shumë sesa në përmbajtjen e materialit e vë fokusin tek autori dhe gjithçka tjetër rreth tij, që as i ul e as i ngre peshë asaj që ka thënë apo shkruar. Ky është rasti më tipik, të gjithë jemi përballur me të. Megjithatë, shembujt që mund të hasësh duke bërë një vizitë të shpejtë nëpër faqet online të lajmeve e blogjet e ndryshme, janë edhe më “të rëndë”, nëse mund t’i quajmë kështu.

Vetëm pak kohë më parë, kur në një nga faqet online të lajmeve sapo ishte publikuar lajmi tragjik për vrasjen e Fatbardha Tafës, 37-vjeçares që përfundoi e therur me thikë nga grabitësi i saj, në morinë e komenteve të atyre që u tronditën nga ngjarja, nuk ishte vështirë të vije re edhe një koment që ishte as më shumë e as më pak, por po aq tronditës sa vetë lajmi. Fare pa hezituar, vetëm pak orë pas ngjarjes, në vetëm një fjali, një anonim shkruante “Vrasësit janë “X” dhe “Y”…”. Emrat e shkruar, sigurisht që nuk ishin të dy kriminelëve, por të dy qyqarëve që as që kishin lidhje me ngjarjen. Ata ndoshta nuk e morën vesh asnjëherë që pas komentit në fjalë, një lumë sharjesh e mallkimesh u “uronin” zi e më zi në të shtatë brezat e ardhshëm…

Këto raste komentesh, nuk ka fjalor të censuruar që i nxjerr jashtë loje. Po edhe kur fjalori i përdorur duket se ka zbritur aty drejt e nga rruga, përsëri, shumë moderatorë të faqeve online dhe blogjeve kanë zgjedhur t’i japin përparësi pikërisht këtij demokratizimi të informacionit, komunikimit të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm midis vizitorëve të tyre. Ashtu sikurse plot të tjerë kanë vendosur t’i thonë stop pikërisht abuzimit me këtë liri.

Vetëm pak ditë më parë, në faqen e tij www.respublica.al Mustafa Nano do të njoftonte të gjithë vizitorët dhe komentuesit e saj se andej e tutje komentet e tyre nuk do të publikoheshin në mënyrë automatike, por do të kalonin më parë në filtra redaksionalë që censurojnë vulgaritetin në gjuhën e përdorur. Kjo pasi publikimi i lirë i tyre kishte ‘dështuar me sukses’, duke larguar për pasojë shumë lexues të tjerë seriozë. Vendimi u përshëndet sakaq nga publicisti Adrian Vehbiu, moderator i faqes ‘Peizazhe të Fjalës’ – www.xhaxhai.wordpress.com përmes një komenti që thërriste “Dëbojini, para se t’ju dëbojnë!”. Të tjerë më parë, e kishin marrë me kohë kë të vendim. Kështu kishte kohë që funksiononte tek www.panorama.al, në www.balkanweb.com, tek www.ikub.al, etj. “Do ishte i pajustifikueshëm lejimi i publikimit të të gjithë komenteve. Jo më tepër për faktin se janë krejt pa lidhje me temën, por mbi të gjitha sepse ngarkojnë më kot me banalitete të tejskajshme një hapësirë ku marrin pjesë përdorues dhe lexues seriozë që do të ishte e tepërt të mos i respektoje. Dhe jo vetëm ata, por çdo vizitor të thjeshtë që hyn dhe përballet me turlilloj fyerjesh.

Lejimi pa asnjë lloj filtri do të ishte në dëm të të gjithëve. Prandaj ne kemi zgjedhur një staf të posaçëm gazetarësh që sipas radhës bëjnë edhe redaktimin paraprak të çdo komenti përpara se ai të marri miratimin për tu publikuar. Kuptohet është një punë titanike, por ama, kemi zgjedhur të penalizojmë të gjithë ata që i kalojnë caqet duke i bërë bllokim të përhershëm adresës me të cilën hyjnë”, thotë Gentian Progni, webmaster pranë www.balkanweb.com. Tek www.gazeta-shqip.com, nuk i kish të hapura komentet deri në maj të këtij viti. Megjithatë, nga dëshira apo pamundësia, nuk e mendojnë kështu Blendi Salaj në www.peshkupauje.com dhe Mero Baze në www.gazetatema.net 

 

Mustafa Nano/”Respublica”

Ideja e demokratizimit të informacionit, e asaj që e quajmë me të drejtë ‘liri e fjalës’, projektuar në tollovinë e banaliteteve që qarkullojnë përditë e më shumë në botën e internetit, mbetet një utopi, nëse njëkohësisht do të pretendonim që kjo të mos cenonte sakaq etikën. Niveli i lexuesve dhe shkruesve sot e kudo, në një pjesë të madhe të tij, lë shumë për të dëshiruar. Dhe kjo, jo për sa i takon cektësisë së mendimit, por mbi të gjitha kur vjen puna tek gjuha e përdorur. Fyerjet, banalitetet deri në vulgarizim total të diskutimit (nëse mund të quhet më i tillë), i prishin jo vetëm imazhin faqeve serioze të internetit, por detyrimisht largojnë prej tyre pjesën më të mirë të vizitorëve apo bashkëpunëtorëve seriozë. Dhe ky është regres i saj. Megjithë dëshirën e mirë për të lënë ‘dorë të lirë’ në shprehjen e mendimit, duke parë se degjenerimi i komenteve personalizohet dhe përfundon në një garë të shëmtuar mes komentuesve se kush di të shajë më ndyrë, është e pamundur të mos fillosh të tërheqësh frerët. Prandaj unë kam vendosur që duke nisur nga shtatori të mos publikojë më asnjë koment në faqen e respublica-s pa i redaktuar dhe seleksionuar ato më parë. Le të quhet një sezon i ri i kësaj faqeje. Provuam gjithë këto kohë që të eksperimentonim me publikimin e lirë dhe të pacensuruar të komenteve, por mund të themi se eksperimentimi ‘dështoi me sukses’. Ne duam të falënderojmë të gjithë ata lexues që, edhe në këto rrethana të lirisë për të “harbuar” me komente, nuk i janë dorëzuar ngasjes për të “harbuar”; përkundrazi, kanë shkruar e publikuar komente qibare, me një gjuhë normale dhe brenda standardeve etike. Por nga ana tjetër, komentues të tjerë kanë qenë zhgënjyes. Një pjesë syresh na e kanë ndotur keqas faqen web, e nuk është çudi që të jenë bërë shkak i ftohjes së disa lexuesve me këtë website. Kemi vendosur të adoptojmë një qasje tjetër ndaj këtyre komenteve. Nuk do t’i publikojmë. Me fjalë të tjera, komentet nuk do të publikohen në mënyrë automatike. Ato do të miratohen paraprakisht nga ne. Censura do të eliminojë vetëm komentet vulgare; kriteri i bllokimit do jetë pra gjuha e shthurur, por në asnjë rrethanë nuk do të jetë qëndrimi politik apo kulturor i lexuesit. Për këtë arsye, komentet do të publikohen me pak vonesë, që mund të shkojë deri në 2 orë.

 

Ardian Vehbiu/ “Peizazhe të fjalës”

Kur lexon ndonjë editorial ose opinion, në gazetat e mëdha globale, si The New York Times, ose The Guardian, një nga kënaqësitë më të mëdha është të kalosh minuta, madje edhe orë, me komentet e lexuesve, të cilat e plotësojnë temën e artikullit, e analizojnë në hollësi, e pasurojnë, e shfaqin në anë të ndryshme, shpesh në kundërshti mes tyre; dhe e shndërrojnë në një katalizator të fuqishëm të mendimit. Sekreti i këtij efekti të mrekullueshëm ka të bëjë me faktin që komentet, në këto gazeta elektronike, moderohen rigorozisht.

Unë administroj prej kohësh një blog, Peizazhe të fjalës, ku gjithashtu prej kohësh kam theksuar nevojën për mbikëqyrje të debatit në komentet. Megjithatë, besoj se edhe ato media të cilat i kanë lënë krejt të lira komentet, e kanë vënë tashmë re se liria asisoj e shprehur është kundërprodhuese.

Jo rrallë, monitorimi i komenteve online kritikohet, nga palët e prekura, si formë e censurës, ose si cenim i lirisë së fjalës. Këtu, besoj, kemi të bëjmë me një keqkuptim. Liria e fjalës është e drejtë themelore e njeriut; por, e theksoj, e njeriut, si individ dhe si person, që konsiston në një buqetë të drejtash dhe përgjegjësish. Përkundrazi, shumica dërrmuese e atyre që komentojnë online e bëjnë këtë në formë anonime, nëpërmjet pseudonimesh të cilat, po të duan, mund t’i ndërrojnë çdo ditë. Pseudonimi, ose komenti anonim, i vendos komentuesit një maskë komode, duke e zëvendësuar identitetin e personit me një identitet personazhi, ose fiksional. Këto identitete fiktive, të cilat janë më shumë ankorime për ligjërata dhe opinione të çfarëdoshme brenda debateve, gëzojnë po aq të drejta sa edhe personazhet e veprave letrare ose të filmave. Me fjalë të tjera, një individ që vullnetarisht heq dorë nga prerogativa për të qenë person, me të drejtat dhe përgjegjësitë përkatëse, ka hequr vetvetiu dorë edhe nga pretendimi për moscenim të së drejtës së fjalës.

Faqet e komenteve në mediat tona online, ku mbizotërojnë anonimët, nuk mund të shihen si hapësira të ushtrimit të së drejtës së fjalës ose të lirisë së shprehjes, por më tepër si vende karnavalesh, ku njerëzit përkohësisht dalin nga zhgualli i personit, ose nga trualli ku vepron rregulli etik. Situata asimetrike, që krijohet në të gjitha ato raste kur një autor i identifikuar përballet me gjithfarë sulmesh ad hominem, akuzash, insinuatash, shigjetash të helmatisura, shpifjesh, provokimesh dhe pështymash, që i vijnë nga maskat, tash e tutje nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet më – pse nuk i shërben lirisë së fjalës, por përkundrazi, censurës së fjalës nëpërmjet kakofonisë totale.

 

Mero Baze / “Gazeta Tema”

Ky është një debat i madh, për një sëmundje të re të lirisë, vaksina për të cilën ende nuk ka dalë. Tema është gazeta më e klikuar në vend dhe presioni i komentuesve në faqe është i papërfytyrueshëm. Ka rreth 4 mijë njerëz në 24 orë që shkruajnë për të dhënë mendimet e tyre. Është një pamundësi fizike të përballosh vetëm një hedhje syri mbi ta e jo më t’i redaktosh. Për këtë arsye ne i kemi lënë thuajse të lirë. Fshijmë ndonjë herë me vonesë ofendime të rënda, akuza seksuale dhe raciste dhe gjëra personale për familjarët e personazheve. Në plot raste na shpëtojnë nga censura dhe për këtë u kërkojmë ndjesë paraprakisht.

Është e qartë se kjo stuhi komentuesish nuk është një vlerë e gazetarisë online, por është një zhvillim i ri me të cilin ne duhet të përballemi. Unë shkruaj çdo ditë me emër dhe gjykohem nga njerëz pa emër. Politikanët shfaqen përditë me zë dhe figurë dhe gjykohen nga anonimë të frustruar dhe shpesh të ligj. Është e qartë se jemi në kushte të pabarabarta me ta.

Po përse Tema i ka lejuar në shumicë? Kam vënë re disa prirje të cilat nuk mund t’i respektoj. Pavarësisht perversëve, thashethemexhinjve dhe të frustruarve, shpesh dhe seksualisht, në forum ka njerëz serioz, të mençur, shpesh herë shumë më të mençur se vet ata që shkruajnë në gazetë dhe ata kanë fuqi ta mbajnë debatin në shina serioze.

E dyta që kam vënë re është se pavarësisht banalitetit apo gjuhës së rëndë, prirja e komenteve shkon tek një statistikë reale. D.m.th. në sasi komentuesit japin një trend pohues apo mohues të asaj që ke shkruar. Është një test i hapur publik me të cilin duhet të mësohemi. Nuk duhet të ndryshojmë vetëm komentuesit por dhe veten tonë.

E treta që më duket me rëndësi është se komunikimi online, nëse censurohet për shkak të etikës, humbet kuptimin, pasi mund të korrigjosh me këtë rast dhe tendencën e komenteve pro apo kundër dhe  të japësh një pamje të përmbysur të realitetit.

E katërta, duhet të pranojmë se komentuesit shpesh plotësojnë raportin më mirë se gazetarët duke dhënë ide të tyre, informacione anonime, që shpesh herë na kanë çuar tek të vërteta të hidhura.

Për gjithë këto arsye jam partizan i korrektimit etik të tyre, gjë që kërkoj ndjesë se nuk ia arrij dot fizikisht ta bëj, por jo të tendencës së tyre dhe frymës polemiste që kanë për tema të caktuara.

Ky është një realitet i ri, është një gazetari e re e cila ka sëmundjet dhe vlerat e veta. Nuk korrigjohet duke i prerë gjymtyrët por duke u ndeshur me të.

 

Gjergj Erebara/ “Gazeta Shqip”

Që nga vitet 2000 e pas, bota ka hyrë në një fazë të re që njihet si Gjenerata e Dytë e Internetit ose Internet 2.0. Ndryshe nga gjenerata e parë, njerëzit nuk janë më vetëm konsumatorë të informacionit të shpërndarë në këtë medium, por janë njëkohësisht edhe prodhues informacioni. Disa e kanë konsideruar këtë si “modeli post-kapitalist i zhvillimit”. Prodhimi dhe shpërndarja e ideve nuk është më nën kontrollin e disa njerëzve, por është demokratizuar.

Problemi, si gjithmonë është se disa mund të abuzojnë me këtë liri të fituar.

Abuzimet e dukshme, si p.sh., përhapja e mesazheve fyese, apo thirrjeve për dhunë, janë një gjë. Abuzimet relative, si kritikat ndaj një politikani, akuzat për sjellje korruptive apo të pamoralshme, janë një gjë tjetër. Nuk është mirë që media p.sh., të fillojë të censurojë (siç ka bërë deri më sot) një komentues që përdor dialekte.

Pyetja që shtrohet është gjithmonë pyetja më klasike në gazetari, pra nëse censura duhet të jetë paraprake apo jo.  Nga pikëpamja praktike, bota e internetit është e pamundur të kontrollohet. Një media mund të ketë mijëra komente të ditë. Leximi i tyre një për një si dhe gjykimi për to është i pamundur. Nga pikëpamja teorike, censura paraprake i ngarkon medias një përgjegjësi që në opinionin tim, nuk i takon. Për nga emri dhe origjina, media është një fushë debati, jo një mjet filtrimi. Media siç e njohim deri më sot me sisteme censure është një fenomen i epokës industriale, pra i një periudhe të shkurtër në historinë e njerëzimit. Interneti e ka kthyer konceptin origjinal të medias, si një shesh ku njerëzit shkëmbejnë ide.

Çdo tentativë për censurim paraprak të komenteve të lexuesve është jodemokratike në vetvete. Shumë gazeta ndërkombëtare kanë krijuar një sistem demokratik lexuesit janë të lirë të komentojnë çfarë të duan, por ata vetë mund të lexojnë komentet e mëparshme dhe t’i japin një vlerësim pozitiv apo negativ. Gazeta “Shqip” zbaton pikërisht këtë parim. Në fund, në rast se shumë lexues i japin votë negative një komenti, ai koment fshihet. Një mënyrë tjetër kontrolli është që komentuesi duhet të identifikohet përmes një kodi identifikimi të kompjuterit nga ku po punon si dhe një adrese email-i. Në rast se vërehet abuzim i përsëritur nga lexuesi, atëherë mund të bllokohet aksesi i tij te komentet.

Në fund të fundit, komenti i një lexuesi në një shkrim të caktuar nuk përbën ndonjë dëm të jashtëzakonshëm, sado fyes të jetë. Censura paraprake mund ta kthejë median prapa, në kohën kur lexuesit nuk kishin të drejtë të reagonin, megjithëse bombardoheshin me informacione, të cilat, pavarësisht censurës paraprake, nuk qenë domosdoshmërisht të sakta e të vlefshme.

 

Blendi Salaj/ “Peshkupaujë”

Në këtë diskutim nuk ka një palë që mbron gjuhën e fëlliqur – dhe mendoj se gjuhën, më fort se forma, e fëlliq përmbajtja. Ndër zërat që shprehen për blogosferën nuk ka një grup që të jetë për kërcënimet apo shpifjet, për racizmin apo injorancën që shpaloset rregullisht online nën anonimatin oh-kaq-trimërues. Jemi të gjithë për komunikimin cilësor dhe të lirë. Do të donim, sigurisht, që blogjet tona të ishin përherë të mbushura me diskutime pasiononte, por të argumentuara. Debate të zjarrta por logjikë dhe plot respekt. Por ja që nuk është kështu. Ja që, halla nuk është xhajë. Cinizmi, gënjeshtra dhe përqeshja janë të zakonshme, por më rrallë haset dhe fyerja, kërcënimi, shantazhi, mostoleranca…dhe fatkeqësisht ky mozaik është një tablo e shoqërisë. Në asnjë mënyrë nuk po them se shqiptarët janë të gjithë kështu, por shumë prej nesh, janë. Ky është realiteti, ndërsa ai tjetri – ai i komenteve të aprovuara nga moderatori – është realiteti i moderuar. Por jo i ndryshuar. Sepse për ta ndryshuar duhet domosdoshmërisht, herët apo vonë, ta përballësh. Po, do duhet t’i bësh duart me mut. Por nëse ke durim mjaftueshëm, e vullnet mjaftueshëm. Është punë e pistë, por dikush duhet ta bëjë.

Ne tek Peshkupauje, do të vazhdojmë  të moderojmë komentet në kohën që ia kushtojmë blogut. Nuk dua të hyj në justifikime banale për mungesë financimi, kjo s’ka fare të bëjë. Nëse komunikimi në blogjet do ishte si punë në një kopsht, do të preferoja të isha ai që mbjell fara më mirë sesa të isha ai që krasit degët. E prapëseprapë, detyrohem shpesh të krasis komente, punë që e konsideroj një eksperiencë të tmerrshme, pa asnjë gëzim.  E më tej, cili është ai shpirt njeriu që do mbajë dënimin  leximit të qindra – ndonjëherë mijëra komenteve në ditë?

Nuk jam fare me teknikën e aprovimit të mëvonshëm të komenteve nga moderatorët. Kjo nuk është praktike për një bisedë. Ne duam të kultivojmë një bisedë – tolerante, miqësore, të frytshme – por duke i vonuar nga dy orë (apo deri në mëngjes) komentet, përfundimisht bisedë nuk ka. Ajo që mbetet ngjan më tepër si letërkëmbim. Jam për komentimin aktiv, e dua blogun live, jo me regjistrim.

 

ikub.al 

Për të kuptuar drejt panoramën e përgjithshme të komenteve, duhet t’i shohim ato bruto, pra pa kaluar në filtrat e moderimit paraprak. Ne besojmë se komentet reflektojnë 100% shoqërinë shqiptare aktuale. Ka komente serioze, komente shumë analitike, komente fyese, komente me sharje, komente të cekëta, komente jashtë teme, çka na bën të besojmë se përdoruesit kanë qenë vetvetja në komentet e shprehura, ashtu si ata janë në jetën e përditshme dhe ashtu si gjithsecili nga ne i ka hasur në rrugë, autobus, punë, lagje etj.

E jona, në tërësi është një faqe e hapur, por që funksionon mbi bazën e disa kushteve të mirëpërcaktuara paraprakisht, si edhe rastet kur informacionet mund të hiqen. Pra, çdokush është i lirë të postojë një informacion dhe është i vetmi përgjegjës për përmbajtjen e tij. Në rast se informacioni bie ndesh me kushtet e përdorimit të faqes, atëherë ne e fshijmë atë. Për këtë qëllim në faqen tonë përdoruesi ka mundësi që të shprehet me votë pozitive ose negative, ashtu si ai e gjykon, për çdo informacion të publikuar. Është pikërisht kjo votë që e bën të vlefshëm ose jo për të qëndruar komentin. Ndodh që shumë komentues seriozë të ndihen të prekur nga komentet jo fort të denja të komentuesve të tjerë. Mund të themi që një pjesë e mirë e tyre tërhiqen dhe nuk marrin më pjesë në komente, duke mos dashur të përballen përsëri me komentues të tillë. Megjithatë, gjykojmë që nuk është shmangia dhe as mospublikimi i komenteve të tjera zgjidhja. Nëse do të donim që të krijonim një medium ku ka vetëm komente serioze, analitike, të mirë shprehura, mendojmë se do të ishte diçka e përgjysmuar dhe jo e plotë. Ne duam që mediumin ta krijojnë përdoruesit tanë. Janë ata të cilët nëpërmjet reagimit të tyre me votë, siç u shprehëm dhe më lart ndikojnë deri tek politikat e përdorimit të faqes. Kjo është filozofia që faqja ndjek dhe është shumë e rëndësishme për ne.

Botuar në revistën “Java”, 8 shtator 2012. Linku  i shkrimit në original:

http://www.revistajava.al/kulture/2012910/lufta-e-komenteve-ose-interneti-qe-flet-shqip-0

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend