24 vjet për t’u kthyer tek propaganda

6 Janar , 2015 • Liria e medias • by

Sot po shikoja në edicionet e mbrëmjes në televizione dy kronika. Njëra kishte të bënte me gazetën e parë opozitare në Shqipëri, dhe tjetra kishte të bënte me një raport mbi deklaratën e sotme të kryetarit të opozitës në Shqipëri. Në thelb të dy kronikat të shërbejnë për të kuptuar se përse i duhej një media opozitës në janar të vitit 1991 dhe përse i duhet në janar të vitit 2015.

Në janar të vitit 1991, gazeta e parë opozitare i duhej opozitës dhe miliona shqiptarëve, të dëgjonin diçka që më parë e kishin të ndaluar. Të flisnin lirshëm për krimet e diktaturës, për nevojën për ndryshim të madh, për futjen në sistemin e ri kapitalist, për rreziqet që mund të paraqiste tranzicioni, për fate tragjike qytetarësh gjatë dikaturës dhe drama të reja të eksodeve masive, që pasuan rënien e komunzimit.

Sot në të gjitha edicionet e lajmeve, pa përjashtim, madje dhe tek Tema TV online, pashë kryetarin e opozitës i cili bëri një deklaratë të rëndë,  ogurzezë, nëse është e vërtetë. Ai tha, që qeveria ka rritur taksat 50 përqind. Të gjitha mediat e transmetuan pa asnjë censurë dhe më e keqja, pa asnjë ballafaqim. Për një qytetar të zënë në punë, që ulet vetëm 10 minuta para ekranit për të ndjekur lajmet, deklarata e kryetarit të opozitës është lajm i zi.

Në fakt, lajmi nuk është as i vërtetë dhe as i plotë, por një spekulim propagandistik, i mundësuar 24 vjet më pas, jo nga censura, por nga një fenomen dhe më i tmerrshëm se ajo për lirinë e shtypit, nga cektësia dhe kthimi i medias në propagandë.

24 vjet pas daljes së gazetës së parë opozitare në Shqipëri, problemi i lirisë së shtypit është transferuar nga etja për të lexuar diçka të ndaluar dhe të thellë, në dëshirën për të lexuar diçka të shkurtër dhe  sipërfaqësore. Brezi im, i cili i përket brezit të parë të gazetarëve të pluralizmit në Shqipëri, është në një farë mënyre arkiva e gjallë e këtij transformimi të frikshëm të profesionit të gazetarit, nga gërmues dhe lajmëtar i gjërave të panjohura, në përcjellës dhe propagandues të gjërave të përcipta, të paverifikuara dhe mundësisht bombastike, që të lënë një farë jehone në veshët e njerëzve.

24 vjet pas pluralizmit në media, opozita sot nuk ka problem mungesën e medias, por mungesën e ideve për të bërë opozitë, qeveria mungesën e aftësisë për të qeverisur, ndërsa media nuk ka problem mungesën e lirisë, por mungesën e profesionit të saj, për të bërë gazetarin dhe jo përcjellësin e deklaratave propagandistike.

Ky zhvillim regresiv, i cili po kthen median profesioniste, me media sociale, në të vërtetë po e bën shtypin shqiptar të padobishëm dhe rrezikon ta asgjesojë atë, nëse gazetarët nuk marrin kontrollin mbi të vërtetën dhe të bëjnë diferencën mes llafazanëve delirantë të  blogjeve dhe mashtruesve të politikës.

Por, në këtë rrezik duket se po bien dhe politikanët e rinj shqiptar, të cilët mendojnë se nuk ka më rëndësi çfarë thonë, por kush i lexon gënjeshtrat e tyre.

Dhe këtu lind dhe pyetja për mungesën e përvojës së tyre në raport me shtypin . Përse i duhet sot gazeta RD kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kur ajo nuk është në një gjatësi vale me idetë e tij formale të shprehura publikisht, apo rrethin e tij politik?

Në të vërtetë gazeta i duhet Sali Berishës, jo për lexuesit, jo për mijëra ndjekës që ka në Facebook, por për të bërë diferencën e vijës politike brenda PD-së, se kush duhet të jetë armik, kush aleat dhe kush dikton në PD. Është kjo arsyeja që RD nuk ka rëndësi pse del 300 kopje dhe nuk ka fare rëndësi sa vet e lexojnë. Nëse Berishës i duhet të shpallë dikë të deklasuar, ai ngre telefonin dhe ka RD. Dhe nëse dikush duhet të verifikojë statusin e tij në PD, duhet të shikojë protokollin kinez të festës së RD. Sivjet për shembull, Frangaj rrinte larg Berishës dhe nuk i afrohej, Patozi nuk u ftua fare, ndërsa Grida ishte e preferuara e kryetarit. Grida, që si familje sigurimsash kushedi sa e ka sharë RD kur ka dalë më 1991. Pastaj vazhdon dhe bën politikë. Pra, në koshiencën e tij, ai e ka të qartë se rëndësia qëndron tek gazeta, pasi ajo ka ende rëndësinë e medias, kurse propagandën ja ka lënë rrjeteve sociale dhe medias që është bërë më keq se rrjetet sociale.

Për këtë arsye, ajo festë ndëron vazhdimisht aktorët, sipas rëndësisë që ata kanë për Berishën dhe jo për historinë e asaj gazete, që përveç ditës së parë, s’ka më asgjë të lavdishme.

24 vjet më pas media është bërë një përcjellëse sterile e propagandës së pushtetit dhe opozitës, dhe ky është një rrezik më i madh për lirinë  dhe të vërtetën se sa 24 vjet më parë, kur ajo kishte identitet, pozicion dhe vullnet për të gërmuar. Shikoni edicionet e lajmeve sot më 5 janar të 2015 dhe do të shikoni që një mjek në Lushnjë thotë që bëhet seks në spital, por nuk thotë askush që ai ka qenë nëndrejtor spitali, që Basha thotë se janë rritur taksat 50 për qind dhe s’del asnjë gazetar ta verifikojë këtë gjë, që media thotë se kryetari i PS në Pogradec do të ndërtojë buzë liqenit, ndërkohë që ai ditziu po zihet me Edi Ramën të mos prishë ato që janë buzë liqenit, etj. Mjafton të dëgjosh këto edicione lajmesh që ne prodhojmë, dhe je tërësisht i ç’informuar, se sa momenti para se të uleshe para ekranit apo gazetave. Dhe mendoj se më 5 janar të 1991, ishte më mirë. Qoftë dhe si ditë e parë.

Botuar në gazetën Tema, më 6 janar 2014

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend