Një laborator ndërkulturor për të ardhmen e gazetarisë

6 Mars , 2014 • 10 vjet EJO • by

I ngjan një mrekullie: Observatori  Europian i Gazetarisë (EJO), jo vetëm që ka mbijetuar për dhjetë vjet, por tashmë po rritet edhe më shumë duke iu shërbyer gazetarëve nga dhjetë gjuhë të ndryshme si edhe çdo individi të interesuar që kërkon informacion për ndryshimet e shpejta në fushën e medias. Koncepti që qëndron pas këtij projekti është shumë i thjeshtë: Çdo vit shpenzohen miliona lekë të taksapaguesve në vendet europiane dhe në vendet e tjera për të kryer studime mbi median dhe gazetarinë, por rezultatet e këtyre studimeve nuk kanë qënë të aksesueshme për ata që kanë nevojë për to. Këto studime përmblidhen dhe përkthehen vetëm nëse gazetarët dhe menaxherët e medias përfitojnë prej tyre. Përveç kësaj edhe vetë ekspertët dhe  studjuesit e mediave, kanë shumë pak njohuri për kulturën gazetareske dhe sistemet mediatike në vendet “e tjera” europiane. Pa këtë njohje është e vështirë që të mësojmë nga njëri-tjetri dhe të krijojmë standarte të përbashkëta të profesionalizmit. Për këtë arsye, EJO ofron lajme që i tejkalojnë barrierat kulturore si dhe analiza të thella rreth studimeve në media, rreth prirjeve dhe praktikave më të mira në gazetari – pikërisht në gjuhën që flet më mirë fokus-grupi të cilit i drejtohet, në gjuhën amtare.

Mbështetja fillestare financiare erdhi nga Fondazione Corriere del Ticino (për faqet në italisht dhe anglisht) si dhe nga fondacioni gjerman Stiftung Pressehaus NRZ (për faqet në gjermanisht dhe në polonisht). Në vitin 2011 Swiss National Science Foundation, filloi financimin e gjashtë versioneve në 6 gjuhë të Europës Lindore si dhe të qendrës koordinuese të EJO në Lugano, dhe qysh nga viti 2013 është mbështetur nga SNF edhe ZürcherHochschule for Applied Sciences në Winterthur. Gjatë vitit 2013, Instituti prestigjoz për Studime në gazetari Reuters i Universitetit të Oksfordit u bë partneri i ri strategjik i EJO, si rezultat i mbështetjes financiare të Robert Bosch Foundation në Gjermani.

Në plan lokal, mbështetja e qëndrueshme bujare e Fondazione Corriere del Ticino, ka krijuar një partneritet unik mes Universitetit dhe kompanive më të mëdha të mediave private në Ticino. Të dy palët mund të jenë krenarë për faktin se studentët kanë përfituar prej një numri kryeredaktorësh apo gazetarësh të cilët janë përfshirë në mësimdhënie duke ofruar eksperiencë nga “jeta reale” si dhe raste studimore dhe gjithashtu vetë studentët kanë sjellë këndvështrimin e tyre të ri. Disa prej këtyre studentëve janë bërë burime të talentuara njerëzore për kompanitë e mediave. Vetë EJO ofron hapësira pune për studentët asistentë apo doktorantë që kërkojnë eksperiencë pune unike – duke qënë pjesërisht si kërkues në trajnim dhe pjesërisht si gazetarë. Edhe vetë Drejtori Ekzekutiv i Timedia dhe Corriere del Ticino ka një të kaluar që lidhet me EJO: Shtatë vjet më parë, para se të bëhej menaxher i përgjithshëm i kompanisë më të madhe mediatike në Ticino, ai ishte një nga bashkëthemeluesit e Observatorit. Qysh atëhere ai ka kontribuar në suksesin e EJO si dhe ka marrë pjesë vazhdimisht në takimet e tij. Sot ai thotë: “Pa eksperiencën e EJO, unë nuk do t’ia kisha dalë që të bëhesha nga një redaktor përgjegjës në Itali, në menaxher i përgjithsëm i Timedia”.

Përktheu nga anglishtja: Rrapo Zguri

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend