Sponsorët e medias

24 Mars , 2012 • Ekonomia e Medias, Liria e medias • by

Deri kur të mos kemi treg të formalizuar me rregulla loje të ndershme dhe audiencë të matur shkencërisht, sponsorët ekonomikë, që duhet të jenë të vetmit financues të medias, do të zëvendësohen nga sponsorët politikë.

Rush Limbaugh është gazetar amerikan, që drejton prej vitesh një emision radiofonik qartësisht i rreshtuar në krahun e republikanëve. I përfshirë në debate dhe akuza të drejtpërdrejta edhe në të kaluarën, këtë herë Limbaugh u vu nën kërcënimin e mbylljes së emisionit për shkak të tërheqjes së pothuajse të gjithë sponsorëve nga emisioni i tij.

Javën e shkuar gazetari republikan sulmoi studenten Sandra Fluke me fjalën ‘slut’ prostitutë, vetëm sepse i kërkoi Kongresit amerikan që sigurimi shëndetësor i universitetit të saj të mbulonte shpenzimet për kontraceptivët e studenteve femra. Presidenti Obama telefonoi studenten ditën e incidentit që në Amerikë ka marrë përmasat e skandalit “Limbaugh” per ta inkurajuar në iniciativën e saj. Të nesërmen gazetari kërkoi ndjesë për gjuhën e përdorur, por gjesti nuk mjaftoi dhe kompanitë që reklamojnë gjatë emisionit të tij u tërhoqën.

Në gjuhën e një tregu mediatik me rregulla ky do të thotë falimentim dhe njëkohësisht vlerësim për vlerat dhe etikën në gazetari. Në Shqipëri tregu nuk tundet nga qëndrimet apo gjuha e drejtuesve televizivë ndaj politikanëve ose qytetarëve aktivë apo pasivë, pasi themelet e tij nuk janë ngritur mbi baza të shëndetshme profesionale, por mbi simpati personale në rastin më të mirë dhe varësisht nga rreshtimi politik në rastin më të keq. Deri kur të mos kemi treg të formalizuar me rregulla loje të ndershme dhe audiencë të matur shkencërisht sponsorët ekonomikë, që duhet të jenë të vetmit financues të medias, do të zëvendësohen nga sponsorët politikë. Dhe deri kur televizionet të sponsorizoheën nga politika nuk do të ketë falimentime, por konsolodim të informalizimit të tregut në Shqipëri. Kështu u intereson të gjithëve, sidomos politikës.

Kësisoj, gazetarët e emisioneve janë peng i udhëheqësve shpirtërorë të ekraneve ku shfaqen, që jo rrallë here koincidojnë me sponsorët e tyre në politikë. Në njërin debat nuk shkon PD, në tjetrin bojkoton PS e në një tjetër partisë nuk i pëlqen drejtuesi i debatit. Rezultati është i qartë, të djathtët me të vetët e të majtët me të tyret. Të vetmit që e pësojnë janë ata gazetarë të parreshtuar me asnjërin krah dhe qytetarët në shtëpi që u duhet të shohin panele të cunguara për shkak të qarkoreve politike.

Kurrë nuk e kam kuptuar se përse opozita e sotme bojkoton ekranin kombëtar ku shkojnë të djathtët dhe maxhoranca atë ku shkojnë të majtët. Kurrë nuk e kam kuptuar sesi një forcë politike në opozitë pandeh se ka luksin të mos shfrytëzojë qoftë edhe pak minuta televizive për të shpalosur idetë dhe alternativat e saj. Sikundër kurrë nuk e kam kuptuar se si një qeveri që trumbeton se është kampione e transparencës i jep të drejtën vetes të zgjedh ku preferon të dërgojë emisarët e saj. Tavolinat e informuara mediatike në Tiranë vecojnë për momentin përpjekjet e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, i cili ka përqafuar një qasje të hapjes së tregut mediatik dhe komunikim me të gjithë protagonistët e ekranit. Një përpjekje kjo që nuk dihet se sa sukses do të ketë, por dihet që ka hasur në kundërshti dhe xhelozi të medha.

Në këto 20 vjet politika i ka ndarë gazetarët në grila llogoresh me të cilat bën politikë duke komanduar cilësinë dhe përbërjen e paneleve. Gazetarët, ata që janë në tavën e kompromiseve, kanë bërë ç’është e mundur ta ruajnë këtë ndarje me shpresën se dëmtojnë njëri tjetrin dhe fitojnë audiencë për të preferuarit e tyre politikë. Politikanët sillen si pronarë, ndërsa gazetarët kënaqen me rolin e titullarit në oborrin që i sponsorizon, në një marrëdhënie sa të pasinqertë, po aq edhe të pa moralshme.

Dhe po ju tregoj një sekret, në tavolinat e mirëinformuara mediatike të Tiranës që duket se përdoren nga politika, e dini c’mendojnë realisht për politikën…? Tallen me të. Si në një rreth vicioz dhe në një simbiozë ku jo gjithmonë ai që duket kalë, është vërtet kalë dhe jo gjithmonë ai që duket si kalorës, është vërtet sipër..

Botuar në revistën “Java”, datë 12 mars 2012

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Print Friendly, PDF & Email

One Response to Sponsorët e medias

  1. Klajd Gorica thotë:

    – Pasi lexova artikullin, përjashto fillimin me shembullin jo fort të goditur që nuk të jep idenë e analogjisë së drejtë, mendoj se çështja që shtrohet përshfaqet e qartë dhe e perceptueshme.
    Por teksa rrekesh më pas për ta përfytyruar atë që pretendon autori nga media në Shqipëri, e kam fjalën këtu për shkëputjen nga financimi politik, kupton se është njësoj si t’i kërkosh një të riu 20 vjeçar të sillet si një burrë i matur 60 vjeçar me po të njëjtin profesion, duke lënë mënjëanë faktin se ndoshta edhe i moshuari në rini, është sjellë njësoj dhe ka kërkuar të financohet në tekat e dëshirat e veta nga të tjerë jo domosdoshmërisht të pastër në paratë e dhuruara praktikisht të kërkosh qiqra në hell.
    – Po, politika furnizon median jo vetëm financiarisht por edhe me ushqim për përtypje e transmetim.
    Njëkohësisht dihet dhe që ky fakt nën lupën e parimeve të funksionimit të një shoqërie demokratike, nuk është i drejtë, ashtu siç dhe në komunizëm të gjithë e dinin se të mblidheshe në turma apo grupime sado të vogla për të protestuar apo manifestuar ishte e paligjshme. Por ja që disa njerëz në 90-tën u mblodhën, ndoshta pa qëllime në vetvete e jo për të bërë atë që bënë por ja që u mblodhën, ndoshta sepse thellë thellë njeriu e ndjen se ligjet, rregullat, normat që vetë i pranon teksa jeton për të përfituar nga të mirat e komunitetit, krijohen për të ruajtur balancat në parim dhe gjëndjen në tërsi sidomos atë të parisë. Kjo do të ishte e pranueshme nëse rregullat apo ligjet e shoqërisë do të ishin të mirë të pagabueshëm mos them në limitet e hyjnores.
    – Por a është e mundur kjo kur vetë jeta është gjithnjë në zhvillim madje edhe teksa flemë, a do mund të ecej përpara nëse të gjithë do të pranonim një gjendje të paracaktuar nga rregulla dhe ligje të krijuara e aprovuar në një periudhë ku vetë politika është e çorientuar në atë që bën?
    – A nuk do të ishte kjo një pabarazi në pikënisje, midis brezit që sot është pjesë integrale e medias ndoshta edhe në rolin e titullarit që i sponsorizon, dhe të riut që fundja se ka luksin e të vegjetuarit pa financa për të kuptuar kaosin mediatik?
    Mendoj se momentalisht në Shqipëri është mirë që ka një mori mediash, shpesh me financa të padklaruara madje edhe me para edhe më të pista se ato të politikës. Por duke qenë në tentativë për kapitalizëm ky është një çmim që politika dhe ndonjëherë dhe krimi po e paguajnë dhe gjithnjë më shtrenjtë. Mua më duket si një mënyrë jo domosdoshmërisht e gabuar, por thjesht ndryshe e të funksionuarit të medias apo çfarëdolloj biznesi dhe sepso shoh dritë në fund të këtij tyneli.
    – Një shembull mjaft banal do ta qartësonte më së miri çfarë dua të them. – Të gjithë kemi qenë dëshmitarë të përhapjes dhe luftës së padrejtë të lokaleve e bareve tejet e luksoze nëpër qytetet tona. Them e padrejtë sepse dikush me para nga djersa e ballit, falimentonte për t’i hapur rrugën ndonjë barkderri a hundëleshi kriminel, në tekat e të shndërruarit sa hap e mbyll sytë në biznesmen, duke hapur një lokal, bar a restorant shumë më lartë se niveli që mund të përballonte xhepi i shqiptarëve. Por me kalimin e kohës ndodhi që xhiro nuk justifikonte investimin e barkderrit ju tha barku, hundleshit i ranë qimet, bashkë me to edhe paratë, që u thithën nga të më të aftit, shpesh bij të atyre që falimentuan dikur, pasi hutimi me bukuri të tepërta i bizneseve të tyre nuk i sillte më shumë fitime por thjesht shikues . Por lokalet mbetën kapitali është aty ndërsa çmimin e paguan kriminelët, tani kemi më pak “biznesmenë” injorantë, më shumë lokale të bukura, dhe ajo që ka më tepër rëndësi, një shërbim të lartë e cilësor në përgjithësi, në të mirë të shoqërisë në tërsi.
    – Jam i mendimit se s’duhet t’i shohim me aq romanticizëm dhe puritanizëm proçeset e jetës së një vendi. Në median botërore momentalisht vëmendja i kushtohet tërsisht teknologjisë, dhe që ti rrisë pas asaj teksa nuk e prodhon kërkon para, shqiptarët nuk kanë para për t’i ndenjur nga pas, pasi politika i’a vjedh dita ditës. Politika paguan teknologjinë e fundit për të promovuar veten, media thith si ushunjë çdo burim të mundshëm derisa teknologjia (e kam fjalën për zbulimet rritjen e mediumeve të reja siç është rasti i internetit momentalisht) rresht së ecuri me hapa të admirueshëm, dhe këtu ndodh efekti bumerang media që tanimë është e fortë dhe pavarur pasi pjestarët e saj janë mirë financiarisht, ndërsa politika jo më, gjen mbështetës të tjerë dhe nis të funksionojë siç duhet.

    Në fund kemi mediat si objekte fizike, teknologjinë e përparuar, dhe përvojën për të mos pranuar para drejtpërdrejt nga politika. kush përfitojnë?!
    Qytetarët

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Send this to friend