Media, termometri i demokracisë

22 Qershor , 2013 • Liria e medias • by

Konferenca 9-orëshe “SPEAK UP 2”, e organizuar të enjten e kaluar në zemrën e Brukselit nga Komisioni Europian, me praninë e 400 pjesëmarrësve, nga të cilët edhe gazetarë nga Shqipëria, Ballkani Perëndimor e Turqia, do t’i mëshonte edhe një herë faktit se, nëse do të shikosh nivelin e zhvillimit të demokracisë së një vendi, shikoji median.
Para gjithë atij auditori të madh, Komisioneri i Lartë për Zgjerimin, Stefan Fule do ta shpjegonte këtë ide thjesht dhe në mënyrë shumë informale, që edhe një qytetar i thjeshtë ta kuptonte. “Mbaj mend se kur isha i vogël, nëna ime do të më maste temperaturën sa herë nuk do të ndihesha mirë. Në të njëjtën mënyrë, do të thoja se liria e medias është termometri i një demokracie të vërtetë”, – tha ai.
Dikush tjetër në sallë do ta krahasonte lirinë e shprehjes dhe atë të medias me ligjin e gravitetit të Njutonit, që e bën kozmosin të ekzistojë; apo si ajrin që thith çdo njeri. E pra, duke parë rëndësinë e madhe të kësaj fuqie në jetën dhe zhvillimin e një kombi, z.Fule “e braktisi” plotësisht axhendën e ditës së punës që ia kujtonte shpesh zëdhënësi i tij, Peter Stano me dokumentet e shumta që i sillte për firmë e konsultime. Komisioneri qëndroi gjatë gjithë konferencës duke treguar interes të dëgjonte çdo mendim të shprehur në sallë. Aty duartrokiste për diçka të thënë fuqishëm nga ndonjë panelist a gazetar, aty humbiste në mendime…
“SPEAK UP 1”, që u zhvillua dy vite më parë në Tiranë, pati një rëndësi të madhe, sepse e kushtëzoi hyrjen e një vendi në BE me arritjen e lirisë së shprehjes dhe të medias. Prandaj liria e shprehjes dhe e medias ka zënë një vend të konsiderueshëm edhe në progres-raportet e BE-së në këto vitet e fundit. Ndërsa “SPEAK UP 2” evidentoi se çfarë është bërë dhe ç’nevojitet të bëhet më tej.
Por u duk se vlera e kësaj konference u rrit, edhe për vetë faktin se ajo u mbajt në momentin e duhur. Ajo i pati shembujt konkretë për të parë se në ç’nivel është media në Ballkan. Shqipëria dhe Turqia ishin shembujt idealë. E para mban zgjedhjet e përgjithshme vetëm dy ditë më vonë nga organizimi i kësaj konference dhe roli i medias në këto zgjedhje ka pjesën e saj të konsiderueshme. Ndërsa Turqia është përfshirë prej disa kohësh nga protestat antiqeveritare dhe gazetarët në këtë vend janë nën presionin dhe censurën e kryeministrit Erdogan për të mos i pasqyruar këto ngjarje.
Pa neglizhuar rastet e identifikuara në vendet e tjera të rajonit, z.Fule do të fokusohej në këto dy vende. Pasi njoftoi se z.Eduart Kukan po niset në Shqipëri para zgjedhjeve të së djelës, ai tha: “Zgjedhjet e së djelës në Shqipëri do të jenë një test i fortë, normalisht për politikanët, por patjetër edhe për median, duke provuar sa e pavarur dhe e lirë është. Ne shpresojmë shumë që media shqiptare të kontribuojë në një atmosferë të qetë, para, gjatë, por edhe pas zgjedhjeve.”
Duke iu referuar eksperiencës së hidhur të zgjedhjeve të 2009-ës në Shqipëri që solli keqinterpretimi i rezultatit, Fule e vuri theksin në faktin se: “Unë shpresoj shumë se media shqiptare do të jetë në anën e atyre që nuk do t’i zgjerojnë, por minimizojnë hapësirat për interpretime të ndryshme të rezultatit të zgjedhjeve.”
Sipas tij, këto zgjedhje do të jenë një test i vërtetë për median shqiptare, duke vënë në provë lirinë dhe profesionalizmin e saj.
“Inshallah do të shkojnë mirë”, do të uronte me pak humor si gjithnjë, eurodeputeti Eduart Kukan.
Duket se shumë sy janë drejt Shqipërisë. Jo vetëm nga Bashkimi Europian, por edhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. Edhe Përfaqësuesja e OSBE për Lirinë dhe Median, Dunja Mijatovic, do të theksonte se “në shtator do të vij në Shqipëri në kuadrin e një konference të madhe për median”. Hapur, edhe ajo tha se “Shqipëria ka adoptuar ligjin mbi transmetimin, por mbetet të shihet se si zbatimi i tij do të sigurojë lirinë e shprehjes dhe atë të medias”. Boshnjakja me një pamje të fuqishme, theksoi hapur se qeveritë e shumë vendeve pretendojnë se nuk kanë probleme kur vjen puna tek media, por se ky mohim veç sjell bllokim.
Mediat e ndryshme dhe ekspertët e medias po hasin vazhdimisht probleme, si në Shqipëri, edhe në Ballkan. Situata nuk po përmirësohet. A duhet të rritet më shumë presioni ndaj Vjenës, Strasburgut dhe Brukselit? A duhet të ngrihet më lart zëri i gazetarëve, të cilët nuk ndihen të lirë?
Po, është koha për veprime konkrete. Gjesti i të gjithë gazetarëve turq, që u ngritën ‘en block’ në këmbë në shenjë proteste kur përfaqësuesi i Ministrisë së Drejtësisë Turke do të mbante fjalimin e tij në konferencë, tregoi se gazetarët duhet të jenë më shumë “hunting dogs” sesa “watch dogs”.

Botuar tek Gazeta Shqiptare, 22 qershor 2013

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend