Vetërregullimi, çelësi i statusit të gazetarit

10 Nëntor , 2013 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Një nga kushtet paraprake të një profesioni është respektimi i një “Kodi etike”. Të ngecur në grackën e presionit financiar gazetarët kanë harruar të mbrojnë veten, pa i dhënë zë statusit, organizimit dhe deontologjisë së punës së tyre të përditshme.

Drejtori i Insitutit të medias, Remzi Lani, Lutfi Dervishi, Roland Qafoku dhe Endri Xhafo  kanë dhënë opinionet e tyre mbi një zgjidhje të mundshme. 

Remzi Lani

Për performancën dhe etikën e gazetareve duhet të ketë një rregullator specifik. Ne jemi vendi i parë në rajon që kemi miratuar një Kod të Etikës, që në 1996, por na mungon një mekanizëm monitorues dhe implementues i këtij Kodi. Por nuk jemi të vetmit. Në fakt, të vetmet trupa rregullatore ose Këshilla të Shtypit funksionale që ekzistojnë në Ballkan janë ato të Bosnjes dhe Kosovës, të cilat në një farë mënyre u ndërtuan me mbështetjen dhe monitorimin e ndërkombëtarëve.  Në vendet e tjera ka dështuar. Arsyet duhen kërkuar tek skenat e medias shumë të politizuara, tek mungesa e konsensusit ndërmjet gazetareve dhe arsye të tjera. Po duhet një rregullator specifik për performancën etike të gazetarëve. Sigurisht, duhet të biem dakord që kur përdorim fjalën rregullator nuk kemi parasysh aspak nje mekanizem ligjor, por vete-rregullues.

Nëse rregullimi nuk do të bëhet nga vete gazetarët do të jetë i destinuar të dështojë.  Por, përpara se të shkojmë tek vetë-rregullimi kombëtar, mendoj se dicka me tepër mund të bëhet nëpër redaksi. Për shembull, mund të funksionojë modeli i ombudsmanit të etikës, apo zyrës së etikës në vetë redaksitë e gazetave, pa pritur që të krijohet  një “gjykatës suprem” kombëtar, që do të ishte Këshilli i Etikës.

Bie dakord që funksionimi i shoqatave të gazetarëve lë për të dëshiruar. Por është të paktën njëra nga shoqatat “ Unioni i Gazetarëve” që po bën një punë të mirë për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve, sidomos të drejtat e tyre të punës. Dhe mendoj se kjo duhet njohur dhe vlerësuar.

Gazetarët duhet të keni Urdhrin e tyre të Hipokratit. E kemi provuar para disa vitesh dhe nuk ia kemi dalë. Ndoshta sepse ka qenë e parakohshme. Në vendet e Europës Perëndimore proçesi i ndërtimit të një “Urdhri të Gazetarit” ka zgjatur me dekada të tëra. Na duhet një qasje realiste dhe graduale.

 Lutfi Dervishi

Do të ishte mirë të kishte një Këshill etike. Një etikë e zbatuar, ku zbatohet ligji.

Rregullimi duhet të vij nga gazetarët, nga vetë përfaqësuesit e mediave. Për më tepër ky rregullim nevojitet për mediat audiovizive të cilat shfrytëzojnë frekuencat  që janë pasuri kombëtare. Mendoj se shtypi i shkruar s’ka nevojë për një rregullim.

Mendoj se “Urdhëri i gazetarit” nuk është domosdoshmëri. Gazetarët në vendin tonë ende përballen me kushte minimale, probleme me rrogat, probleme me mjedisin ku punojnë.

Organizatat nuk funksionojnë sepse ka krizë përfaqësimi. Midis gazetarëve nuk ka solidaritet.

Roland Qafoku

Në këtë kaos mediatik doemos që lipset një rregullator. Por më shumë se sa rregullatori duhet një dakordësi masive në mënyrë që komuniteti i gazetarëve të jetë i përgjegjshëm që përvec shumë e shumë rregullave për një lajm të ketë në të njëjtën gjatësi vale edhe etikë. Në jetën shoqërore etika vecon këdo. Ka etikë në të veshur, në të folur dhe deri në mënyrën e të funksionuarit. Porse askush nuk është i detyruar ligjërisht të zbatojë etikën. Ajo lidhet me formimin kulturor. Në këtë konteskt edhe gazetaria duhet të ketë etikë. Ndonëse edhe në këtë aspekt duket se nuk kërkon llogari dikush, ne duhet të kemi një autokontroll që për bazë ka rregullat e etikës.

Rregullimi duhet te pergatitet me doemos nga gazetarët.. Jo, jam absolutisht kundër ideve që meqënëse gazetarët kanë shkelur kodin e Etikës atë duhet ta bëjnë të tjerët. Cilët të tjerë? Zoti na ruajtë që në raste të vecanta aktorët e filmave po bëjnë emisione gazetarie në ekrane. Kjo është për të vënë duart në kokë. I bie që ne gazetarët duhet të luajmë filma. Kjo është nonsens. Ne dhe vetëm ne duhet të bëjmë “Kodin e Etikës”, rregullat specifike dhe të gjithë atë që ne e quajmë rregullator.

Jam dakord që në Shqipëri të funksionojë “ Urdhri i Gazëtyarit”. Problemi është sa do të zbatohet. “Urdhri i gazetarit” ka shumë të drejta, por ka edhe detyrime. Ne shqiptarët jemi të çuditshëm në këtë drejtim. Kërkojmë të drejta, por nuk zbatojmë detyrime. Ka edhe raste që nuk kërkohen as të drejtat dhe as detyrimet. Kjo pastaj është e ç ’është.

Organizatat e gazetarëve nuk funksionojnë sepse problem jemi vetë ne gazetarët dhe nuk na e ka fajin kush tjetër. Është një komunitet tashmë me disa mijëra dhe ndonëse ka sjellë gjëra pozitive në këto 23 vjet demokraci lë shumë për të dëshiruar në aspektin e rregullimit të problemeve vetjake. Faktori kryesor është se në komunitetin tonë ka një prirje drejt një rregulli negativ që “të gjithë flasin keq kundër të gjithëve”. Ky element e ka dëmtuar shumë figurën e gazetarit. Aq sa në ambjente të veçanta një gazetar paraqitet si një njeri me cene. Ky është investimi më negativ. Dhe sapo dikush hap një shoqatë, në vend që ta mbështesin e komentojnë me fjalët “kur u bë ky”, “kush është ky që bën shoqatë” e të tjera e të tjera. Dhe kështu rregulli zinxhir i bën shoqatat e gazetarëve të degjenerojnë deri në atë që nuk zgjidhin problemet e tyre më elementare.

Një pjesë e mirë e gazetarëve shqiptarë e respektojnë etikën. Unë këtu vecoj ata gazetarë që spikasin si më cilësorë. Dhe kjo është e logjikshme që gazetarët më të mirë janë edhe ata që zbatojnë etikën. Kjo edhe për faktin se etika gazetareske më parë se të jetë gazetareske është edhe qytetare. Cdokush nga ne ka si fillim një etikë personale. Nëse kjo shkon në përpjestim të drejtë më profesionin e gazetarit, aq më mirë.

Endri Xhafo

Duhet të ketë patjetër një rregullator për performancën dhe etikën e gazetarëve.

Rregullimi duhet të vijë nga gazetarë profesionistë. Në vende të ndryshme kështu funksionon. Në vende si Franca,Italia ka një komision për profesionin që jep leje, jo një komision ligjor. Kështu duhet të jetë edhe këtu.

Rregullimi duhet të bëhet nga profesionistë, të ketë një kuadër ligjor, një autoritet rregullues që detyron rregullimin e brendshëm. E mbështes rregullimin  nga profesionistë të medias. Kështu do zgjidhej problemi sepse gazetaria ka probleme etike. Gazetarët shqiptarë e  respektojnë pak etikën.  Por kjo në varësi të moshës, eksperiencës së gazetarit dhe vetë specifikës të medias. Mendoj se televizioni për shkak të spevifikës së vet e shkel më pak e etikën.Jam dakort që në Shqipëri të funksionojë “Urdhëri i Gazetarit”. Organizatat funksionojnë por jo me ndonjë forcë të madhe.

Nuk mendoj se mediat e reja ndikojnë në profesionalizëm. Por ndikojnë në qarkullimin  më të shpejtë të ideve pa kontroll,pa kufi  apo pa censurë. Një media e strukturuar ka një politikë editoriale që duhet ta ndjekësh.

Botuar në gazetën Reporteri, tetor 2013

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend