Gazetarët e rinj dhe standardet ndërkombëtare të demokracisë

13 Mars , 2014 • Profesionalizmi në media • by

Prej katër muajsh në Departamentin e Gazetarisë dhe të Komunikimit në Tiranë funksionon Qendra e përbashkët shqiptaro-gjermane për trajnimin e gazetarëve e mbështetur nga Fondacioni “Konrad Adenauer”.

Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në Tiranë ka bërë pjesë të infrastrukturës në procesin mësimor dhe shkencor një qendër të përbashkët trajnimi shqiptaro-gjermane, e cila ka afruar gazetarë të rinj, kryesisht ish-studentë në nivelet Bachelor dhe Master në po këto auditore. Synimet janë për të mbështetur të punësuarit në media në formimin e tyre për një kulturë menaxheriale bashkëkohore në fushën e industrisë së informimit publik. Por në anën tjetër të ndikojë që struktura universitare të integrohet dhe bashkëveprojë me aktorët e tregut mediatik.

Prof. Ass. Dr. Mark Marku, kryetar i bordit drejtues të Qendrës tregon për DW, se kemi të bëjmë me një ofertë cilësore për pjesmarrësit në ciklin e trajnimeve, në një modul të strukturuar dhe të thelluar që mbështetet në disa nga fjalët kyçe që reflektohen aktualisht në sistemin mediatik shqiptar.

Ballafaqimi në tre nivele të ekspertizës mediatike

“Nisur nga seancat e deritanishme por dhe ato që priten të zhvillohen orientimi është për krijimin e një atmosfere të forumeve debatuese, që do të thotë jo zhvillim të formateve të leksioneve në kuptimin klasik. Nuk kemi hapur një universitet të dytë që si të thuash të dublojmë atë të parin. Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit ka krijuar kështu një pikë lidhjeje me sistemin mediatik, me ata gazetarë që janë diplomuar më herët në këto auditore. Pas një përvoje në punë ata rikthehen ‘të aktualizojnë’ dhe ‘të kolaudojnë’ në kuptimin figurativ njohuritë që kanë marrë kur ka qenë student, dhe në të njëjtën kohë ata të sjellin eksperiencën e tyre konkrete. Kjo bëhet përmes ballafaqimit të tre niveleve të ekspertizës: së pari të profesorëve të huaj dhe vendas të gazetarisë dhe komunikimit, së dyti duke ftuar në forume aktorë të njohur të botës medaitike në Shqipëri dhe së treti, nga shkëmbimi i eksperiencave të pjesmarrësve.”

rof. Ass. Dr. Mark Marku nxjerr në pah dhe rolin e Qendrës së përbashkët shqiptaro gjermane e cila është dhe si pike lidhjeje mes botës akadamike shqiptare dhe asaj europiane. Falë mbështetjes së këtij projekti nga Fondacioni Konrad Adenauer present në do të jenë studiues dhe ekspertë të njohur nga Gjermani, Zvicra e Austria.

Për të ndjekur dhe mbështetur ish-studentët e gazetarisë

Për shefin e Departamentit të Gazatarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori Filologjisë, Prof. Dr. Artan Fuga, e përshkruan Qendrën si një “zgjatim’ universitar drejt komunitetit, drejt profesioneve. Si njëri prej ideatorëve të projektit ai thotë se shtysë për themelimin e Qendrës ishte fakti se jemi përballë realitetit që konceptet në fushat tona po ndërrojnë shumë shpejt,

“Komunikimi dhe gazetaria janë fusha me një zhvillim të vrullshëm por dhe të shpejtë, interneti dhe mediat e reja në përgjithësi janë një trendi, por dhe një objekt për studiuesit dhe ekspertët e këtyre fushave. Komunikimi dhe gazetaria kanë një karakteristikë shumë të rëndësishme, sepse janë edhe teknologji, edhe industri por edhe treg, profesion, edhe ekspertizë edhe shkenca sociale ndërdisiplinore, ndërkohë që kanë dhe lidhje edhe me politikën, sepse kanë të bëjnë me ndërtimin e hapësirës qytetare, hapësirës publike në të gjitha format e saj. Ne përmes funksionimit të Qendrës jemi në angazhimin tonë për të ndjekur studentët, për t’i mbështetur ata dhe pas mbarimit të studimeve. Universiteti në kuptimin klasik e ka të vështirë në këto fusha, sepse dija dhe përgatitja e specialistëve të rin j kërkon lidhje me komunitetin, orientim drejt profesioneve, orientimeve drejt praktikës”.

Qendër ekselence në formimin e pandërperë profesional

Drejtorja ekzekutive e projektit për ngritjen e Qendrës, Dr. Jonila Godole thotë se ishte e befasuar që në hapat e parë të punës kur thirrjeve për aplikmim iu përgjigjën një numër shumë i madh gazetarësh dhe punonjësish në media në përgjithësi.

“Ky ishte tregues për interesimin e tyre për kualifikim, por njëkohësisht prova e parë se hymë në një hapësirë ku synonim, ku ka realisht nevoja. Për të zbutur atë hendek mes dijeve dhe koncepteve që marrin gazetarët në auditor në kohën e studimeve dhe realitetit që ata hasin në tregun konkret të punës. Në përmbushje të objektivit tonë madhor që të shërbejmë si një qendër ekselence në formimin e pandërperë profesional të gazetarëve të rinj, ne bëjmë përpjekje për të qenë si faktor emancipues dhe demokratizues të shoqërisë dhe i vetë mediave të lidhim dhe të integrojmë formimin universitar me prurjet e përvojave më të mira në fushën profesionale dhe t ëmenaxhimit të mediave nga gazetarët dhe administratorët më të mirë të mediave shqiptare dhe mbi të gjitha të ofrojmë eksperiencën perëndimore duke tërhequr gazetarë, pedagogë dhe specialistë të huaj të fushës.” Dr. Godole vlerëson rolin e Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”, zyrën e Tiranës, që ka mbështetur dhe vijon të mbështesë financiarisht idenë dhe realizimin e funksionimit të Qendrës së përbashkët shqiptaro gjermane në mjediset e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Histori Filologjisë në Tiranë.

Botuar në website-in e DW, datë 11.03.2014

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend