Homofobia online

13 Qershor , 2016 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Nga Gresa Hasa.

Masakra e mbrëmshme në një klub homoseksualësh në SHBA, ku 49 vetë mbetën të vdekur dhe 53 të tjerë të plagosur, pasi terroristi Omar Mateen qëlloi mbi turmën me pushkë automatike, është një ngjarje e frikshme dhe tronditëse që ka nxitur anembanë reagime të shumta, një pjesë prej të cilave janë jo më pak shokuese se vetë krimi. Ҫfarë ndodhi në Orlando, është një akt i pastër urrejtjeje, i drejtuar fillimisht ndaj personave të komunitetit LGBT e pasandaj ndaj njerëzve të lirë që po festonin jetën dhe shoqërinë e njëri-tjetrit atë mbrëmje të së dielës.

Komuniteti LGBT si sfida më e madhe ndaj mendësisë së kalbur dhe traditave ekzistuese shoqërore, është sot target i vazhdueshëm i dhunës, pavarësisht formave se si kjo dhunë manifestohet. Ankthi që mund të prodhojë përballja me një diçka të re, të panjohur apo të pamësuar më parë, krijon rëndom jo vetëm vështirësi në pranimin e të tjerëve të parë si të ndryshëm nga ne por gjithashtu nxit luftë të brendshme, duke qenë se struktura të caktuara besimi nisin të lëkunden deri në shkërmoqje (në rastin më të mirë), nga e reja apo e ndryshmja me të cilën u duhet të ballafaqohen. Ky ankth ndërkohë, i gërshetuar me mbylljen hermetike për të mos pranuar informacione, injorancën dhe agresivitetin prodhon qëndrime e sjellje monstruoze.

Duke marrë shkas nga disa shkëmbime shqetësuese në rrjetin social Facebook, midis një grumbulli njerëzish nga Kosova dhe Shqipëria, ku e folmja jo vetëm që linte për të dëshiruar por meriton të denoncohet, duke qenë se përfshin gjuhë urrejtjeje, u nxita për të kontrolluar me vëmendje dhe durim, për plot dy orë rresht, faqet online të mediave kryesore në Shqipëri, në profilin e tyre në Facebook dhe në faqen zyrtare të rrjetit. Praktikisht, ajo çfarë bëra ishte të lexuarit e komenteve në postimin e lajmit mbi ngjarjen, në faqen e gazetës në Facebook dhe më pas, të vëzhguarit e komenteve, nën lajmin e postuar në faqen zyrtare në rrjet.  Mediat që kontrollova përbëjnë disa nga mediat më kryesore në Shqipëri: Top Channel,  Gazeta Shqip, Gazeta Shqiptarja.com, Gazeta TEMA, Gazeta Panorama, Lapsi.al, Newsbomb.al dhe MAPO.

Perveç gazetës MAPO e cila e kishte mbuluar ngjarjen me publikimin e vetëm të një artikulli në të cilën nuk kishte asnjë koment, të gjitha faqet e lartpërmendura, në 99.9% të rasteve mbartnin komente fyese, denigruese, përplot frustrim dhe urrejtje ndaj personave LGBT. Më kryesorja, pjesa më e madhe e komentuesve, kryesisht të identifikuar si djem dhe burra, duartrokisnin aktin terrorist të djeshëm duke e përligjur dhunën e krimin e madje, në mënyrën më perverse, duke kërkuar më shumë gjakderdhje dhe më shumë viktima. Për burgun mental patriarkal të shoqërisë shqiptare, homoseksualiteti dhe i gjithë komuniteti LGBT, shihen si kërcënim, një e keqe e madhe së cilës ndër tjera i mvishen përgjegjegjësitë për të gjitha të këqijat e njerëzimit e kjo pse patriarkati i njeh vetëm vetes pushtet të pakufishëm për të përcaktuar se ç’është e natyrshme, e moralshme apo e drejtë (sigurisht, brenda standartit të verbër e regresiv ku patriarkaliteti gjallon).

Përveç komenteve injorante dhe dashakeqe të komentuesve homofobë, një problem po kaq madhor është edhe fakti se si këto media në Shqipëri nuk kanë kurrfarë filtrash për sa i përket diskriminimit online, gjuhës së urrejtjes, seksizmit, e të tjera si këto, çka e përligj homofobinë. Masakra në Orlando është veçse një rast ilustrues i katrahurës së medias shqiptare dhe organeve përgjegjëse mbi monitorimin dhe denoncimin e kësaj të folmeje kaq shqetësuese.

Media është një nga shtyllat më të rëndësishme të një vendi, jo vetëm për sa i përket shpërndarjes së informacionit por sidomos, edukimit të masave. Media shqiptare, edhe kur nuk tërheq audiencë me prostituimin e figurës së gruas apo banaliteteve gjithëçfarëlloji, na ofron një show makabër dhe pervers me vjelljet e inferioritetit dhe inatit të disa prej individëve të kësaj shoqërie, me mendje kriminale e të sëmurë.

Nuk jam në dijeni nëse Autoriteti i Mediave Audiovizive në Shqipëri dhe organizatat për të drejtat e njeriut e ato në mbrojtje të komunitetit LGBT, kanë programe konkrete mbi dënimin dhe tkurrjen e diskurseve disikriminuese online në faqet mediatike dhe rrjetet sociale. Sidoqoftë, një reagim i menjëhershëm prej këtyre subjekteve është i domosdoshëm.

Ҫdo person që pretendon ta respektojë lirinë dhe dinjitetin njerëzor duhet të ndihet i fyer nga fakti që media këtu pari është shndërruar në ricikluese të injorancës, së keqes dhe banales.

Burimi:  https://peizazhe.com/2016/06/13/homofobia-online/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend