Televizion, së paku teknikisht

18 Qershor , 2014 • Menaxhimi i Redaksisë • by

Edhe pse ka patur dhe vijon të ketë një numër të madh programesh, në një numër të madh ekranesh televizivë në Shqipëri, shpesh e gjej veten me ndjesinë se nuk ka asgjë për të parë në televizor. E megjithatë, ato pak gjëra të mira që ndodhin në botën televizive, i marr vesh sepse në mos unë, të tjerë po shohin, sepse televizioni ende i magjeps shqiptarët, dhe ajo që është e bukur dhe veçantë, e re dhe krijuese, del në pah. Dhe, realisht, ka dy mënyra për ta parë këtë, nga ana pozitive, ka disa prodhime televizive cilësore në Shqipëri, të cilët (nga ana negative) qëndrojnë në kontrast me shumicën e prodhimtarisë televizive vendase, e cila mbetet e keqfinancuar, e varfër në prodhimtari dhe e kufizuar në mendim e dëshirë. Për arsye të krizës ekonomike dhe një padëshire për të provuar gjëra të tjera, a për të ndryshuar status quo-në, televizioni në Shqipëri ka rënë në një stanjacion të ndjeshëm, duke u bërë një medium i madh vetëpërsëritës, të cilin një miku im, e konsideron kështu: “Televizioni në Shqipëri, në vend që të jetë një dritare mbi botën, është një pasqyrë për vetveten”. Shqipëria, me një popullsi që kolovitet rrotull 3 milionëve ka një zhvillim teknik dhe teknologjik mbresëlënës në fushën e Televizionit, me më shumë ekrane nga ç’do të ishte ekonomikisht e justifikueshme. Por pa i hyrë arsyeve të këtyre investimeve surprizuese, mendoj se mund të them se në një aspekt, është pikërisht ky masivizim televiziv që mban të ulët cilësinë dhe prodhon një njëtrajtshmëri të bezdisshme në ekrane. Tregu i reklamës nuk justifikon kaq shumë orë transmetimi, çka do të thotë se të ardhurat në televizione janë të ulëta, çka do të thotë se gazetarët dhe profesionistët janë të keqpaguar, sidomos nëse i krahason me ekuivalentët e tyre në perëndim, dhe stafet janë të mangët, dhe organizimi i dobët. Punonjës të pakënaqur, bëjnë punë për aq sa paguhen dhe nuk janë fort të motivuar për të dhënë më të mirën. Herët apo vonë, në ambiente që nuk stimulojnë garën dhe nuk vlerësojnë domosdoshmërisht më të mirin, gazetari apo gazetarja e re ambicioze, bie në plogështi profesionale, humb interesin, ul standardin. Nga ana menaxheriale, preferohen zgjidhjet më të thjeshta, më fitimprurëset, më ekonomiket – dhe harrohet në një përqindje të lartë të herëve, se televizioni është një biznes shumë special, dhe se bashkë me pushtetin e pakrahasueshëm ndër biznese të tjerë, vjen edhe një përgjegjësi e shtuar për të mëkuar në forma dhe mënyra të ndryshme një lidhje intelektuale dhe emocionale me teleshikuesin. Nuk duket se ndonjë televizion ka ndonjë strategji të qartë mbi mënyrën sesi dëshiron të perceptohet nga publiku. Nëse do të ishte kështu, kjo do të ndihej, në një fill të përbashkët që do të lidhte në frymë e cilësi çdo program, por jo. Në të njëjtin kanal bashkëjetojnë qetësisht programe të mrekullueshëm, me programe të pashikueshëm. Ndihet se, secili punon për hesap të tij, dhe se strukturës i mungon një vizion, një drejtim a mision, por sillet kuturu. Në kërkim të fitimeve të biznesit. Pa diskutim, logot televizive mbartin vlera në vetvete, dhe janë, shume prej tyre, ura lidhëse midis shqiptarëve, por a janë ekranet tona atdhedashëse? Janë civile, të kulturuara, udhëheqëse, intelektuale, pasionante, artdashëse, të lexuara, të udhëtuara, moderne? Apo janë ekranet tona banale, popullore, përsëritëse, anakronike, të prapambetura, tallava?

 

Brenda

 

Edhe kur në televizione është hedhur para e madhe, kjo ka shkuar për të ndërtuar kapacitete më të mëdha teknike në godinat dhe studiot e televizioneve, duke krijuar më shumë hapësira dhe duke sjellë më shumë teknologji, por pa shpenzuar dhe aq për talentet, njerëzit pra dhe pa financuar idetë e tyre, pa inkurajuar aftësitë e tyre krijuese, për të dalë nga studiot, për ti kthyer kamerat nga Shqipëria.

A e keni vrarë ndonjëherë mendjen sesi ka mundësi që ka kaq pak programe që të eksplorojnë qytetet, natyrën, kuzhinën, traditat, artin, kulturën dhe historitë e Shqipërisë? A e keni pyetur ndonjëherë veten se si është e mundur që në dhjetëra kanale televizive përsëriten të njëjtat skena, me programe talk-show ku ca njerëz mblidhen për të biseduar si në kafene, pa ndonjë përgatitje, a ndonjë lidhje tepër të fortë me subjektin që trajtohet, që është sidoqoftë vulgar dhe patetik. Opinionistët e kudogjendur (mes tyre dhe unë) janë, si të thuash, heronjtë e televizionit bashkëkohor shqiptar, pasi janë ata që e mbajnë nga e hëna deri të dielën me llafe e fjalë. Pse nuk ka një program të mirë për Librin e Letërsinë ende, në gjithë këta vjet, asgjë e prirur dhe e përkushtuar ndaj letërsisë, vetëm trajtime të atykëtushme, rrjedhojë e rastësive apo rrethanave.

Sado i fortë të jetë argumenti se televizioni jashtë studiove kushton më shtrenjtë, është fakt se në televizionet shqiptare janë blerë kamera që kushtojnë sa totali i shpenzimeve për dy sezone të një programi udhëtimesh nëpër Shqipëri.

Rreziku ndaj të cilit drejtuesit e televizioneve të mëdha duhet të jenë të vëmendshëm është fakti që formatet e tyre të suksesshëm, sado fitimprurës janë bërë të mërzitshëm, dhe janë një provë ulëritëse e stanjacionit që ka kapur ekranin. Duke u rrotulluar brenda të njëjtave formula të parashikueshme e të tejpërdorura, pohon padashje se ke mbetur në vend, se nuk je rritur, përkundrazi, po zvogëlohesh.

Ideja e zvogëlimit përforcohet edhe nga prurjet e pakta në ekran. Në një formë ironike dhe domethënëse, televizionet janë kthyer në vetvete si shtëpia e Big Brother, ku shtatë apo tetë personazhe rrotullohen 24/7 në orare të ndryshme. Si e percepton publiku faktin se një gazetar bën dy apo ndonjëherë tre programe të ndryshëm njëkohësisht? A nuk shkruan nënteksti i këtij fenomeni, “Kaq i kemi mundësitë për staf – jemi të kufizuar.”?

Herët apo vonë dikush do ta kuptojë i pari se epërsia teknike vjen duke u zbehur me rritjen e cilësisë dhe përparimin teknologjik. Pasi sot një kamera HD kushton 20 herë më pak se 10 vjet më parë, dhe cilësinë dhe ndryshimin nuk mund ta bësh më vetëm me imazh, por duhet ta fitosh në përmbajtje. Në një moment të caktuar, të gjithë kapin standardin teknologjik, pastaj gara është e talenteve, e ideve më të mira, i krijuesve më prodhimtarë e mendjeve më brilante. Ndaj mendoj se ato televizione që do të kuptojnë të parat vlerën e njerëzve për suksesin, do ta arrijnë atë.

Ndërkohë, disa nga programet kryesorë talk show në vend, shfaqin edhe një tendencë për të ndryshuar, por brenda vetes, që deri diku më duket si shprehje e një paqëndrueshmërie të shkaktuar nga lodhja. Programet nuk mbajnë më një bosht tematik, të themi politik, apo letrar por hidhen nga nata në natë në tematika nga më të ndryshmet. Në këtë mënyrë mund të ndodhë që në netët pasuese, në të njëjtën studio të flitet për Reformën në Drejtësi e pastaj për Historinë e Hip-hopit shqiptar. Mund të ndodhë që një i ftuar që njërën natë komenton punën e Qeverisë, natën tjetër diskuton mbi Seksin jashtëmartesor, pastaj në një tjetër rast, për Mitin e Kreshnikëve. Me këto oshilacione në tema, publiku nuk di më ç’të presë nga programi. Detyrimisht, një pjesë e mirë zhgënjehet çdo natë, për shkak se tema nuk përbën asnjë interes për ta. Kjo përzjerje në një kohë kur tendenca është drejt programeve dhe ekraneve tematikë, duket jashtë kursit të përgjithshëm të industrisë televizive në botë. Imagjinoni një stacion radiofonik që luan muzikë dasmash dhe heavy rock njëherësh. Dhe pikërisht në mesin e kësaj gjendjeje të paqetë dhe mungese orientimi e mesazhi, ndodh që në një program letërsia përplaset me politikën, turizmin, sociologjinë, sportin e gjithçka tjetër që tërheq vëmendjen e autorëve përkohësisht, duke humbur shansin për të prodhuar diçka që është thelbësisht televizive, ndoshta sepse nuk kuptohet aksioma “The Medium IS the Message”.

Dilema, midis programeve popullorë, me audienca të mëdha dhe programeve të shtrenjtë, cilësorë dhe me audiencë të kufizuar është e kuptueshme, por i pajustifikueshëm është qëndrimi gjithnjë i njëjtë, që televizionet mbajnë, duke zgjedhur çdo herë opsionin e lehtë, spektakolar por të zbrazët kundër atij lloj programi, të vështirë e të kushtueshëm, që do të mbartte vlera “branding-u” për ta, dhe vlerë kulturore për publikun.

Për momentin as që mund të bëhet fjalë për prodhime telefilmash apo miniserialesh televizive në baza të qëndrueshme. Edhe disa përpjekje të deritanishme nuk kanë rezultuar në ndonjë prurje cilësore. Prodhimet artistike për televizion, janë të rrallë, cilësisht të dobët dhe nuk mbahen mend gjatë.

Në këtë sens, mburrja e vazhdueshme për standardin e lartë mediatik në Shqipëri duhet marrë me një fije skepticizëm dhe kritikë të shëndetshme. Ka investime të mëdha në media, por përgjithësisht në teknologji, jo në njerëz. Ka ekrane të shumtë, por jo cilësi. Ka njëtrajtësi, përsëritje, dhe një varësi totalisht të sëmurë nga politika.

Ritransmetimi është një tjetër dukuri që ilustron stanjacionin që mediumi televiziv vuan. Programe që zënë nga dy deri në katër orë transmetimi në ditë, për shkak të ritransmetimit të nesërmen paradite, flasin për mbetjen në vend numëro, ndërkohë që YouTube është opsioni më i preferuar, e shpeshherë i vetmi që këto programe kanë për të shkuar tek teleshikuesi. Ç’nevojë ka të ritransmetohet diçka që mund të shihet në çdo moment në YouTube? Pse nuk duhet shfrytëzuar kjo kohë për të testuar, ndryshuar dhe rigjeneruar programacionin? Këto janë pyetje të cilat asnjëherë nuk marrin përgjigje, por që ngrihen jo si një kërkesë llogarie, por si një kërkim i ndershëm për të nxitur qarkullimin e lëngjeve krijues.

Perspektiva e televizioneve shqiptare është ende e vështirë të shquhet, por megjithë zhvillimin teknologjik dhe kalimin në sistemin numerik, duket se do të jetë shumë e vështirë për këtë treg të vogël të ushqejë një industri që është zgjeruar dhe shtrirë përtej vetë mundësive të saj. Duke prodhuar një sasi gjigante orësh transmetimi, mbushur në pjesën më të madhe me biseda lehtësisht të injorueshme.

Ky artikull është shkruar enkas për debatin “Media për median”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend