Kur modeli i biznesit dështon, fajësohen gazetarët

17 Janar , 2015 • Ekonomia e Medias • by

Kaq shumë figura të medias kanë humbur vendin e tyre të punës së fundmi, saqë duket më shumë si një përjashtim se sa një rregull, kur një gazetar nga më të mirët, si Alan Rusbridger, kryeredaktori i gazetës Guardian për 20 vjet rresht, jep vetë dorëheqjen.

Në ditët e sotme, duket se janë shumë të paktë ata gazetarë që kanë luksin ta “organizojnë” vetë largimin e tyre. Industria është përfshirë nga një valë e madhe shkarkimesh të profileve të larta dhe një pjesë e gazetarëve brilantë janë detyruar të kërkojnë për një vend pune të ri.

Për shembull, Wolfgang Buchner, deri para pak kohësh kryeredaktor i Der Spiegel u largua nga kompania vetëm 18 muaj pas mbikqyrjes së integrimit të revistës së printuar të lajmeve dhe të operacioneve dixhitale. Propozimet e tij për ndryshim hasën në kundërshtimin e gazetarëve të shtypit të Der Spiegel të cilët janë edhe aksionerë të kompanisë. Planet e tij u pranuan më shumë nga gazetarët e spektrit dixhital, por ata nuk kanë ndonjë pozitë apo interes në planin financiar në Der Spiegel.

Kohët e fundit, bosët e kompanive si Neue Zürcher Zeitung apo të revistës gjermane Stern, ashtu si edhe ata të  New Republic në SHBA, janë përballur me humbje në aktivitetin e tyre. Dhe duke mos zbuluar ende një model biznesi të ri fitimprurës të gazetarisë, ata po kërkojnë të gjejnë koka turku për t’u sakrifikuar.

Por nuk është faji i redaktorëve që lexuesit, tashmë të kthyer në përdorues, presin që gjithçka online të jetë falas.

Nuk është as faji i redaksive nëse reklamuesit parapëlqejnë që t’i shpërndajnë mesazhet e tyre nëpërmjet mediave sociale si Facebook apo motorëve të kërkimit si Google. Ata mund ta arrijnë target-grupin e tyre pa kostot e reklamimit tradicional që bëhet përmes sajteve të lajmeve apo përmes gazetave – ku përdoruesit shpesh bombardohen me mesazhe për oferta shitjesh që ata nuk i pëlqejnë.

Megjithatë, botuesi gjerman i revistave Gruner and Jahr, një degë e Bertelsmann, nuk do t’ia dijë. Së fundmi kjo kompani pushoi të gjithë stafin e redaksive. Shembulli më tipik është ai i revistës femërore Brigitte (e lexuar nga një në katër gra gjermane), ku u lejuan të mbeten në punë vetëm boset – duke shpresuar se në të ardhmen përmbajtja e revistës do të sigurohet nga gazetarët freelance. Duke patur parasysh faktin se së fundmi është diskutuar shpesh në komunitetin profesional amerikan për gazetarinë robote, mund të thuhet se Gruner and Jahr ka marrë një vendim të bazuar vetëm në perceptime.

Por megjithatë, derisa të mbërrijnë robotët, do të ishte mirë që editorët dhe menaxherët të mendoheshin mirë në këtë fazë kalimtare. Ata duhet të kenë më shumë njohuri rreth disa qëndrimeve shkencore që lidhen me menaxhimin e redaksisë. Në këtë mënyrë, jeta do të bëhej më normale dhe më njerëzore në një pjesë të redaksive.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend