Kriza dhe statusi i gazetarëve

30 Qershor , 2012 • Ekonomia e Medias, Media dhe Politika • by

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpesh ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë situatë të rëndë të krijuar dhe në veçanti për gjendjen tejet kritike të dhjetëra gazetarëve që punojnë në media të ndryshme.

Periudha të cilën po kalon shtypi i shkruar paraqitet tepër problematike kohët e fundit. Kjo jo për faktin se nuk ka interes për shtypin e shkruar, apo sepse mungon profesionalizmi në atë që transmetojnë gazetarët për opinionin publik, por për shkaqe që lidhen drejtpërdrejt me statusin social të gazetarëve. Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpesh ka shprehur shqetësimin e thellë për këtë situatë të rëndë të krijuar dhe në veçanti për gjendjen tejet kritike të dhjetëra gazetarëve që punojnë në media të ndryshme. Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, rendit disa nga shkaqet kryesore që kanë sjellë në një gjendje të tillë shtypin shqiptar.

“Së pari është mungesa e organizimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit të gazetarëve profesionistë, për të kaluar nga një realitet informal në një realitet formal ku jo vetëm normat e konkurimit profesional, por në mënyrë të veçantë edhe dominanca e tregut të medias së printuar, të bëhet mbi bazën e legjislacionit, i cili fatkeqësisht mungon në realitetin shqiptar”, -thotë Çipa.

Arsyeja e dytë sipas tij, ka të bëjë me disa politika të menaxhimit dhe të monopolizimit të tregut të shpërndarjes së shtypit të shkruar. Në Shqipëri ka rreth 3 kompani private të cilat merren me shpërndarjen e shtypit, që në shumicën e rasteve janë në rrethana konflikti interesi me operatorët privatë. Kjo ka bërë të mundur që të ketë jo vetëm politika selektive të shpërndarjes dhe të shitjes të shtypit, por të ndodhë edhe një realitet i cili fatkeqësisht është shenjuar nga artikulantë të ndryshëm të këtij treguesi, një diskriminim të operatorëve, si dhe një privim të konkurencës të barabartë në marrëdhënie më lexuesin.

Sipas tij duhet të krijohet një sistem funksional, për të dalë nga harta e cunguar e shpërndarjes së shtypit, një hartë e cila e përjashton 60% të hapësirës administrative të Republikës së Shqipërisë për ta poseduar në kohën e duhur dhe natyrisht edhe për ta qarkulluar në rrethanat të lehtësishme shtypin fizik shqiptar.

Si një ndër faktorët ndikues, kryetari Çipa rendit edhe vonesën e kohës së proceseve vetërregulluese të komunitetit të gazetarëve. Ato kanë lidhje më së shumti me mosrespektimin e asaj që quhet hierarki e vlerave, të konkurencës mbi bazën e kritereve dhe pricipeve të profesionalizmit dhe jo të shërbimit të klienterisë apo politikës.

Një tjetër faktor, por jo më pak i rëndësishëm, sipas gazetarit Çipa është edhe një situatë inflacionale që shfaqet në tregun e shtypit të printuar. “Kur flasim për një situatë inflacionale,- shpjegon ai, -kemi parasysh faktin që në raport me popullsinë dhe në raport pse jo edhe me tirazhet, Shqipëria përfshihet ndër vendet e Europës Juglindore me më tepër të përditshme në këtë hapësirë të cilën ai e përmend jo vetëm si koncept gjeografik por edhe si realitet mediatik. “Shqipëria sot është vendi që ka 24 gazeta të përditshme, ka rreth 196 gazeta dhe periodikë 3-mujorë, dhe ka më tepër se 86 operatorë radio-televizivë. Për dimensionin real që ka tregu mediatik shqiptar ky është një treguas inflacional gati alarmant”, -thotë Çipa.

Për të sensibilizuar mbi problemet e medias, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kishte planifikuar zhvillimin e një proteste që synonte veç të tjerash ndërtimin e kalendarit të kontrollit reciprok periodik mbi entet mediatike. Por ky aktivitet nuk është zhvilluar.

“Nuk u zhvillua për shkak të rrethanave politike, sepse palët politike janë në angazhim për diskutimin e ligjit për mediat audio-vizive, dhe ne për të mos qenë pjesë e kontekstit politik dhe natyrisht edhe për mos ta bërë këtë të përdorshme nga palët politike e shtymë. Aktiviteti do të zhvillohet brenda këtij muaji”,- shpjegon Çipa.

Realiteti i shtypit shqiptar nuk i ka shpëtuar as vëmendjes së “Reporterit pa kufinj”. Kjo organizatë në raportin e fundit ka konstatuar se gazetarët shqiptarë paguhen keq. Gazetari Çipa jo vetëm që e pohon, por edhe e mbështet me shifra këtë përfundim. Sipas tij janë mbi 67 raste që janë çuar në gjykatë nga Uninioni i Gazetarëve dhe nga individët për shkak të parregullsive në pagesa. Përdërisa flasim për një treg që nuk është i rregulluar dhe nuk është i ndërtuar mbi principe formale është e pamundur për të bërë një çertifikim për këtë çështje. Problemet me pagesat sipas gazetarit Çipa do të marrin fund vetëm nëse fitohet beteja e kalimit nga sistemi informal, në një standart formal.

Shtypi shqiptar ka një betejë ende të pa fituar për të arritur në një starndart europian. Kjo është mungesa e strukturave bazike sindikale të enteve tona mediatike. “Duke filluar nga media publike për të arritur te media private, në momentin që ne do të ngremë këto struktura bazike të reagimit dhe të solidaritetit social në media, beteja me informalitetin konsiderohet e fituar”- thekson Çipa.

Një tjetër aspekt i diskutueshëm është ai i sigurimeve shoqërore të gazetarëvë.

“Si kontribut financiar gazetarët janë të siguruar në minimumin e tyre të parashikuar nga ligji, që do të thotë se janë të siguruar në atë masë që mund të jetë i siguruar një roje nate në një subjekt privat apo në një ndërmarrje ndërtimi. Kjo mendoj është një detaj që e tregon komunitetin tonë siç e quajta, të margjinalizuar”, -komenton Çipa.

Pavarësisht të gjitha problemeve që parashtrohen në këtë rezume rreth gjendjes aktuale të shtypit shqiptar, vlen të thuhet se media vazhdon të kryejë rolin e saj si pushtet i katërt.

Gazetari Çipa pohon një fakt të tillë dhe thekson se media është një shtyllë e fortë e presionit mbi pushtetet e tjera të sendërtuara nga realiteti socio-politik në vend. Sipas tij, nga përvoja media shqiptare ka dëshmuar se jo vetëm mund të ketë virtytet e ndikimit të një pushteti serioz, por nga ana tjetër në momente të caktuara ka dëshmuar që është një pushtet funksional për realitetin social.

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend