Çfarë ka përtej mediave ?

30 Nëntor , 2011 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Mediat botërore u morën gjatë me çështjen e dokumenteve konfidenciale që botoi website WikiLeaks, çka nxori para publikut botëror një numër të konsiderueshëm dokumentesh të komunikimit të brendshëm administrativ të fuqive të mëdha Perëndimore.

Përtej problemit nëse dokumentet ishin dhe deri në çfarë mase ishin sekret, përtej faktit nëse dëmtohet dhe sa dëmtohet jeta e njerëzve nga nxjerrja në media e këtyre dokumenteve sekrete, përtej aspektit juridik të së drejtës apo jo për të botuar në Internet dokumente të grabitura, ka edhe një problem më të gjerë që shtrohet: ai i natyrës të komunikimit ndërkombëtar në kushtet e shoqërisë së komunikimit, të Internetit dhe të masmediave.

Nga një vëzhgim i shpejtë i çështjes, pyetja e parë që lind, në një farë mase dihet, por po provohet edhe më tej si legjitime, është: Sa sfera komunikimi politik ndërkombëtar ka në botën e sotme?

Nuk është një sferë e vetme ku kalon komunikimi politik ndërkombëtar, por së paku tri më të rëndësishmet. Ndofta dikur, në Mesjetë, kur mediat nuk ishin, ky fragmentim nuk ekzistonte. Edhe morali i komunikimit ishte për rrjedhojë tjetër. Kishte vetëm një fjalë, dhe quhej nder ta përsërisje gjithandej njësoj, nga ku rrjedh miti i fjalës së dhënë.

Kurse sot është krejt ndryshe. Nga njëra anë është sfera e komunikimit politik brenda organizatave, korporatave, partive politike, administratës shtetërore, shërbimeve të ndryshme shtetërore, pra agjencive politike, ekonomike, diplomatike. Kjo është një gjuhë e brendshme e tyre. Sikurse thotë teoricieni i komunikimit, Erving Goffman, kjo gjuhë e brendshme ruan dhe përfiton nga ajo që quhet e drejta e familjaritetit. Gjërat atje thuhen mbarë e mbrapsht, deri në një farë mase, sigurisht, sikurse thuhet luhet “ping pong”, sepse shkëmbehen mesazhe larg syve të publikut. Opozita nuk është aty që të kritikojë, publiku nuk është atje për të bërë të detyrueshëm një të folur politikisht korrekt, sikurse flitet para fëmijëve, sipas vlerave që publiku është edukuar politikisht të shprehet, por edhe shërbimet e shteteve të tjera rivale apo kundërshtare nuk janë atje për të mbajtur vesh. Kjo është gjuha e brendshme e shtetit. Kuptohet se nga arsyet që u renditën nuk ka mundësi që gjuha e brendshme e agjencive publike ose private të bëhet krejt transparente. Këtë kufi opak edhe demokracia nuk e kapërcen dot. Përndryshe, veprimi i agjencive politike dhe publike bllokohet.

Mirëpo, sikurse agjencitë publike dhe private kanë gjuhën e tyre të brendshme, edhe publiku, njerëzit e thjeshtë, ka të drejtën e tij të familjaritetit, pra të përdorimit të një gjuhe të brendshme që zhvillohet brenda familjes, grupeve të ngushta të miqve, mes të afërmve, prindërve dhe fëmijëve, atyre individëve të cilët në besim të plotë me njëri-tjetrin flasin në një mënyrë që nuk është ajo e mediave. Edhe, kjo gjuhë e publikut mbetet e mbyllur brenda vetes, sepse atë e pengon tërësia e normave demokratike që të shfaqet sikurse është në publik. Individi nuk shan dot me rrënjë e me degë, sepse menjëherë rrezikon të ndëshkohet penalisht ose administrativisht për fyerje. Nuk thotë të vërteta të hidhura që i di mirë, por që nuk i provon dot, sepse po doli në media me këto informacione përsëri rrezikon të ndëshkohet për falsitet, shpifje etj. Edhe kjo gjuhë e brendshme, familjare e publikut, nuk bëhet dot tërësisht transparente, pikërisht për arsyet e mësipërme.

Në fakt, ajo që mbetet si gjuhë publike është zhargoni i mediave, i të folurit të tyre, që mund të quhet shprehja ose i foluri i jashtëm. Është universi i tretë i të shprehurit, ai më pak autentiku.

Në media, ku artikulohet gjuha publike, shprehen edhe agjencitë publike ose private, por shprehet edhe publiku i gjerë. Të dyja palët, shprehen atje jo me gjuhën e tyre të brendshme, por me një gjuhë dhe informacione të “censuruara”, natyrshëm, të modifikuara, me eufemizma, sipas një deontologjie normative të përcaktuar me kode etike dhe institucionale që kanë zënë në media dhe mbrohen nga ligji dhe etika.

Edhe shteti në media, nëpërmjet intervistave, përshëndetjeve, konferencave të shtypit të përfaqësuesve të vet, shfaqet jo sikur është, por sikur duhet të paraqitet para syve të publikut. Edhe publiku në media paraqitet jo ashtu sikurse mendon në të vërtetë, por i duhet ta “përkthejë” gjuhën e vet familjare, të brendshme, intime, në një gjuhë publike, si e folur në prani të “tjetrit”, që është publiku tjetër si edhe vetë shteti me normat e tij.

Në këtë mënyrë gjuha e medias, rasti i wiki-leaks-it e dëshmon më së miri, është një gjuhë disi e moderuar. Atje nxirren vetëm ato të vërteta që mund të nxirren, si nga ana e agjencive jopublike ashtu edhe e individit.

Sa mirë që këto dy hapësira janë të ndara, meqë pa to nuk do të kishte as iniciativë shtetërore, as liri individuale për të menduar e shprehur përtej dhe mbi kodet dhe normat e shprehjes publike.

Në këtë mënyrë, sikurse e dinë mirë teoricienët e mediave dhe të sistemeve të informimit, gjuha e mediave edhe në shoqëritë demokratike nuk është “e lirë” të thotë gjithçka. Nuk është një univers që nuk e “përthyen” fjalën. Në fakt është një sistem që funksionon brenda disa parimeve të rregullarizimit të të folurit dhe të të shprehurit, dhe përtej tyre nuk mund të përcjellë dot informacion tjetër.
Mediat, sado ta konsiderojnë veten e tyre si mekanizma informacioni, janë të tilla vetëm brenda disa kufijsh të caktuar. Mesazhi atje përcaktohet nga natyra e kanalit që e qarkullon. Është vetë media, shoqëria e sotme e informacionit, që përcakton se çfarë mund të transmetojë ose çfarë e ka të pamundur të transmetojë. Në një farë mënyre, sikurse jam munduar ta shpreh në librin tim të fundit “Monolog”, mediat qarkullojnë brenda tyre atë informacion që vetë ato lejojnë të qarkullojë dhe nuk mund të jenë në gjendje të hapen krejtësisht ndaj një informacioni pa kufij. Krijohet procesi i monoligimit, i gjuhës së brendshme të mediave. Në një farë mënyre, realiteti që shprehet në media është si ai i ngjarjeve brenda kafazeve të mbyllur të emisioneve “Big brother”. Ngjarjet janë të vërteta, por janë të prodhuara brenda mediave audiovizive, janë produkte, “gjuhë” komunikimi mediatik, dhe jo ngjarje të pavarura nga media.
Informacioni mediatik është një “gjuhë” ku përkthehet si gjuha e brendshme e agjencive publike, ashtu atje “përkthehet” edhe gjuha e individëve të thjeshtë, shprehur në mjediset e tyre intime.

Interneti po na tregon nëpërmjet pranisë së tij në botën e sotme, pjesë edhe nga gjuha e brendshme e shtetit, wiki-leaks, por edhe nga gjuha e brendshme e individëve të thjeshtë, blogjet, face book-et, faqet web etj. Në këto të fundit, ka pa fund ofeza ndaj njerëzve publikë, shprehje inati, shpërthime pakënaqësie, ironi ndaj qëndrimeve të personaliteteve të ndryshme, etiketime të hidhëta, gjysmë të vërteta apo gjysmë thashetheme, që kurrë nuk mund të shprehen në shtyp, sharje me “libër shtëpie” etj.

Bota e mediave klasike kërkon ta uniformizojë të folurin edhe atë brenda institucional, prandaj i jep kaq shumë rëndësi skandalit wiki-leaks. Hakmerret në një farë mënyre për një gjuhë institucionale, që kur bën shfaqjet e veta në publik tregon sesa larg është ajo nga çka ka përcjellë media. Sulmon edhe gjuhën popullore jo korrekte në Internet, në rrjetet sociale, duke synuar kodifikimin ligjor të shprehjes në mediat e reja. Synimi është për t’i sjellë këto dy lloje shprehjesh te i foluri publik që përdor ajo vetë. Përndryshe, media klasike e ndien se konkurrohet në mënyrë të rëndë nga Interneti, nga komunikimi i atjeshëm, jo thjesht se mund të jetë më i shpejtë ky i fundit, por sepse, sikurse del, mund të jetë edhe një i folur më autentik, më afër aktorëve të komunikimit. WikiLekas, përtej çështjes së sekretit, tregoi edhe një herë rivalitetin mes  mediave klasike dhe Internetit.

Kujdes! Më autentik si i folur, nuk do të thotë ende i folur i vërtetë. Do të thotë më afër vetes, më familjar, brenda, nga njëra anë frymës së agjencive publike, nga ana tjetër, më afër humoreve shpërthyese të publikut, të “censuruara” këto nga normat dhe etikat e shprehjes mediatike.

Sepse edhe i foluri brenda institucioneve dhe agjencive publike është i folur që veç qarkullimit të informacionit, i nënshtrohet edhe ai normave brendainstitucionale të kodifikuara fort.

Çfarë u thotë një politikan i lartë i një vendi vartësve apo këshilltarëve të tij, diplomati shefave të tij në qendër, a çfarë fsheh artikulimi në bisedat në kulisa, gjatë pritjeve diplomatike, në forume ndërkombëtare? Edhe ato janë si të tjerat forma shprehjesh sipas modelit “i shprehur përballë tjetrit”. Sikurse thuhet në epistemologjinë e shkencave të komunikimit, edhe këto fjali, sakohë që janë të transmetuara te të tjerët, nuk mund të dihet sesa të vërteta janë. Ato janë një pamje tjetër, një nivel tjetër i shprehuri politik, i ndryshëm nga gjuha e kufizuar e medias, por nuk janë aspak e vërteta e fundit autentike përtej së cilës nuk ka asgjë më të fshehur.

Edhe i foluri brendainstitucional u nënshtrohet kodeve, kanoneve, ka nëntekstet e veta, është një pozicionim përballë tjetrit, e në shumë raste i shoqëruar me druajtjen se një ditë do të bëhet publik. Media ushtron kështu presion mbi të folurin institucional, sepse prania e saj dhe e gazetarit, si univers i largët, atje poshtë në qytet, shkakton ndrojtjen se çdo i folur apo i shprehur administrativ, diplomatik, politik, sado konfidencial, mund të bëhet publik. Në këtë mënyrë gjuha e komunikimit sot është një sistem ku universe të ndryshme të saj ndikojnë njëri-tjetrin. Gjuha e mediave ndikohet nga gjuha e institucioneve shtetërore dhe gjuha shtetërore pëson ndikimin e gjuhës dhe qarkullimit të informacionit në media.

Sikurse shprehej G. Orwell, lind domosdoshmërish ajo që ai e quante “double thinking”, i menduari i dyfishtë, i shprehuri i dyfishtë. Libri i tij është zbulesë për shoqëritë e komunikimit.

Prandaj, sado kënaq prirje vuajeriste të burrave pa fuqi për të gjetur me dridhje pasioni sesi flasin me dy kode të ndryshme burrat e fuqishëm të botës, afera e wiki-leaks si vështirë të tregojë një univers krejt tjetër të shprehuri dhe fluksesh informacioni nga ato që qarkullojnë në media.

Sigurisht, kemi spektakël, publiku i gjerë mund të shohë paksa nga “vrima e çelësit” se çfarë thuhet brenda mureve me kangjella të institucioneve, por nuk do të gjendet megjithatë përballë të vërtetës së zhveshur.

Për një arsye të thjeshtë ndodh kështu, sepse e vërteta e zhveshur nuk është asnjëherë e besueshme dhe e vërtetueshme përgjatë komunikimit. Një e vërtetë, sapo komunikohet te tjetri, cilidoqoftë ky, bëhet e pabesueshme. Sikurse ka thënë e argumentuar teoricien i shkencave të komunikimit, Paul Watzlawick, në komunikim ne asnjëherë nuk do të arrijmë të marrim vesh dot nëse jemi përballë të vërtetës apo jemi të manipuluar keq.

Ne konstatojmë opinione që një politikan ka për një politikan tjetër europian, ta zëmë, përtej formulave të politesës diplomatike shprehur në media, para kamerave apo mikrofonëve. Por, ne asnjëherë nuk do të arrijmë ta marrim vesh nëse shprehja që i pari ka thënë për të dytin, “of record”, në konfidencë, sado autentike që të jetë, është e vërtetë, shpreh vërtetë mendimin e tij apo është veçse një hi syve që u hidhet bashkëpunëtorëve të tij më të afërt.
Kurrë nuk e gjejmë dot nëse shpreh vërtet atë që ai mendon, apo e ka thënë fjalinë për të manipuluar vartësit e tij, për të bërë “tym”, për të ushtruar presion, apo thjesht dhe drejtpërdrejt ka gënjyer.

Arkivistika e parë nga këndvështrimi i shkencave të komunikimit humbet sigurinë e vet, atë që ka pasur për historianin klasik. Dokumenti origjinal historik me siguri që është manipuluar nga autori i tij, qoftë ky një burrë shteti, qoftë ai një kronikan i thjeshtë. Lexuesi të shfletojë për pak minuta ca libra kujtimesh të botuara, për të kuptuar se më shumë përballje me detyrën e të krishterit për t’u rrëfyer, ato janë strategjimi marketimi politik, të fshehura në maskën e rrëfimeve të sinqerta. WikiLeaks i raportuar nga media ka hyrë tanimë në universin e presionit të gjuhës kodifikuese të mediave, nuk është më burim autentik.

Kjo është gjendja e komunikimit në shoqërinë e komunikimit masiv dhe të masmediave. Ne komunikojmë. Kjo është e vërtetë. Por ne pothuajse kurrë nuk mund ta dimë nëse komunikimi shpreh të vërtetën në media, apo përtej mediave në gjuhën e telegrameve, thënieve pasdarkash diplomatike, raportimesh diplomatësh etj.

Botuar në gazetën “Mapo”

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend