Rreth debatit për sjelljen e medias ndaj pushtetit

26 Gusht , 2013 • Liria e medias • by

Nën pushtetin e Berishës, TV Klan nuk ishte thjesht një media pro pushtetit, por një pushtet kundër medias.

Kolegu ynë nga Prishtina, Baton Haxhia, ka tentuar të ngrejë një pyetje të parakohshme rreth sjelljes së medies me qeverinë e re, dhe ka tentuar të bëjë një paralelizëm mes sjelljes së TV Klan ndaj pushtetit të Berishës dhe mundësisë së sjelljes së njëjtë të Top Channel. Debati që rreket të hapë është serioz, por argumentet nuk janë serioze. Në thelbin e sjelljes së mediave ndaj pushtetit në Shqipëri nuk qëndron dëshira e mediave për t’u servilosur apo për të bërë opozitë, por vendimi i pushtetit për t’i bërë ato servise të vetat. Kjo që them është pak fyese për median, por është e vërtetë.

Ajo që nuk qëndron si argument, është paralelja mes TV Klan dhe Top Channel. Këto dy media kanë histori të ndryshme themelimi dhe zhvillimi, dhe po ashtu histori të ndryshme profesionale. Klani qysh në fillim ka startuar si një media servis për politikën, ose më mirë të themi servis për pushtetin. Qysh në vitin 1998 kur startoi, ajo ishte një servis politik i pushtetit dhe krijoi modelin e mbijetesës dhe pastaj pasurimit përmes këtij servisi. Ajo ishte media besnike e Fatos Nanos deri më 1999, pastaj e Ilir Metës deri më 2002, pastaj sërish e Fatos Nanos deri më 2005 dhe vetëm dy- tre muajt e fundit para fushatës elektorale të 2005 u hapën ndaj opozitës për shkak të konflikteve personale me qeverinë Nano. Pas 2005, ata filluan një histori të re të neveritshme të të qenurit media të pushtetit. Nën pushtetin e Sali Berishës, Klani nuk ishte vetëm media pro pushtetit, por dhe një lloj drejtorie politike e shtypit që diktonte dhe persekutimin e mediave të tjera. Këtë muaj që Berisha ka ikur nga pushteti, më vijnë dhjetëra menaxherë reklamash po ashtu legena, që dëshmojnë se si Frangaj u diktonte se kujt duhet t’i jepnin reklamat dhe ç’telashe mund të kishin fjala vjen po të shfaqej ndonjë reklamë tek Tema. Frangaj dirigjoi presionin financiar dhe politik mbi Top Channel derisa i detyroi të difuzonin me të në paketën e Digitalb-it, dhe po ashtu dirigjoi sulmet dhe presionet fizike dhe financiare mbi Vizion Plus deri në shembjen e antenave dhe gjobat financiare. Nën pushtetin e Berishës ata nuk ishin thjesht një media pro pushtetit, por një pushtet kundër medias. Ata ishin gestapoja politike e Sali Berishës dhe me kilometra larg të qenit gazetarë. Ata ishin sekserët e bizneseve të mëdha, tenderuesit e rrugëve, ndërtuesit e Bankës Qendrore, shpërndarësit e fshatrave turistikë, ndërtuesit e pallateve 25 katësh, marrësit e pronave në bregdet, tutorët e disa ministrave, përfituesit e miliona eurove nga sponsorizimet shtetërore, etj. Thjesht Klani është një model i pashembullt pushteti kundër medias dhe jo një shembull medie pro pushtetit.

Top Channel nuk vjen nga kjo histori. Ajo vjen nga një histori biznesi e strukturuar mirë, që e bën televizionin rentabël dhe e mban në këmbë me fuqitë e veta. Ajo është korporatë mediatike, e bazuar mbi shikueshmërinë dhe fitimin financiar. Si e tillë ajo ia doli të qëndrojë në opozitë e pavarur dhe e shantazhuar, por me dinjitet. Klani nuk e ka atë luks. Ditën që ai nuk ka mbështetjen e pushtetit, ai rrëzohet në tokë dhe nuk ka para të paguajë rrogat.

Krahasimi i politikave editoriale të Klanit me Top Channel nuk vlejnë pasi nuk ka shumë rëndësi çfarë pozicionimi politik ka media, por si e përçon ajo qëndrimin e saj. Top Channel mund të jetë pro të majtës ose kundër Berishës, por nuk ka toleruar censurimin e tyre në ekran. Reporterja që mbulon PD në Top Channel nuk është e censuruar si reporterja që mbulon PS tek Klani. Tek Klani nuk janë bërë lajme, por propagandë gëbelsiane kundër opozitës deri në atë shkallë sa pronari i TV Klanit kur fliste për qeverinë në ekranin e tij, nuk thoshte qeveria, por thoshte “Ne”.

Për këtë arsye as që ia vlen të nxitohet në paralelizma mes Top Channel dhe Klanit dhe as që do të ketë ndonjë ditë që Klani të krahasohet me ndonjë TV në Shqipëri përveç TVSH-së me atë që ka bërë.

Ndaj duke vazhduar debatin e nisur nga kolegu Haxhiu, unë do të thosha se nuk ka ndonjë dilemë si do të jetë Topi në krahasim me Klanin pasi nuk mund të krahasohen. Pyetja e vetme do të jetë si do të jetë Rama si kryeministër në raport me Berishën lidhur me median. Berisha krijoi dy modele mediash në treg, një model mediash të shpërblyera, që kishin luksin të paguanin propagandistë që dilnin në ekrane dhe merrnin miliona euro reklama dhe një model medie të ndëshkuar siç ishte rasti i gazetës Tema që ia mban ende redaksinë rrethuar me policë, dhe që bënte atë që bënte për të ndaluar çdo reklamë në faqet e saj. Nuk është se doli i fituar nga këto modele. Në fund të betejës Tema u bë media më e lexuar dhe Klani media më e neveritshme. Ndryshimi në bilanc është vetëm financiar. Por dhe ai ia ka vlejtur kur shikon tani se ku u katandis Sali Berisha, të cilit nuk i flet me gojë as Fevziu.

Kështu që sfida e Edi Ramës si kryeministër është të mos krijojë modelet e Berishës në media, por ta lërë median të lirë. Ta lërë të lirë të vdesë dhe të ringjallet, të falimentojë dhe të ringrihet, të strukturohet dhe të perfeksionohet, se vetëm ashtu do të ketë mundësinë të krijojë një treg real të medies në Shqipëri. Të mos imitojë Sali Berishën që komandonte shtetin me Sandrin, dhe as të mos imitojë vetveten e viteve më parë kur rendte të gjente para dhe reklama për Klanin e viteve 2000, se i duhej për mbështetje. Shqipëria meriton ato media që ia dalin të mbijetojnë duke bërë gazetari dhe duke shitur punën e tyre dhe jo ato që mbijetojnë në treg jo si produkt gazetaresk, por si servis pushteti. Nëse arrin të mbajë distancën e duhur nga media, dhe ta lërë atë të zhvillohet si një pushtet më vete, Edi Rama ka shanse të bëjë një histori të re dhe për median në Shqipëri. Nëse tenton të ngrejë mekanizma rregullatorë dhe të përfshijë sekserët e vet në media, do të dështojë dhe do t’i kthehet në bumerang siç iu kthye pak vite më parë, kur arriti një kohë që nga gazetat ngeli paradoksalisht vetëm Tema mbështetëse e opozitës.

Nëse do dhe di të bëjë diçka me mediat, le të provojë të fuqizojë median publike dhe të ç’tensionojë raportet e kësaj medie mercenare talibane me publikun, të cilit i merr taksat dhe i ofron një produkt torturues për çdo qenie të gjallë.

Botuar në gazetën Tema, datë 13 gusht 2013

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend