Gazetaria investigative, një filiz që duhet bërë lis

23 Nëntor , 2013 • Gazetaria e Medias • by

Faleminderit për vlerësimin dhe dhënien e mundësisë për të shprehur në këtë konferencë eksperiencën tonë 20 vjeçare në gazetarinë investigative në Shqipëri.

Nuk e di nëse duhet të jem pesimiste apo optimiste për sa kemi bërë dhe po bëjmë, por, duhet të jem e sinqertë, kur kujtoj disa ngjarje të rëndësishme të vendit tim, kur kontributi gazetaresk ka qenë vendimtar për të qartësuar opinionin publik dhe për të hedhur dritë mbi të vërtetën, mund të pohoj se: Po jam krenare! Me të gjitha vështirësitë dhe problemet e panumërta, gazetaria investigative është ajo pjesë e këtij profesioni që të jep kënaqësi që nuk zbehen nga koha.

VLERA E GAZETARISE INVESTIGATIVE: KENAQESI DHE KOSTO

Më të fundit kujtoj kontributin tonë në qartësimin e ngjarjes së 21 Janarit 2011, kur ma pamje filmike që kishte filmuar kameramani ynë dhe me shpjegimin e vyer të gazetarit tonë të atëhershëm Artan Hoxha, mundëm të sqaronim opinionin publik përkundër asaj që po propagandohej: Protestuesit, viktima të asaj dite, nuk ishin vrarë me çadra apo stilolapsa pistoletë nga njëri-tjetri, por nga plumbat e qëlluar nga Garda e Republikës e pozicionuar në Kryeministri.

Ky lajm ndryshoi historinë e 21 Janarit 2011, por edhe historinë tonë. Në ato ditë u mor vendimi për për blerjen e gjithë grupit mediatik, ku ne aderonim prej 18 vitesh si themelues e krijues, por jo si pronarë. I gjithë grupi mediatik të themeluar nga Carlo Bollino u shit nga pronarët italianë të joshur nga një çmim shumë i lartë. Ishte çmimi i një medie të lirë.

RIKTHIMI ME A1REPORT SHQIPTARJA.COM

Por veçantia dhe bukuria e të bërit gazetari në Shqipëri qëndron pikërisht në faktin se është një vend dinamik, i lirë për të inkurajuar sipërmarrjen dhe me një forcë rigjenerimi të paparë.

Ne jemi përsëri në treg me Free and Fair Media Group që përmban të përditshmen dhe website Shqiptarja.com dhe TV A1Report.

Gazetaria investigative vazhdon dhe kënaqësitë janë të jashtëzakonshme dhe rezultatet të mira edhe pse me një media totalisht të re. Zbulimi në Shqiptarja.com i konfliktit të interesit në tregtinë e Armëve të Kreut të Shërbimit Informativ të Ushtrisë Ylli Zylaj përmes bashkëshortes së tij, bëri që ai të mos e vazhdonte detyrën e lartë publike që i ishte besuar. Denoncimet dhe raportimet Live në A1Report të persekutimit të komunitetit Rom që mblidhte shishe plastike dhe kanaçe, nga Florenc Hoxha, atëherë kreu i policisë Bashkiake, duke favorizuar një biznes afër kryebashkiaku, bënë gjithashtu që Florenc Hoxha të mos vazhdonte më atë detyrë.

Këto janë dy shembuj sa për të kujtuar që në Shqipëri, pavarësisht vështirësive, numrit të jashtëzakonshëm të të përditshmeve 35, dhe të televizioneve 90 në gjithë vendin, ka hapsira për gazetari të ndershme dhe të mirë.

GAZETARI INVESTIGATIV DESHIRE PER DREJTESI E NDERSHMERI

Duke nisur pikërisht nga këto cilësi: Ndershmëria dhe profesionalizmi, ne mendojmë se bashkë me kuriozitetin e lindur dhe dëshirën e pretendimin për drejtësi, janë cilësitë që duhet të ketë gazetari investigative. A janë të përhapura këto vlera mes gazetarëve?  Kjo është një pyetje e vështirë jo vetëm në Shqipëri. Shokimin tim të parë e mora duke lexuar librin postum të një gjigandi të gazetarisë italiane të ‘900, Indro Montanelli “I conti con me stesso”, “Llogari me vetveten”. Ia kishte lënë amanet mikut të tij Sergio Romano, ta publikonte pas vdekjes. Eshtë një libër që ende nuk është përkthyer në shqip, i cili përmban copëza ditari të prapaskenave më të mëdha politike dhe sociale të Italisë së 900. Duke lexuar atë rrëfim-konfesion të atij gazetari të famshëm mbi intrigat gazetari-politikë, hilet e shpërndarjeve të çmimeve, mbylljen e një media dhe hapjen e një tjetre, përplasjet pronarë-gazetarë-politikanë. Thurja e interesave të përbashkëta vetëm për të pasur privilegje në dëm të së vërtetës, më bënë të ridimensionoja shumë profesionin e gazetarit në përgjithësi.

Personalisht mendoj se gazetari i mirë pikësëpari duhet të jetë njeri i drejtë dhe të udhëhiqet nga parime pozitive Universale për të kryer misionin e qartësimit të së vërtetës. Në të kundërt çdo qëllim tjetër, e deformon misionin e tij duke e bërë shumë të dëmshëm për shoqërinë.

Ne sot në Shqipëri kemi pak gazetarë investigativë dhe pak media të gatshme për të krijuar humusin e duhur për lulëzimin e gazetarisë investigative. E megjithatë e  theksoj se misioni nuk është i pamundur edhe pse i vështirë.

CILA MEDIA MUND TE BEJE GAZETARI INVESTIGATIVE?

Duke u nisur nga eksperienca jonë personale si një media unike në vend, pa interesa biznesi në fushat e tjera, (Shkolla e një gazetarit italian Carlo Bollino) jemi nga të paktat Media që kërkojmë të bëjmë vetëm gazetari, duke mbijetuar PA ASNJE LUKS falë mbështetjes transparente të lexuesve dhe të reklamave.

Dhe këtu vijmë në një tjetër pikë delikate. A është e lirë një media ekonomikisht e brishtë?

Nëse flasim për shtypin e shkruar burimet e financimit janë normalisht dy: Reklamat dhe shitjet. E lëmë mënjanë rastin kur një gazetë është e financuar nga aktivitete të tjera tregtare të Botuesit, pasi në këto raste gazetaria investigative në të vërtetë ka si qëllim ose të luftojë konkurruesit e Botuesit, ose të bëjë favorizime.

Flasim për një gazetë pa konflikte interesi. Në këtë rast pengesa e parë për lirinë e saj bëhet nga vetë reklamat, sepse jo rrallë klientët publicitarë kanë interes të lidhin markën e prodhimit të tyre me një gazetë që i shkel këmbën pushtetarëve. Pra një gazetë që bën gazetari investigative shpesh humb dhe nuk ka reklamë.

Atëherë mbetet burimi i dytë i finacimit: Pra shitjet. Që një gazetë investigative të rrisë numrin e lexuesve është e domosdoshme që mes opinionit publik të ketë një sens të fortë drejtësie, rebelimi, një dëshirë për transparencë, pa të cilat kopjet e atyre gazetave nuk do të rriten asnjëherë.

OPINIONI PUBLIK DESHIRE PER DREJTESI E TE VERTETEN

Ekziston në Shqipëri në opinionin publik aftësia për t’u indinjuar e për t’u skandalizuar?

Për fat të keq, e përsëris nga eksperienca jonë, Investigime psh për abuzimet me çmimet dhe cilësinë e karburanteve, apo me çmimet e telefonisë celulare, nuk janë përkthyer në rritje të mëdha të shitjes se kopjeve të gazetës.

Ditët kur gazetat kishin në faqet e para protestat kundër armëve kimike në Shqipëri, kanë qenë dhe ditët me shitje të ulëta për të gjitha gazetat kryesore.

Ndoshta kjo ndihmon për të kuptuar situatën

GAZETARIA INVESTIGATIVE NE TELEVIZION dhe FREE LANCE

Pastaj, nëse flasim për gazetari investigative në televizion, ndodh edhe më keq sepse në këtë rast nuk flasim më për shitje, por vetëm për reklamë. Atëherë një televizion mund të bëjë gazetari investigative ose në rastin kur është shumë i pasur ose kur është shumë i varfër dhe nuk ka asgjë për të humbur.

Nuk është rastësore për shembull që në shumë vende europiane gazetaria investigative televizive është një karakteristikë e shërbimit publik. Por kjo gjë është e mundur atëherë kur pengesa e tretë e gazetarisë investigative, pra Pushteti politik, nuk ka mundësi të ndërhyjë.

Shembujt e gazetarisë investigative i kemi në BBC në Londër, në disa kanale televizive amerikane apo dhe në RAITRE, fqinjët tanë të afërt, të cilët kanë krijuar një oaz të një pavarësie politike relative brenda një televizioni shtetëror që kontrollohet plotësisht nga partitë.

Ka dhe një tjetër mundësi për të bërë gazetari investigative: Duke qenë Free Lance

Bëjnë gazetari investigative gazetarët free lance, të cilët janë më të keqpaguarit në botë dhe për të fituar botimin dhe si rrjedhojë honoraret e gazetave apo televizioneve prestigjoze, futen në situata ekstreme për të marrë të vërtetën me çdo kusht, shpesh edhe duke rrezikuar jetën.

MEDIAT SOCIALE DHE DOMOSDOSHMERIA E GAZETARISE INVESTIGATIVE

Pra unë mendoj se mbijetesa e një gazetarie jo vetëm investigative, por të paktën të ndershme, duhet të sigurohet dhe kërkohet nga vetë shoqëria sepse një shoqëri e mirë, prodhon gazetarë të mirë.

Besoj se njërëzit në përgjithësi janë të prirur të kenë dëshirë për të vërtetën dhe të ndershmen. Sigurisht, shoqëria duhet t’i nderojë këto vlera si vlera për t’u ndjekur dhe kjo po ndodh dhe në Shqipëri.

Nuk është e rastësishme që edhe në Shqipëri Mediat sociale, që janë media që nisin nga poshtë dhe vërtetë të lira, kanë nisur të dominojnë dhe politikën. Dhe nuk është rastësi që pikërisht në web është habitati në të cilin më mirë se në çdo media tjetër, gazetaria investigative rritet, zhvillohet. Sigurisht, do të duhej që edhe gazetari që investigon të shtyhet nga dëshira për liri dhe jo nga dëshira për para’: Por unë jam e bindur dhe optimiste se edhe kjo mrekulli në Shqipëri do të ndodhë.

Botuar tek Shqiptarja.com më 23 nëntor 2013

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend