Gazetaria lakuriq

14 Maj , 2015 • Ekonomia e Medias, Shkrimet më të fundit • by

Nga njëzetë e tre gazetat e përditshme socio-politike të vendit vetëm në katër prej tyre respektohet dhënia e pagave në mënyrë korrekte dhe në kohën e duhur. Ato janë gazeta “Panorama,” “Gazeta Shqiptare”,  gazeta “Shqip” dhe gazeta “Shqiptarja.com.”

Në nëntëmbëdhjetë gazetat e tjera vonesat janë të përherëshme, sikurse janë, gjithashtu, edhe ikjet e gazetarëve nga puna pa përfituar shpërblimet e punës së kryer. Në shtatëdhjetë e dy televizionet e vendit, të listuar sipas Autoritetit të Medias Audiovizive, vetëm në dhjetë prej tyre nuk ka vonesa të pagave dhe detyrimeve financiare ndaj punonjësve. Si të tillë funksionojnë Radio Televizioni Publik Shqiptarë, televizioni “Top Channel” televizioni “News 24”, televizioni “A1 Report”, televizioni “Klan”, dhe disa televizione lokale, ndërsa në gjashtëdhjetë e dy prej tyre, vonesat vijojnë të jenë prezente me nga një gjer në pesë e gjashtë muaj, përfshirë në këtë gjendje edhe televizione kombëtare.

Në shtatëdhjetë e një radiot, gjashtëdhjetë e tre prej tyre janë në riciklim vonesash të pagave në mënyrën më arbitrare, që nisin nga një muaj e shkojnë deri në pesë muaj.

Të njëjtën gjendje po ndjek edhe media më e re, ajo on- line.

Nga dyqind e pesëdhjetë webe dhe gazeta online të çelura, përgjatë periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat na rezulton të jenë punësuar mbi treqind e njëzetë gazetarë, vetëm në pesëdhjetë prej tyre ka një sistem modest pagesash, ndërsa në dyqind të tjerë prej tyre ka një realitet informal të tmerrshëm. Aktualisht asnjë prej mediave të vendit nuk respekton nënshkrimin dhe implementimin e asnjë kontrate kolektive për gazetarët.

Shifrat e mësipërme janë të dhena zyrtare të raportuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë në Ditën Botërore të Lirisë së Medias, ndërkohë që Carlo Bollino, botues i dy enteve mediatike shqiptare në një publikim të tij shton edhe,citoj: “tre mëkate të tjera të rënda për të cilat janë fajtorë shumë botues: evazioni tatimor, evazioni i sigurimeve shoqërore (për disa vite, deri pak muaj më parë, një televizion i rëndësishëm kombëtar deklaronte vetëm 96 punonjës edhe pse kishte në punë 500) dhe pirateria e transmetimeve: nga raporti më i fundit i AMA-s, rezulton se 80 përqind e televizioneve shqiptare shkel ligjin mbi licensat televizive, duke pushtuar dhjetëra kanale në mënyrë ilegale.”

Lista e mediave informale përfshin edhe emra mediash shumë “prestigjioze” studiot e të cilave apo faqet e të cilave frekuentohen shpesh nga deputetë, ministra e ambasadorë që nuk pyesin fare se çfarë vendi po frekuentojnë”, citohet ndër të tjera në shkrimin editorial të Bollinos, që ndihmon në zhveshjen lakuriq të realitetit meditik shqiptarë.

Sepse kjo tablo është treguesi më i pakundërshtueshëm i faktit social në të cilin e kanë katandisur pushtetin e katërt padronët e tij. Por kjo situate i jep ndërkohë përgjigje edhe pyetjes se: përse cilësia e shtypit dhe medias shqiptare është për të ardhur keq, përse në pjesën dërmuese të tij ky pushtet ka të punësuar ”analfabet” të kurdisur nga pronarët, nga politikanët dhe politika që e përdor gazetarinë si topuz, por jo për të bërë gazetari, jo për ta venë në shërbim të publikut, çka edhe është misioni i vërtetë i gazetarisë dhe i çdo gazetari të vërtetë.

Sigurisht kjo situate e mjerueshme nuk është pjellë as e viteve të fundit dhe as e muajve apo javëve të fundit. Ajo është akumulim i ardhur nga vitet e shkuara, por që nuk mund të tolerohet më tej. Është një gjëndje e ardhur në këtë grade, pasi qeveritë dhe Parlamenti asnjëherë nuk janë angazhuar në përmirësimin e saj.

“Nuk e kanë bërë detyrën”, do të konstatonte kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Medias, i cili në emër të organizatës që kryeson artikuloi në ligjëratë të drejtë:

“Nisur nga kjo tablo dhe gjendja në përkeqësim që kemi para, nisur nga vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara , i kujtojmë Parlamentit dhe Qeverisë së vendit detyrën e pakryer dhe detyrimin kushtetues që kanë në drejtim të lirisë dhe respektimit të saj. Pasi situata është jashtë kontrollit dhe auditimit ligjor nga institucionet e linjës.

Ne kërkojmë sot publikisht një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Medias, madje duke ftuar edhe përfaqësuesit e shoqatës së pronarëve të mediave, për ta nxjerrë gjendjen nga ky standart dhe për t’i dhënë më shumë dinjitet medias dhe sidomos gazetarëve shqiptarë”.

A do ta përfillin këtë thirrje të fundit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë institucionet kushtetuese përgjegjëse për të, apo do të vazhdojnë të qendrojnë në të njejtën llozhe spektatoriale si deri më këto dy dekada, kjo është çështja.

Autori është kryeredaktor i “shtypi.net”

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend