Mark Thompson: E ardhmja e shkëlqyer për gazetarinë serioze

20 Shtator , 2013 • Ekonomia e Medias • by

Mark Thompson, President dhe CEO i New York Times (NYT), beson se industria e shtypit të shkruar (gazetave) mund të marrë mësime nga Hollywood në atë se si mund të gjenerojë burime të ndryshme të ardhurash nga një produkt.

Në fjalimin e tij të parë të rëndësishëm që kur e ka marrë postin e tij në New York Times, Thompson argumenton se kërkesa për gazetari serioze ishte më e madhe e kurrë dhe i mbetet industrisë që të gjejë një mënyrë për ta paguar atë. Produksioni i filmave është vërtet i shtrenjtë, por ka përfitime. Kjo bëhet e mundur përmes përdorimit të shpeshtë që Hollywood i bën të njëjtit produkt: filmi shfaqet fillimisht në kinema, pastaj në DVD dhe në fund shfaqet në kanalet me pagesë.

Përveç kësaj, sipas Thompson, ofrohen edhe produkte të tjera: „Lajmet varen shumë nga koha kur ato botohen, dhe nuk mund të përdoren përherë, por zhvillimi i një sërë formatesh të ndryshme gazetareske për përdoruesit mund të sillte të njëjtin përfitim ekonomik.” Me këtë fjali, Thompson bëri paralele gjatë fjalimit tim në fillim të shtatorit me rastin e 30 vjetorit të bursave Reuter, në Universitetin e Oksfordit, mes mediave që ofrojnë informacione dhe fushës së filmit. Ai theksoi se kërkesat për gazetari cilësore ishin sot më të mëdha se kurrë. Vetëm se sektori i mediave duhet të gjente rrugë për t’i bërë përdoruesit të paguanin. Sipas Thompson që mori drejtimin e NYT në nëntor 2012 pas tetë vjetësh në krye të BBC, zgjidhjet do të vijnë nga gazetat cilësore: „Gazetaria që ushtrohet në gazetat cilësore vazhdon të jetë e shkëlqyer dhe e pazëvendësueshme, dhe aktualisht mund të vëmë re aty më shumë kreativitet dixhital se sa në gazetat bulevardeske apo në mediat audiovizive.“

Thompson vuri në dyshim gjatë fjalës së vet faktin që të ardhurat përmes reklamës online janë të mjaftueshme për të bërë të mundur financimin e një shërbimi shumë të lartë cilësor të lajmeve. Në vend të kësaj ai foli për një strategji më të diferencuar. Fitimet nga reklama dixhitale duheshin kombinuar me të ardhura nga burime të tjera: ai kujtoi abonimet si dhe produkte dhe shërbime që janë të lidhura me markën e „New York Times“, si për shembull konferenca, formate të tipit Smart-Game dhe E-Commerce.

Në varësi të asaj se çfarë shërbimi dhe përmbajtje ekstra kërkon përdoruesi, NYT mund të ofronte një model dixhital të ardhshëm të ndarë në kategori të ndryshme çmimesh. „Ne duam që gjithkush të jetë në gjendje të përjetojë gazetarinë që bëhet në Times, por ne duam gjithashtu që për këtë të paguajnë sa më shumë njerëz të jetë e mundur”, thotë Thompson. Sipas tij, njerëzit janë gati të paguajnë për emrin e mirë të gazetës New York Times, edhe jashtë vendit. „Që kur kemi futur kufizimet e pagesës para dy viteve e gjysmë, kemi pasur gati 70.000 abonime të reja online jashtë SHBA, krejt pa bërë marketing, edhe pse nuk e kemi pasur ende mundësinë, t’u ofronim secilit informacione në gjuhën e tyre të nënës apo t’i bëje ata të paguajnë me monedhën e tyre përveç dollarit. Kështu që do të shohim nëse mund të ofrojmë më shumë përdorues, nëse i përmbushim këto elementë”.

Përktheu me shkurtime nga anglishtja, Jonila Godole

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend