Mediat online pa arkivë: media pa kujtesë

13 Tetor , 2016 • Kryesoret, Menaxhimi i Redaksisë, Shkrimet më të fundit • by

Disa herë më ka qëlluar të klikoj mbi një lidhje të ndonjë shkrimi të vjetër te “Peizazhet”, për të marrë përgjigjen, nga shfletuesi, se lidhja nuk ekziston.

Kjo më ka ndodhur dhjetëra herë; çfarë më bën të dyshoj seriozisht se shumë media në Tiranë nuk i mirëmbajnë arkivat e tyre (e kam verifikuar unë vetë me gazetat “Panorama”, “Shekulli”, “Shqip”, “Dita”; mbase do të ketë ndonjë tjetër që i ka ruajtur arkivat – të më falë që nuk e kam gjetur dot).

Një shok më shkroi para pak ditësh, për të më kërkuar referencën e një artikullit tim të botuar te “Shekulli” para 7-8 vjetësh; e kishte lidhjen, por nuk i hapej.

M’u kujtua me këtë rast se, midis viteve 2003 dhe 2013, pak a shumë, kam botuar mbi 100 artikuj opinioni në atë gazetë, pa llogaritur materiale të ndryshme që më merrnin nga “Peizazhet.” Janë ata artikuj të rëndësishëm për mua si publicist, sikurse janë – shpresoj – me vlerë edhe për historinë e gazetës “Shekulli.”

E kotë të shtoj se sot të gjitha këto materiale nuk mund të lexohen dhe as të përdoren më; sepse lidhjet drejt tyre nuk punojnë.

Se pse pikërisht nuk i mirëmbajnë mediat arkivat e tyre, kjo mua si autor, por edhe si lexues a si studiues nuk më intereson dhe as do të më interesojë ndonjëherë. Unë veç di se arkivi është kujtesa e organizuar e një gazete a e një faqeje online; dhe një media që nuk e çan kokën për këtë kujtesë, është media e dambllosur, që jeton vetëm në të tashmen.

Mediat serioze, me histori shumëvjeçare ndonjëherë shekullore, tashmë kanë hedhur online arkivin e tyre edhe të kohës kur mediat dilnin vetëm të shtypura.

Nuk ka dhuratë më të bukur për publikun e interesuar, se ajo që kanë bërë disa institucione, bie fjala Biblioteka Kombëtare ose Biblioteka Universitare Shkodër, që kanë vënë në dispozicion falas, online, revista si “Albania”, “Dituria”, “Hylli i Dritës”, “Përpjekja Shqiptare” ose “Leka”, të cilat mishërojnë historinë e kulturës shqiptare këto 150 vjetët e fundit (edhe pse paraqitja e këtij materiali lë për të dëshiruar – si nga dizajni dhe ndërfaqja e përdoruesit, te serveri që është tejet i ngathët).

Arkivimi i një gazete që del online është shumë më i lehtë dhe më pak i kushtueshëm; aq më tepër që sot kostoja e magazinimit (“storage”) është pothuajse e papërfillshme.

Që pjesa më e madhe e mediave online të Tiranës sot nuk e bëjnë këtë, kjo vetëm sa dëshmon mungesë profesionalizmi dhe, çuditërisht, mungesë respekti për veten. Në fakt, një media që mburret me historinë e vet, duhet të jetë në gjendje të kuptojë që kjo histori ka nevojë për arkivin, që të ekzistojë.

Njëlloj e vërtetë është edhe që kjo histori e mediave, e mishëruar në arkivat, është njëfarësoj edhe histori e jetës publike në Shqipëri, të paktën që nga koha kur janë themeluar arkivat përkatëse.

Në mënyrën siç e mendoj unë, një ligj i mirë për mediat online duhej të parashikonte edhe detyrimin për të mirëmbajtur arkivin – qoftë edhe përkundrejt një pagese nga përdoruesit.

Një studiues a thjesht lexues kureshtar besoj se do të ishte gati të paguante, të themi, 1 USD për të marrë akses në një artikull të gazetës “Zëri i Popullit” në vitin 1989, ose të gazetës “Rilindja Demokratike,” në vitin 1991, ose të gazetës “Koha Jonë” në vitin 1992.

Por nuk di pse më duket sikur, të pretendosh që mediat e Tiranës ta realizojnë këtë lloj shërbimi, është njëlloj si t’u kërkosh menynë shpërndarësve të çorbës te një kazan fushor të ushtrisë.

Burimi: http://peizazhe.com/

Titulli  në origjinal: “Një lloj dambllosjeje”

Print Friendly

Tags:, , ,

Send this to friend