Shqipëria jashtë Tiranës, vështirësisht e përfaqësuar në media

13 Qershor , 2014 • Gazetaria e Medias • by

Dy javë më parë, ndërsa udhëtoja për në Koplik, kryeqendrën e vogël të Malësisë së Madhe, nuk e kisha menduar se orët e kaluara atje do të më rikthenin dëshirën për të shkruar sërish. ‘Mirë se keni ardhur’,- na thotë një prej përfaqësuesve të drejtorisë arsimore rajonale, ndërsa pa mbaruar fjalën kthehet menjëherë nga dy gazetarët që janë me mua: “Kemi pritur që ju të vini! I kemi lexuar shkrimet tuaja e thoshim a do t’u bjerë rruga këtej këto kohë?” Njëri prej gazetarëve është i njohur për reportazhet e tij në zona të ndryshme të Shqipërisë dhe kolegia tjetër, gazetare e çështjeve sociale në një prej televizioneve në vend.

Mund të duket çudi, por në fakt nuk ka asgjë të pazakontë; media në këto anë ka vërtet ndikim.

Në Koplik, qasja ndaj shtypit është e ndryshme nga ajo që hasim në Tiranë; këtu gazetat nuk e ka jetën vetëm dy orë në mëngjes. Leximi i gazetave dhe diskutimi i lajmeve që vijnë nga edicionet qendrore zgjat shumë më tepër se kaq. Në vende si Puka, Dibra,  Devolli a të tjera zona, jeta është më e ngeshme, ritmi është  më i ngadaltë. Leximi dhe kuptimi i medias është jo vetëm mënyrë e të informuarit, por një mënyrë e të qenit. Çështjet me interes përtypen gjatë këtyre anëve, ku banorët ndajnë mendime dhe arrijnë edhe në konkluzione. Një proces me të gjitha etapat tradicionale të formimit të mendimit publik.

Në rastet kur në fokus është pikërisht kjo qendër e vogël ose rajonet përreth, vëmendja është edhe më e madhe. Për fat të keq, kjo ndodh rrallë! Një shfletim i shpejtë i gazetave tona të tregon lehtësisht se nuk e kanë në fokus jetën në zonat jashtë kryeqendrës ku botohen. Të paktën jo kur nuk ka ndonjë ngjarje të madhe politike që i vë në qendër, apo krim makabër që zgjon interesin.  Kush do kishte lexuar diçka për Dushkun, nëse nuk do të ishte për llogaritë e komplikuara të mbledhjes dhe zbritjes së votave në atë fshat,  shpikur nga mendjet e politikës? Kush do të kishte lexuar për jetën e zymtë e të vështirë në Fushë-Kuqe të Kurbinit, nëse nuk do të ishte për vrasjen e vajzës 15-vjeçare nga e ëma dhe më pas vetëvrasjen e saj?

Media shqiptare është e përqendruar në Tiranë, shumica dërrmuese e gazetave dhe televizione janë të vendosura aty. Faqet e para janë të dedikuara ekskluzivisht për zhurmnajën politike të ditës, batutat e politikanëve dhe krimet. Për një trend të përcaktuar qartë në vite, çështjet sociale mund të afrohen drejt faqeve të para vetëm në rast të aferave korruptive, e sidomos kur në to janë të përfshira parti politike apo zyrtarë të lartë.

Reportazhet nga zona të largëta, jeta e komuniteteve, traditat e rajoneve të ndryshme, çështjet sociale, kultura e të tjera rrallë gjejnë mbulim në median shqiptare. Duket paradoksale, meqë pikërisht në këto zona të largëta, media ndiqet më me interes, sidomos në raste të tilla.

Çështja nuk është te revolucionarizimi i mënyrës së të konceptuarit të medias shqiptare edhe pse në fakt, kjo do të ishte e mirëpritur. Çështja është te gjetja e një balance të drejtë për raportimin dhe përfaqësimin e zonave të pambuluara sa duhet nga media në Shqipëri.

E kam fjalën për Shqipërinë e vërtetë, atë që është jashtë Tiranës, atë të harruarën nga debatet politike dhe kriza ekonomike. Është e vërtetë, gazetat nuk shiten dhe aq ne rrethe, por ato lexohen mjaftueshëm atje. Nuk ka shifra që ta thonë këtë, sepse ne fakt nuk ka shifra të qarta as për tirazhet e gazetave dhe shitjet e tyre. Por një hulumtim i shkurtër në këto zona tregon shumë,  sidomos për të kuptuar faktin se media ndiqet me fanatizëm dhe ka impakt të caktuar.

Në kushtet kur media lokale thuajse mungon për shkak të një tregu të kufizuar dhe me fuqi blerëse të dobët, u takon atyre kombëtare të sigurojnë raportimin dhe mbulimin e komuniteteve lokale. Në mënyre që të gjithë ta gjejnë veten aty, e jo vetëm ajo gjysmë Shqipërie, sado e rëndësishme të jetë, që ndodhet në Tiranë.

Media  është një biznes, kjo është e vërtetë. Por si një biznes i një lloji krejt të veçantë, mbart në vetvete edhe një mision për të informuar dhe siguruar përfaqësimin e publikut në të, përfshi këtu edhe komunitetet lokale.

Si mund të sigurohet kjo, në kushtet në të cilat ndodhet media shqiptare; në një krize të vazhdueshme financiare që ka reduktuar stafet dhe ku goditjen më të madhe e ka marrë rrjeti i korrespondentëve? Kur gazetarët

shpesh mezi ia dalin të marrin rrogën e muajit, e jo më të kërkojnë kosto shtesë për udhëtime jashtë Tiranës, për reportazhe në zona të largëta që shesin pak në kioska, e që edhe më pak u interesojnë botuesve?

Në fakt, është fort e lehtë të japësh mend për standardet e gazetarisë nga karrigia e rehatshme e zyrës, ndërsa humbet  mes librave e blogjeve online plot me këshilla se si duhet të jetë gazetaria. Ajo e vërteta! Shumë prej nesh e bëjnë këtë përditë. Më e vështirë është të zbresësh pak në realitetin e gazetave tona, ku çdo sektor ka një gazetar ose maksimumi 2-3 në rastin e politikës, e ku të kërkosh mbulimin financiar të një udhëtimi në Koplik, është kthyer gati-gati në një mision të pamundur.

 

Së pari, nuk kushton dhe aq. Dëshira e mirë, motivimi dhe më pas gjetja e mundësive për të shkuar drejt historive të jetës së vërtetë, duhet të jetë një ngasje e vazhdueshme për çdo gazetar. Së dyti, mund të rikthehen korrespondentët, ata që e njohin zonën dhe kushtojnë më pak.

Së treti, është gjithnjë gazetaria e hapur, gazetaria komunitare është sot një risi që shërben jo pak. Marrja e informacionit nga vetë banoret e zonës është një mënyrë e mirë për mediat në qendër, por hap një sfidë më vete në lidhje me verifikimin apo objektivitetin e tij. Dhe objektiviteti në gazetari është një parim i patjetërsueshëm.

Gazetave sot ndoshta do t’u kërkojnë lexuesin e vërtetë jashtë Tiranës, pasi banorët e kryeqytetit kanë tashmë në dispozicion mënyra dhe teknologji të reja për t’u informuar. Kthimi i syve nga tek periferia mund të jetë një mënyrë e mirë edhe për t’i shpëtuar ato nga kriza aktuale e shitjeve.

Thënë të gjitha këto, mendoj se mbi te gjitha është e rëndësishme që gazetari të lërë një herë në aq kohë redaksinë apo kafenetë e preferuara të Tiranës, për të parë se sa del jashtë saj, ka një tjetër jetë , mijëra të vërteta dhe histori, jetë të ndikuara ose jo nga ajo që vendoset nga politikat në Tiranë.

Mungesa e shkollave, kushtet e arsimit, kostoja e jetës, varfëria, emigracioni, dramat njerëzore;  por mbi të gjitha jeta e njerëzve të thjeshtë, zanatçinjve, hallet dhe gëzimet e përditshme mund të gjenden të gjitha aty. Jetë që presin t’u rrëfehen të tjerëve dhe të gjithë ne, që duhet të kuptojmë se Shqipëria nuk është vetëm kryeqyteti, apo hapësira mes Hotel Tiranës dhe Sheratonit.

Shqipëria e vërtetë; ajo e Koplikut, Dibrës, Pukës, Devollit është gjithnjë aty, e gatshme për t’u eksploruar, rrëfyer e përfaqësuar në median shqiptare. Nëse gazetarët do të gjejnë pak kohë e dëshirë të dalin nga zhurmnaja politike dhe jeta, shpeshherë e rreme, e Tiranës.

Ky artikull është shkruar enkas për debatin “Media për median”, organizuar nga Instituti Shqiptar i Medias

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend